Të filozofosh mbi humbjen

Të filozofosh mbi humbjen

Nga Oerd Bylykbashi - 10/11/2021

Me sa herë bëhesh humbës? Si numërohen humbjet? Si fitohet duke humbur?

Nga tetëvjeçarja, në tekstin e lëndës së Leximit (para se të arrihej tek lënda e Letërsisë), më kujtohet një tregim sajesë.

‘Taulau i biri i fisit të Taulantëve’ fliste për një djalë të ri nga fisi ilir i taulantëve i cili shpiku numrin 4. Deri asokohe ata dinin te lexonin deri ne 3. Një, dy, tre, shumë… ja psh tërfili (trifili) quhej ashtu se kishte tri fletë. Po ai sapo kishte vrarë një ujk që kishte 1, 2, 3, shumë këmbë ….?? 4 këmbë?

Poooo e gjetaaaa 4! Ai sapo kishte çuar përpara dijen e fisit të Taulantëve. Tekstshkruesi kishte derdhur të gjithë budallallëkun naiv që kishte gjetur në atë tregim të sajuar për nxënës.

Mu kujtua sa më sipër kur po lexoja diçka sarkastike të shkruar nga një koleg i njohur në publik, për premtimet populiste për kufizimin e mandatit të një kryeministri deri në dy edhe nëse është i suksesshëm për të shmangur autokracinë, por ama refuzimin e kufizimit të mandateve të një kryetari partie kur humbet zgjedhjet disa herë rresht.

Ndoshta duhet ta rafinojmë konceptin e humbjes. Ka humbje të keqe, kur ke humbur vetë e nuk ta ka fajin kush.

Por ka edhe humbje të ‘mirë’ ndoshta? Psh. kur të kanë masakruar dhe fajin e ka ai tjetri… Një humbje e keqe numërohet por një humbje e ‘mirë’ nuk ka pse numërohet.

Dhe nga 4 ja ku zbresim në 3 humbje. Më pas, kur nuk merr pjesë në një betejë zgjedhore nuk ke si të humbësh. Dhe ja ku zbritëm në 2. Kur humb me marrëveshje nuk mund të jetë humbje. Pra ja ku mbeti vetë 1 humbje.

‘Kurrgjë fare shef, rri i qetë se me një PR të mirë edhe atë humbje ua veshim të tjerëve’.

Dhe ja ku fillojmë nga zero drejt betejash për të fituar humbjen tjetër.

Taulau i gjorë i fisit të Taulantëve sërish do të numëronte 1, 2, 3, 4, shumë humbje… sepse ende nuk i kishte shkuar mendja tek numri 5.

Fundja ku dinte ai çfarë është PR modern që humbjen ta kthen në fitore. Për këtë duhet zotësi që Taulau primitiv nuk mund ta kishte në atë botë primitive kur humbja nuk sillte asnjë përfitim por vetëm vdekje.

Fundja edhe tërfili që si rregull ka tri fletë dhe thonë që kur qëllon që ka katër fletë, sjell fat për atë që e gjen.

Boll pak dëshirë, fantazi, dy muaj kohë sa të sajojmë diçka të re, një krizë apo një proces zgjedhor të brendshëm dhe e zgjidhim edhe këtë problem.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco