Rrëfimi për Flamurin në vetën e parë

Rrëfimi për Flamurin në vetën e parë

- 28/11/2021

Secili shqiptar, ka një rrëfim mbresëlënës për Flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenare të shtrirë mbi cohë të kuqe.

Personalisht kam njëfarë bindje se kur flas apo shkruaj për Flamurin kombëtar, kam edhe ndjesi, edhe emocione ndryshe.

Për herë të parë më është bërë dhuratë Flamuri kombëtar që e shihni në këtë fotografi më 6 tetor të vitit 1968. Ishte një ditë e bukur me diell, derisa ia shtonte hijeshinë rrëzëllima e vesës së mëngjesit. Ishte dita kur ish-Jugosllavia komuniste lejoi që shqiptarët në ish-Jugosllavi, do të mund ta përdornin zyrtarisht flamurin kombëtar, pasi deri në këtë kohë, për flamurin dhe shqiponjën dykrenare ishin vrarë e burgosur qindra shqiptarë.

Po këtë vit në kampin komunist, ndodhën shumë protesta studentore në Evropën Lindore, derisa protesta të këtilla pati edhe në Kosovë.

Ditën e 6 tetorit të vitit 1968, nuk do ta harroj asnjëherë në jetën time. Isha vetëm pesë vjeç dhe Flamuri që m'u bë dhuratë ishte i përmasave të vogla. Ai u soll në familjen time nga studentët shqiptarë, të cilët ishin anëtarë të Shoqatës Kulturore të Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Lubjanës, të cilët atëbotë studionin në këtë Universitet prestigjioz së bashku me axhën tim.

Tre vjet më vonë, të njëjtit studentë vizituan Republikën e Shqipërisë, derisa Dekanati i Fakultetit Teknik në Universitetin e Lubjanës, kishte krijuar pretekstin se studentët kishin nevojë për një vizitë studimore në Republikën e Shqipërisë dhe kështu rreth dhjetë studentë shqiptarë patën fatin e tyre të vizitonin Shqipërinë në një vizitë dyjavëshe!

Mbas vizitës, unë fitova edhe dy dhurata; një flamur me shkabën dykrenare dhe një fanelë kuqezi të Klubit të futbollit "Flamurtari" të Vlorës! Flamurin dhe fanelën i ruante me kujdesin më të madh nëna ime në arkën e saj, të cilës gjithmonë i vinte erë ftonjësh.

Fanelën kuqezi, nuk e kam veshur më shumë se dy herë në jetën time nga frika se do të më grisej, derisa unë jam rritur dhe fanela mbeti po ajo në përmasat e vogla të saj!

Edhe sot kujtoj se Flamuri i prodhuar atëbotë në Shqipëri i përkiste një stofi cilësor, por njëzetetetë vjet më vonë, më saktë gjatë operacionit të ushtrisë serbe i koduar me emrin "Patkoi" në luftën e fundit në Kosovë, flamuri kombëtar dhe fanela e Klubit të futbollit "Flamurtari", mbetën nën gërmadhat e shtëpisë së djegur...

Flamuri kombëtar, jo vetëm është simboli ynë i shenjtë, por është edhe ndër më të bukurit në botë. Është shkaba dykrenare, e cila qëndron aq bukur mbi stofin e kuq dhe simbolizon aq denjësisht shkathtësinë, forcën dhe energjinë në historinë tonë tragjike, për të mbërrijtur këtu ku jemi sot.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco