Beteja e dy xhentëlmenëve për Prishtinën

Beteja e dy xhentëlmenëve për Prishtinën

Nga Ramazan Bekteshi - 15/11/2021

Sot triumfoi Prishtina, sot fitoi demokracia dhe u dha një test i civilizimit, sot nuk ka humbës derisa kryeqyteti fitoi, z. Përparim Rama urime! Sot përfundoi një betejë gati se e barabartë në mes dy zotërinjve me kulturë lakmuese, por sot njëkohësisht fillon nje betejë e re për kryeqytetin, që gjatë tetë viteve te shkuara u qeveris keq, pa vizion e pa energji dhe lëngoi fort. Sot, në një betejë të fortë e të ngushtë fitoi më i miri, një profesionist që linte përshtypje në çdo paraqitje, e që program i tij kishte më shumë sens, ai e fitoi një kandidat të popullarizuar dhe një ministër të suksesshëm që e bënë këtë fitore edhe më domethënëse. Fitoi profesionisti pa lidhje të forta partiake, që bëri një fushatë të sinqertë, pa krekosje e ekzagjerime, duke ia kthyer triumfin partisë që e kandidoi për kryeqytetin, bastionin e saj, që më herët u humbi nga një diletant me duar në xhepa. Është ky një rikthim impresiv i LDK-së në kryeqytet me dy figura freskuese në qendër, Abdixhiku-Rama, dhe pa autokratin Isë, që i kishte shkaktuar partisë vetëm disfata.

Sot, Arben Vitia largohet kryelartë, sepse më shumë kohë i përkushtoi pandemisë se fushatës për kryetar komune, ai e shndërroi Kosovën nga një vend i rrezikuar në një vend me pak të rrezikuar nga pandemia në botë. Ai bëri shumë për Kosovën gjatë pandemisë dhe të mirat i mbulojnë dobësitë, si ai skadimi famëkeq i 133.237 vaksinave AstraZeneca me arsyetim se s’i deshën qytetarët(?). Sot, kryeqyteti ynë hy në një fazë të re, me një menaxher bashkëkohor që është më shumë i lidhur me profesionin se me politikën e partinë, njeriu që e ka mishërim dhe zanat urbanizmin dhe problemet komplekse të kryeqytetit, duke filluar nga kaosi i trafikut. Tani, asamblistët e gjithë ngjyrave politike duhet ta përkrahin Përparim Ramën, sepse kështu e lyp rregulli qytetar, sepse interesi i qytetarit është më i rëndësishëm se interesi partiak. Sot Prishtina vendosi për një arkitekt para një mjeku. Në këto zgjedhje mësuam, se nuk ka fitues absolut dhe kjo është e shendetshme për demokracinë, sepse zgjedhjet lokale kanë një filozofi tjetër fare nga ato qëndrore, mësuam se kryetarët aktual nuk janë të pamposhtur, mësuam se fytyra të reja e fituan fronin e komunës, mësuam se si disa parti nominuan kandidatë që kishin lidhje të forta me partinë por jo dhe me qytetarin, si ai rasti, që kryetarit ‘qytetarët ia mbajnë foton në kuletë’, atij ‘akademikut’. LVV-se i duhet një reflektim më i thellë e më serioz, të shpresojmë se do të nxjerrin mësim nga kjo përvojë e pakëndshme me duar në xhepa. Pra, në këto zgjedhje pamë se si partitë opozitare u rigrupuan dhe në raundin e dytë e luftuan ashpër LVV por pa shkelje, pamë se si disa TV ‘stanica’ pa etikë të gazetarisë profesionale ndoqën ndjenjat dhe emocionet individuale dhe partiake e jo faktet dhe racionalen, pamë banda analistësh nëpër konakë të studiove që shfryheshin jo për interesin e qytetarit, por për interesat e atyre nga të cilët paguhen, pamë se si LVV nuk i zgjodhi kandidatët më të mirë, nuk e dimë pse, a i mungojnë apo sepse baza vendosi ashtu, pamë dhe një dëshmi shtesë se kryeqyteti nuk fitohet pa koalicione. Sot në retrospektivë mund të reflektojmë se si u humb dikur kryeqyteti dhe bastioni me duar në xhepa nga LDK, por sot ishim dëshmitar se si është e mundur të rifitohet bastioni dhe kryeqyteti me njerëz të duhur si Përparim Rama dhe me aleanca qofshin edhe të pashpallura. Sot triumfoi kryeqyteti, dhe kush e fiton Prishtinën i fiton edhe zgjedhjet lokale, urime “Majori” ynë i ri! Urime të gjithë kryetarëve fitues, urime Kosovë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco