Doktori apo arkitekti, Vetëvendosje apo LDK?

Doktori apo arkitekti, Vetëvendosje apo LDK?

Nga Syri.net Kosova - 11/11/2021

Nëse zgjedhim mes dy partive, asnjëra nuk kanë shkëlqyer në Prishtinë. I bie që duhet të mbështetet ajo që ka bërë më së paku keq në kryeqytet dhe premton gjëra të mundshme.

Pasojat e keqqeverisjes, janë shumëvjeçare. Përmbysja e madhe me Shpend Ahmetin, solli më tepër zhgënjim sesa një model të ri shembullor.

Partia e Albin Kurtit i është shmangur një rikandidimi të kryetarit në largim, kur  vetë ky i fundit i ndau rrugët pasi e fitoi mandatin e dytë. Kjo gjithsesi, nuk e shfajëson LVV-në për përgjegjësinë që mban në tetë vjet qeverisje të Prishtinës.

Debati i parë mes dy kandidatëve në balotazh, ka nxitur reagime të shumta. Përparim Rama duket se ka shënuar një epërsi të lehtë në këtë ballafaqim televiziv. Koha kryesore e debatit iu kushtua çështjeve urbanistike, parkingjeve,kryesisht terrenit ku Rama është komod si arkitekt.

Fare pak, u zhvendos diskutimi te shëndetësia, çështjet sociale, arsimi e mos të flasim për kulturën, që si zakonisht u injorua fare. Kandidatët fundja nuk kemi pse t’i fajësojmë, sepse debatin e moderon dikush tjetër dhe huqjet tematike ishin të dukshme.

Ajo që ka rëndësi të veçantë, është se sa bindës janë kandidatët në ofertën programore.

Rama është më ambicioz, me program dukshëm më të kushtueshëm, i qartë në zgjidhjet që propozon, por me pikëpyetje mbi buxhetimin e projekteve të parapara.

Vitia ndërkohë, ecën mbi një brazdë më të sigurtë buxhetore, fokusohet në projekte të zvarritura që me siguri më në fund do të përfshihen në axhendën e realizimit, ndërsa potencon partneritetin e ngushtë me qeverinë që i takon partisë së tij.

Rama arrin të shfaqet si më autonom në vendimmarrje nëse bëhet kryetar, shpesh duke e injoruar fare partinë që e ka kandiduar, kurse Vitia në asnjë rast nuk e qet jashtë vëmendjes lidhjen e ngushtë me Kurtin, partinë e tij në përgjithësi.

Pa një mbështetje të fortë politike, disa vendime me peshë nuk kalojnë dot në komunë. Si rrjedhojë, projekte serioze zvarriten pafundësisht. Rama, me gjasë nuk është shumë i informuar në këtë drejtim.

Pra, përballë kemi dy kandidatë që synojnë qeverisje diametralisht të ndryshme. Përparim Rama, arkitekti me përvojë që dëshiron dijeninë e tij ta ‘shkrijë’ në kaosin e Prishtinës apo Arben Vitia, doktori, i fuqizuar politikisht prej një drejtori komunal në postin e Ministrit të Shëndetësisë?

Kryeqytetit po aq sa i duhet shërimi, ka nevojë për të ardhur te rregullimi. Thuajse gjithçka është kaotike në Prishtinë. Tetë vjet dështim të Shpend Ahmetit, e kanë bërë edhe më sfiduese qeverisjen, për çdo kryetar të ri që vjen në postin e të parit të kryeqendrës.

Tani që jemi në prag të balotazhit, gara mbetet e hapur dhe pavarësisht epërsisë nga raundi i parë, asgjë nuk është e sigurtë për një mandat të ri të LVV-së.

Mund të na përsëritet historia e përmbysjes së Isa Mustafës, kur të gjithë u bënë kundër LDK-së e votat përfunduan në ‘mullirin’ e LVV-së.

Në këto zgjedhje, është parë një frymë tjetër nga ajo e 14 shkurtit. Pak muaj qeverisje kanë mjaftuar që votuesit të reflektojnë, duke ndjerë shije zhgënjimi dhe pasigurie me pushtetin e Albin Kurtit.

Gara në Prishtinë është një test edhe për ekuilibrin e pushtetit. Një fitore e Vetëvendosjes, e shpëton këtë subjekt pas goditjes në raundin e parë ku nuk fitoi asnjë komunë. Humbja eventuale, e ekuilibron pushtetin absolut që mori Kurti në zgjedhjet parlamentare.

Për arkitektin Përparim Rama, që synon Prishtinën e përjetimeve, përcaktuese do të jenë votat e të pavendosurve në balotazh. Diferenca nuk është e vogël, por jo e papërmbysshme.

Edhe ai me siguri është i vetëdijshëm, se në një kryeqytet ku mezi bëhen  disa metra trotuarë qe 21 vjet, është utopike të shpresosh se do të realizohen projektet madhore që ai i shpalos me entuziazëm

Por, nganjëherë edhe vetë elektorati, ngazëllehet me imazhe të bukura. S’i dihet. Mund të jetë edhe ky rasti fatlum për rikthimin e LDK-së në bastionin e dikurshëm.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco