Para balotazhit, dy fjalë për studentin e Harvardit që dështoi në Prishtinë

Para balotazhit, dy fjalë për studentin e Harvardit që dështoi në Prishtinë

Nga Syri.net Kosova - 10/11/2021

Atë na e bëri dhuratë partia e Albin Kurtit. Çuditërisht fare pak e përmend Lidhja Demokratike në garën e fortë për Prishtinën. Me gjasë, zërat që Shpend Ahmeti&CO, në prapavijë e mbështesin fort Përparim Ramën, janë afër së vërtetës. Por, ç’rëndësi ka kjo në fund të fundit.

Tetë vjet, nën udhëheqjen e të zgjedhurit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeqyteti ynë nuk arriti ta bëjë diferencën.

Për të mos hyrë shumë në detaje, se janë stërpërsëritur, mjafton të shohim programet e kandidatëve në garë. Po të ishte i suksesshëm ky që po shkon, sigurisht programe të tjera do të kishim përpara vetes.

Aq shumë ia huqi ish-aktivisti i shoqërisë civile që u katapultua me dinakëri në politikë, saqë sot në Prishtinë, njerëzit ndiejnë nostalgji për kohën e Isa Mustafës. Ose në rastin më ironik, edhe të Ismet Beqirit.

Si student i Harvardit, sigurisht që nuk mund ta quash të pamençur Shpend Ahmetin. Zgjuarsia e tij ishte që e shfrytëzoi maksimalisht një moment dramatik zhgënjimi dhe pakënaqësie, për të përfituar mbështetjen  e LVV-së që po rritej me shpejtësi.

Një dozë edhe më të madhe inteligjence e tregoi pasi piu coca cola zero në jahtin e një biznesmeni të madh dhe u përball direkt me qortimin e Albin Kurtit.

Me elokuencë e urtësi, e tejkaloi krizën dhe e fitoi mandatin e dytë. Pjesa tjetër pastaj, është histori që e dinë të gjithë fare mirë.

Në momentin kur rrezikohej marrëdhënia e tij dhe grupit rreth Shpendit me biznesin, ai zgjodhi logon e një partie të dështuar, për të dështuar edhe vetë me të.

Por, pasojat ranë mbi njerëzit e Prishtinës, ata që jetojnë e punojnë këtu. Programi ra në ujë, premtimet i mori era.

Ca gjëra në këto tetë vjet natyrisht u bënë. Shpendi ka të drejtë kur na rrëfen me pasion për autobusët, ndonjë çerdhe apo park të vogël. Megjithatë, tërësia e qeverisje së tij, është fund e krye një dështim dhe zhgënjim i thellë.

Le të dalë dikush në Prishtinë e të thotë që sot jetojmë dukshëm më mirë këtu. As vetë përkrahësit me të flaktë të Shpendit nuk e thonë këtë.

Nëse para kohës së Shpend Ahmetit kishte një masakër urbanistike, ky vetëm sa ia zgjeroi përmasat. Nëse mbeturinat kishin pushtuar kryeqytetin deri sa erdhi ky, në dy mandate historia u përsërit pambarimisht. Nëse problemi themelor-parkingjet duhej të zgjidhej me ardhjen në pushtet të kryetarit të ri, asgjë nuk ndodhi dhe kaosi vazhdoi. Lista e dështimeve është e gjatë.

Si kuadër i Harvardit, Shpendit nuk i mungonte asnjëherë aftësia për t’u justifikuar. Kjo e ndihmoi të fitonte për pak, përballë një kandidati jo fort serioz të LDK-së në zgjedhjet e kaluara.

Ai harroi se një politikan zgjedhet nga votuesit për të zgjidhur probleme e adresuar sfida, por jo që të justifikohet për çdo gjë.

Prishtina është vatër e biznesit dhe zhvillimit, e interesave multimilionëshe. Sigurisht, diçka i ka ‘pikur’ edhe Shpendit dhe partnerëve të tij. Skandali me një projekt të madh ndërtimor të Ndërmarrjes Publike Banesore, është rasti më i freskët, ky dyshimet për një aferë të rëndë nuk mund ta lënë jashtë kryetarin e komuëns.

 Trashëgimia qeverisëse që ai la pas, është një tregim mashtrimi që kryeqyteti duhet të mos e harrojë, por të nxjerrë mësim.

Shpend Ahmeti po e kryen mandatin e dytë, pa i hyrë ‘therra në këmbë’. Muajve të fundit u shqua sidomos për analizat e tij pandemike.

Në një nga emisionet e shpeshta televizive, iu bë një ftesë publike që t’i bashkohet korit analitik kosovar, por Ahmeti reagoi me ironi, për të treguar se kapacitetet e tij janë dukshëm më lart.

Në fakt,me këtë debakël në Prishtinë, një studio normale televizive nuk do të duhej as si analist ta ftonte. Por, jetojmë në Kosovë dhe këtu çdo gjë ndodh!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco