Shkrimtarja

Shkrimtarja

Nga Daut Dauti - 11/11/2021

Sipas një hulumtimi, në literaturën fiktive gratë janë shkrimtare larg më të mira se burrat shkrimtarë. Ato kanë imagjinatë më të zhvilluar se burrat por edhe stil më të mirë  të shkrimit. Kjo dëshmohet në literaturën angleze që fillon me Jane Austin e deri te J K Rowling, autorja e Harry Potter-it. 

Por, shkrimtarja më e njohur dhe më e lexuara në botë është Agatha Christie, e cila ka shkruar 66 romane kriminalistike. Romanet e saja janë përkthyer në më shumë se 100 gjuhë dhe janë shitur më shumë se 4 miliardë ekzemplarë.

Me fjalë  tjera,  më shumë se gjysma e botës i  ka lexuar romanet e Agatha Christie-it. Me këto romane Agatha Christie ka themeluar strukturën e romanit kriminalistik që sot përcillet nga shkrimtarët e këtij zhanri. 

Njeriu do të thoshte se duhet bërë shumë shkollë për t'u bërë shkrimtare e këtillë. Përkundrazi. Agatha Christie nuk ka shkollë më shumë se filloren. Ajo shkoi në shkollë te mesme por e braktisi menjëherë se nuk i duronte shabllonet dhe disciplinën shkollore. 
Prandaj, filloi të udhëtonte. U mahnit me Egjiptin, Irakun, Sirinë dhe Turqinë.

Nga Londra e deri në Irak udhëtoi me tren dhe këtu e gjeti inspirimin për romanin e saj më të njohur "Murder on the Orient Express" (Vrasja në Orient Ekspres). Qindra milionë ekzemplarë të këtij romani janë lexuar në më shumë se 120 gjuhë kurse në anglisht është ribotuar disa dhjetëra herë. Janë bërë edhe disa filma artistikë e dokumentarë. Janë shkruar edhe libra e dizertacione për këtë roman.

Në këtë roman treni niset nga Stambolli për Londër. Detektivi i famshëm belg, Hercule Poirot, të cilin e krijoi ajo, vjen nga Halepi (Siria) për ta zënë këtë tren dhe për të qëlluar në të kur vrasja ndodhë diku mes Vinkovcit dhe Sllavonski Brodit. Pastaj vazhdon mënyra se si Poirot e zbulon vrasësin. 

Me këtë roman u popullarizua ky tren dhe u shpeshtuan udhëtimet në këtë relacion. Sidomos u bë i famshëm hoteli i njohur Pera Palace ku besohet se i shkroi skicat e para të këtij romani. Edhe sot ruhet dhoma ku ka qëndruar shkrimtarja e famshme Agatha Christie dhe njerëzit shkojnë për të qëndruar aty, mu për këtë arsye.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco