Vrasja e Elvis Pistes dhe ‘reformimi’ i PDK

Vrasja e Elvis Pistes dhe ‘reformimi’ i PDK

Nga Enver Robelli - 24/11/2021

Më 15 qershor 2014 në Rahovec u vra Elvis Pista, një funksionar lokal i PDK-së. 

Para se të vritej ai punoi në atë që quhet Posta dhe Telekomi i Kosovës ose – më saktë - një ndërmarrje shtetërore në shërbim të partive që sunduan dhe plaçkitën Kosovën për 20 vjet. 

Vrasësit e Pistës nuk janë zbuluar kurrë. Partia e tij ka qenë në pushtet. Ka kontrolluar gjithçka. Polici e shërbim sekret (zyrtar dhe partiak). 

Krerët e PDK-së menjëherë pas vrasjes vrapuan në Rahovec dhe thanë se partia nuk do të lë “gur e dru’” pa lëvizur që vrasësit të zbulohen. Mirë shumë. A u zbuluan? Kurrë. 

Në Facebook paska mbetur një faqe me titullin “R.I.P. Elvis Pista”. Më 23 maj 2020 portali kallxo.com botoi një shkrim me këtë titull: “Gjashtë vjet pas, vrasja e Elvis Pistës mbetet mister për Prokurorinë”. 
Ish-kandidati i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës ishte vrarë në oborrin e një restoranti në Rahovec. 

Prokuroria e Gjakovës ka njoftuar se janë intervistuar 90 dëshmitarë. Dhe? Asgjë. Vrasësit në liri. 

Partia e Elvis Pistës po thotë se është reformuar. Nëse me reformë nënkuptohet ruajtja e trashëgimisë së errët, atëherë, po, vërtet janë reformuar. 

Kur kanë kërkuar së fundi ndriçimin e këtij atentati? Këtij tmerri.

Ah, po, në google gjendet edhe një këngë e një turbofolk-lahutari vajtimtar për Elvis Pistën. 

Se kështu shkojnë këto punë në Kosovë. Vritet një politikan, shokët e partisë shprehin keqardhje, premtojnë se do t’i kapin vrasësit – dhe gjithçka mbaron me një këngë. 

Ose me keqpërdorim të viktimës për poenë politikë dhe vota. Ndoshta ndokujt mund t’i prishet qejfi nëse këtu flasim edhe për vrasjen e Haki Imerit në Drenicë. Faji i tij? 

Nuk përkrahte banditët, kriminelët, hajdutët, cubat që Kosovën e shihnin si gurthyes që duhet gërryer, plaçkitur dhe djegur.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco