Kush po rren, Grenell, Isa Mustafa apo Arben Gashi?

Kush po rren, Grenell, Isa Mustafa apo Arben Gashi?

Nga Syri.net Kosova - 12/11/2021

Deputeti Arben Gashi pa pikë nevoje për partinë e tij në prag të balotazhit, e riktheu vëmendjen e votuesve kosovarë te rrëzimi i ‘qeverisë së shpresës’ në mes të pandemisë që e mbylli botën.

Ai foli për një ultimatum shtatë ditor që i kishte ardhur nga Shtëpia e Bardhë, e që sipas tij, LDK e kishte zgjatur edhe tri ditë.

Më pas, ra qeveria e Albin Kurtit, një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së, që nxori PAN-in në opozitë.

Por, versioni i Gashit ra shpejt në ujë, pas vizitës së Richard Grenellit në Kosovë. Ish-këshilltari i presidentit amerikan  Donald Trump, e mohoi një gjë të tillë.

Për ta përforcuar deklaratën e tij, reagoi edhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, që e mohoi kategorikisht pohimin e Arben Gashit.

Mustafa sërish ritheksoi se qeveria Kurti u rrëzua pas shkarkimit të Agim Veliut, në atë kohë nënkryetar i partisë dhe Ministër i Brendshëm.

Veprimet e LDK-së dhe formimi i një qeveria që riktheu pushtetin e PAN-it brenda pak muajsh nga ndryshimi që sollën zgjedhjet parlamentare, i kushtoi rëndë Lidhjes Demokratike dhe vetë Isa Mustafës.

Amerikanët mund të kenë ushtruar presion, por ndryshimet që ndodhën në një periudhë kritike për shkak të pandemisë, ishin më tepër pazare të brendshme politike me ‘dirigjentin’ që ishte president, Hashim Thaçin, që sot gjendet në burgun e Hagës.

LDK-së i konvenoi ta merrte qeverinë, duke u thirrur në presionin amerikan dhe marrëdhëniet me SHBA-në, edhe pse përgjegjësia për reciprocitetin me Serbinë binte mbi kryeministrin Kurti.

Nga ana tjetër PDK-së, i përshtatej skenari i Thaçit që po e çonte Kosovën drejt ndarjes territoriale, ku luhej interesi personal i Presidentit mbi kurrizin e Repubikës.

Pavarësisht asaj që e thotë Gashi, i cili vazhdon të heshtë pasi e përgënjeshtruan ish-kryetari i vet dhe Grenelli në anë tjetër, njerëzit në Kosovë nuk mund të mashtroheshin kaq lehtë.

Kjo skemë manipulative dhe kjo manovër kaq e paskrupullt për pushtet, e thelloi në mënyrë dramatike pakënaqësinë e popullit.

Si rrjedhojë, mbërritëm në ‘referendumin’ e 14 shkurtit.

Deklarata e Arben Gashit, është një autogol i rëndë pak para balotazhit ku LDK lufton për të marrë disa komuna përballë Lëvizjes Vetëvendosje.

T’i rikthesh votuesit në atë periudhë frustuese, do të thotë t’ua rikujtosh se çka do të pret po e ktheve PLAN-in në pushtet.

Huqje e madhe, me apo pa vetëdije, por me pasoja politike për partinë që veç sa ka filluar të këndellet në zgjedhjet e para pas debaklit të 14 shkurtit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco