Edhe ky është referendum, Albin Kurti

Edhe ky është referendum, Albin Kurti

Nga Syri.net Kosova - 14/11/2021

Përmbysje në shumicën e komunave, pas një balotazhi dramatik. Zgjedhje të rregullta dhe kulturë e lartë demokratike. Humbësit urojnë fituesit. Pa zemërim. Kosova e dëshmoi se është ‘shkollë’ për zgjedhjet e lira dhe demokratike.

E mbi të gjitha, rezultatet e votimit dëshmuan se me qytetarin e këtij vendi nuk mund të luajë më askush. Ndryshimet në komuna, duke filluar nga kryeqyteti, shprehin vullnetin e kosovarëve për qeverisje të re.

Këto janë zgjedhje lokale, ku secili komunitet e përcaktoi fatin e katër vjetëve të ardhshëm, duke zgjedhur kryetarin që e do shumica.

Përtej pazareve e prapaskenave politike, ndërhyrjes së qeverisë në mënyrë të vazhdueshme për të siguruar mbështetje për kandidatët e partisë në pushtet, elektorati lëvizi sipas perceptimit të vet, pa u ndikuar nga logot partiake.

Zgjedhjet lokale, janë zgjedhjet e kandidatëve të fortë, janë zgjedhjet e alternativave më të mira që partitë ofruan për qeverisjen lokale.

Nëse zgjedhjet e 14 shkurtit u konsideruan si referendum më të drejtë, sepse sollën një përmbysje të madhe , historia u përsërit tash në nivelin lokal.

Ky është mesazhi më i mirë që e mori Lëvizje Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti. Kjo flakareshë elektorale, me siguri do t’i shërbejë pushtetit aktual në nivelin qendror që të reflektojë e të punojë drejt, siç edhe ka premtuar.

Elektorati i Kosovës njësoj do të veprojë kurdo që mbahen zgjedhje, nëse pushtetarët i zhgënjejnë.

Të mos jemi euforikë. Partitë që sot po festojnë kanë shumë mëkate në qeverisjen e Kosovës. Le të mos harrojmë hajninë e pasluftës, korrupsionin dhe demagogjinë.

Këta që janë zgjedhur për ta qeverisur Kosovën kanë ardhur me një mision për të vendosur rend dhe rregull, drejtësi dhe ligj, por për të gjithë.

Edhe kryetarët që fituan mandatin, janë kryetarë në shërbim të të gjithëve, pavarësisht se kush i votoi e kush jo.

Me rëndësi, votuesi kosovar është pjekur shumë politikisht dhe kjo është një garanci për zgjedhje gjithnjë e më të mira në të ardhmen.

Ky rezultat gjithashtu është këmbanë alarmi për të gjithë ata politikanë që mohojnë gjithçka, krijojnë ndasi dhe zhgënjejnë kur e marrin pushtetin ende pa u bërë një vit.

Ka ende shpresë se Albin Kurti do të jetë një kryeministër i dobishëm, por janë veprat që do e dëshmojnë e jo fjalët e bukura.

Të dytat, po i dëgjojmë, e të parat po presim ende.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco