Çka po ndodh me lirën turke dhe kah po shkon ekonomia e Turqisë?

Çka po ndodh me lirën turke dhe kah po shkon ekonomia e Turqisë?

Nga Mustafë Bajrami - 25/11/2021

Pandemia ka shkaktuar një krizë globale si rrallë herë më parë. Që në ditët e para të saj, njohës të historisë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare patën paralajmëruar se bota kurrë më nuk do të jetë siç ka qenë më parë. Patën thënë gjithashtu se pandemia e koronavirusit, përveç që do të ndikojë në mënyrën e të jetuarit, ajo do ta ndryshojë edhe mënyrën e të menduarit. Dhe, ashtu doli. Bile përtej parashikimeve.

Pandemia goditi edhe ekonomitë më të fuqishme të botës. U ngrit çmimi i naftës dhe burimeve tjera energjetike. Për rrjedhojë, u ngrit kostoja e prodhimit, transportit të mallrave si dhe çmimet e konsumit të përgjithshëm. Vendet e BE-së, SHBA-ja, Kanadaja, Australia, Kina, Rusia e Brazili pësuan tronditje serioze në ekonomitë e tyre. As Turqia nuk i shpëtoi kësaj furtune. Folur me gjuhën e politikës, pandemia prishi baraspeshat gjeostrategjike dhe kostelacionet diplomatike të botës. Ngritja e çmimeve deri në 100% nëpër disa vende të fuqishme, e në shumë të tjera deri në tre fish, shkaktoi kaosin më të madh në botë që nga Lufta e Dytë Botërore.  

Kështu, shtete të tëra janë vënë para sprovave të papara në histori. Shumica e tyre të ballafaquara me të papritura të përditshme humbën busullën e udhëheqjes dhe pësuan humbje të mëdha ekonomike. Përfituese të vetme po dalin të jenë vetëm korporatat e barnave që janë në duart e kapitalistëve oligarkë, e të cilët nuk njohin gjë tjetër pos përfitimet e të tyre. Në të ardhmen priten kriza edhe më të mëdha.

****

Thuajse në gjithë botën Bankat Qendrore operojnë të pavarura nga politikat ditore të qeverive. Ato punojnë në bazë të dinamikave që ua imponojnë ekonomitë e tregut (oferta-kërkesa). Megjithatë, jo gjithherë e gjithkund është kështu. Në vende autokrate shumë herë politikat qeveritare ndërhyjnë në punët e bankave qendrore dhe përpiqen tu ofrojnë “zgjidhje” të caktuara sipas nevojës të politikave ditore dhe të strategjive afatshkurtra. E tillë për momentin është edhe Turqia.

Kështu, edhe pse Turqia është vend me industri të zhvilluar, ajo importon shumë produktin kryesor që përdoret në industri. Fjala është për naftën. Megjithëqë Turqia ka zbuluar burime të mëdha të gazit natyror dhe po bëhet fuqi botërore në gaz si dhe ka përparuar shumë në hidro-energjetikë, industria e saj varet shumë nga importi i naftës. Domethënë, edhe pse Turqia si shtet industrial eksporton më shumë se sa importon, ajo konsiderohet vend importues.

Krahasuar me disa vende të fuqishme ekonomike, Turqia ka arrit t’i përballojë mirë krizës globale të tanishme. Megjithëkëtë, ekonomia turke nuk ka mund ta ruaj stabilitetin që e kishte në dy dekadat e fundit. Ajo po ballafaqohet me një seri lëkundjesh, e të cilat i mbanë nën kontroll falë shtimit të eksportit që ka arritur mbi 200 miliardë dollarë.

Kriza e lirës turke gjenezën e ka në muajt e parë të përhapjes së pandemisë. Presionet nga jashtë si dhe kërkesat e brendshme ekonomike impononin nevojën e lëvizjes së kursit të saj. Përderisa shteti nuk lejonte ngritjen e kamatave, Banka Qendrore bënte presione sipas dinamikave dhe lëvizjes së ekonomisë. Me një urdhëresë nga presidenti Erdogan, bankat u detyruan të zbresin kamatat dhe të subvencionojnë kompanitë e mesme dhe të vogla. U krijua një “betejë” midis politikës dhe ekonomisë së vendit. Në këtë gjendje, Turqia filloi të subvenciononte industrinë e naftës në mënyrë që ta mbante inflacionin në parametrat ekzistues. Megjithëkëtë, Banka Qendrore ngriti kamatat dhe çmimet e shërbimeve tjera. Në mars të këtij viti Erdogan shkarkoi guvernatori i Bankës Qendrore dhe, sikur me fitil, në nivel vendi filluan plasaritjet serioze midis pozitës dhe opozitës turke. Në ndërkohë, opozita dhe njerëz të fuqishëm në Turqi frikësoheshin nga ndërhyrja e dorës së shtetit edhe në segmente tjera që ndërlidheshin me ekonominë e vendit. Në lëvizje u vunë elementë destruktiv nga organizata të ndaluara në Turqi ku propagandonin se vendi do të kaplohet nga një krizë ekonomike e përballueshme dhe se afaristët do të pësojnë më së shumti. Mediat opozitare shkruanin se me miliona njerëz do të largoheshin nga puna dhe do t’i humbin kursimet e tyre të deponuara nëpër banka.


****

Qytetarët e Turqisë kanë te deponuara nëpër bankat e vendit mbi 240 miliard dollarë. Përtej kësaj, llogaritet se qytetarët e Turqisë kanë “nën jastëk” afër 300 miliard dollarë të tjerë. Ky term në Turqi përdoret për paratë e paregjistruara që gjenden në duart e qytetarëve. Nëse dy vite më parë qytetarët e Turqisë iu përgjigjën kërkesës së presidentit Erdogan që t’i nxjerrin ato para dhe t’i fusin në qarkullim, në krizën e tanishme kjo nuk ndodhi. Është evidente një frikë se vendi po zhytet në krizë, andaj secili po i bënë llogaritë për ditë të vështira. Turqit po mbajnë dhjetëra miliarda dollarë të mbyllura nëpër shtëpi, sikur të tjerat të deponuara nëpër banka që nuk i vënë në shërbim të prodhimit dhe tregti të ndryshme. Është krijuar një atmosferë frike gjithandej në Turqi.

*****

Para pak ditësh presidenti turk, Erdogan, iu drejtua popullit me një fjalim të shkurtët. Përvep tjerash, ai popullit i tha këtë fjali: “Sabir edin”. Ai i garantoi turqit se kriza e tanishme e lirës nuk është rezultat i dobësimit të ekonomisë, por, përveç shantazheve që po i bëhen Turqisë nga jashtë, prapa gjithë kësaj është duke u punuar për një të ardhme të madhërishme për Turqinë.

Në fakt, siç kam shkruar edhe më parë, dobësimi i lirës turke mund të ketë dimensione reflektuese jo vetëm për ekonominë e vendit, por edhe për një pjesë të madhe të botës. Është diçka e ngjashme sikur me jenin japonez kur Japonia insistonte në zbritjen e vlerës së valutës së saj, ndërsa bota doli kundër këtij hapi të Japonisë. Japonia atëbotë dëshironte të shtonte eksportin përtej përmasave “të lejuara” nga vendet perëndimore dhe nga Kina.

S’do mend se Kina sot është prodhuesja me e fuqishme në botë në shumë produkte. Ajo ka zaptuar tregjet botërore dhe po përcakton çmimet dhe dinamikat e tregtisë në botë. SHBA-të këtë nuk e dëshirojnë. Dobësimi i Kinës është interes parësor i SHBA-ve. Për tu arritur kjo, duhet të krijohet një rival ndaj Kinës që do të plotësonte nevojat e botës në produkte të ndryshme. Ai rival duhet të prodhojë me kosto të lirë, së paku sa tni që e ka Kina. Në këtë lojë të madhe botërore, Turqia shihet si vendi më i përgatitur për të zëvendësuar rolin e Kinës. Vetë Turqia është e interesuar të rris prodhimin dhe të shtojë me të madhe eksportin. Për ta realizuar këtë, Turqisë i duhet fuqi punëtore e lirë në mënyrë që kostoja e prodhimit të jetë e ulët. Dhe, kjo është pika kyçe e “krizës” së lirës turke. Dobësimi i lirës turke është kushti themeltar i realizimit të kësaj strategji afatgjate. Sepse, për ta konkurruan Kinën, Turqisë i duhet fuqi e lirë punëtore. Sa më shumë që bie lira, aq më lirë del kostoja e prodhimit. SHBA-të dhe Evropa janë të interesuara ta ndihmojë Turqinë në këtë drejtim. Sepse është interes i tyre. Sidomos Gjermania interesohet për një Turqi me ekonomi stabile. Sa për pagesat që i detyrohet, aq edhe për shkak të bilancit tregtar që i kanë mes vete. Dhe jo vetëm Gjermania.

*****

Fjalët “Bëni durim” të Erdoganit kanë këtë kuptim. Aq më tepër kur presidenti turk në atë fjalim u dha myzhde qytetarëve të Turqisë për një të madhe që do të ndodhë. Njëjtë kështu kishte përgëzuar turqit pak ditë para zbulimit të gazit nën ujërat e Detit të Zi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco