Paturpësisht mashtrues

Paturpësisht mashtrues

Nga Donika Lamaxhema - 10/11/2021

Të shtunën mbrëma Top Channel po emetonte emisionin Përputhen.

Sikur gjithmonë, përballë njëri tjetrit në studio qëndronin disa vajza e djem të rinj, që duan të përputhen me dikë brenda formatit. Sigurisht prezente ishte Bora Zemani udhëheqësja e emisionit, Arian Konomi – opinionisti i përhershëm – dhe për habi edhe këngëtarët kosovarë Mihrije Braha dhe Naim Abazi, nga të cilët pritej të komentonin rreth raporteve të pjesëmarrësve që janë në kërkim të dashurisë. Këta të dy ishin ftuar në cilësinë e “mjeshtërve” të mbajtjes së një raporti të shëndoshë romantik.

Të gjithë ishin të kuruar deri në detaje. Shkëlqimi televiziv të merrte sytë – fustane elegante xixa-xixa e grim dramatik, papijone e flokë të rregulluara. Një set perfekt i një spektakli, ambicioz deri në maksimum për t’i argëtuar audiencat.

Dhe përderisa në fillim ata që qëndrojnë prapa ekraneve merren me vizualen, programi i tipit reality, ka rezervuar për ta shumë më shumë se aq. Me skenar, mbrëmja e bëri protagoniste Alvisa Qarrin, njërën nga pjesëmarrëset e emisionit që thotë se ka nisur një pëlqim për Bashkim Saitin, me të cilin edhe ka dalë në takime, siç e donë rregullat e spektaklit.

Për dikë që s’e ka përcjellë nga fillimi “Përputhen”, episodi i ashtuquajtur “prime” i së shtunës është kaotik. Diskutimi pamëshirshëm të rrëmbente e të fuste në vorbullën e një drame private dhe si shikues të mashtron e të jep padrejtësisht të drejtën të kesh opinion për jetën e dy të rinjve që kanë hesapet e veta.

Shkurtimisht, duhet sqaruar se çfarë kishte ndodhur në javët paraprake për ta kuptuar gjithë kaosin e së shtunës mbrëma: Alvisa Qarri kishte pasur një lidhje tri vjeçare me një djalë të quajtur Hysen Rama. Papritmas, Hyseni futet në emision përderisa pjesëmarrëse është edhe Alvisa. Pas një sherri me njërin nga pjesëmarrësit, ai largohet nga emisioni. Alvisa vazhdon të qëndrojë derisa të shtunën mbrëma Hyseni u lidh me Skype në program dhe tha se ata ishin rilidhur dhe kishin bërë plan që të bashkoheshin në përputhen dhe se Alvisa po gënjente vazhdimisht.

E akuzoi se ajo e kishte tradhtuar me Bashkimin pasi që e kishte përcjellë Alvisën dhe e kishte parë se po shkonte te shtëpia e tij. Këtu programi nis të thith edhe më shumë vëmendjen e shikuesve për të cilët e vetëm për të cilët bëhet ky emision! Meqë një publik i tërë po e përcillte konfliktin e tij me Alvisën, ai vendosi që në emision të lëshojë biseda private me Alvisën të incizuara nga vetë ai.

BOOM!

Kjo është një vepër penale.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, neni 21 “ndërhyrjet e padrejta në jetën private, vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”.

Hyseni ua tregoi të gjithë shikuesve se çfarë i kishte thënë Alvisa privatisht dhe në mirëbesim. Ai e kishte përgjuar me telefon. Kishte bërë pikërisht atë që kodi penal e cilëson si vepër të dënueshme me burgim deri në dy vjet.

Studioja e Përputhen u shfaq totalisht injorante.

Një tjetër sjellje e produksionit që të befason është heshtja karshi deklaratave të Alvisës se Hyseni ka qenë i dhunshëm me të psikologjikisht dhe fizikisht. Edhe pjesëmarrësit në studio që dukeshin si statistë e edhe hierarkia e programit ishin veshur me një heshtje, sikur po shihnin një film ku si shikues je pasiv dhe s’i reagon skenaristit e regjisorit sepse është vetëm FILM.

Reality TV pretendon ta afrojë sa më shumë publikun me eksperiencat e protagonistëve, të prezantojë pa filtra një realitet momental. Megjithatë, ky është një realitet i komercializuar.

I tërë produksioni i emisionit u përfshi në një linçim publik të një vajze e cila u bë kurbani i mbrëmjes. Bora Zemani e Arian Konomi, e kokat që qëndrojnë prapa formatit, vetëdijshëm i shtruan tapetin e kuq senzacionit që përulte Alvisën deri në shkelje të ligjit.

Alvisa edhe mund të ketë mashtruar e edhe mund t’i ketë thyer rregullat e programit, por kjo s’është e jashtëligjshme.

Studioja iu bë një sallë gjyqi asaj dhe vetëm asaj.

Situata e krijuar të shtunën mbrëma, reprezentonte shtypjen që shoqëria shqiptare u bën grave sistematikisht. Për t’i ikur formatit tradicional të programeve televizive “reality” ku zakonisht djemtë ishin qendra e vëmendjes dhe vajzat luftonin për to, në përputhen u dha hapësirë vajzave që t’i bënin zgjedhjet. Produksioni sikur donte ta zhbënte dominimin patriarkal të paktën në këtë hapësirë publike. Ama ata s’ishin gati për këtë tranzicion.

Produksioni e publiku vazhdimisht kanë hedhur para gjyqit vajzat pjesëmarrëse dhe i kanë linçuar ato. Kujtojmë Tea Trifonin që theu rregullat e emisionit, pastaj konkurrenten Iriada Shahollari e tani edhe Alvisa, u bënë tabela e pikados ku produksioni hidhte me shigjetë duke shënuar pikë diku më shumë e diku më pak.

Nëse reality TV ngrit pikëpyetje etike dhe kulturore, po ashtu flet edhe për ndryshimet që ka pësuar e po pëson industria mediatike. Siç shpjegon edhe autorja Susan Murray në librin e saj “Reality TV – Remaking Television Culture”, këto programe janë të lira për t’u prodhuar, lehtësisht të shitshme dhe nuk kërkojnë talente të jashtëzakonshme në zhvillimin e skenarit.

Investimi në prodhim të emisionit është i vogël krahasuar me profitin që vjen nga reklamat e që vijnë nga shikueshmëria e popullariteti.

Përputhen po shitet në emër të dashurisë false. Disa vajza e disa djem të rinj, ulen përballë njëri tjetrit në studio dhe duan të përputhen me dikë – ta gjejnë dashurinë. Por se me kë do të përputhen ata vendos produksioni – qoftë përkohësisht.

“Të gjithë ne kujdesemi (duke pretenduar te produksioni) që fjalori i tyre të jetë sa më i bukur”, thotë Bora Zemani diku rreth minutës 34:38 të emisionit të së shtunës.

Kjo frazë e saja e thënë në një moment kur po diskutohej se si shprehnin ndjenjat e tyre pjesëmarrësit, hedh në pah me padashje faktin që produksioni në krye me Olsa Muhameti dirigjon sjelljet dhe diskursin e pjesëmarrësve.

Reality TV por FALS.

Përputhen shpesh ka rrëshkitur në mbrojtjen e idesë se gjithçka që ndodh është origjinale dhe pa ndërhyrje “të dhunshme” nga produksioni. Bazuar në këtë, krijohet bindja që edhe mbrëmja e së shtunës kishte një planifikim strategjik. Hyseni do lidhej në emision, do lëshonte gjatë xhirimit biseda private me ish të dashurën dhe diskutimi do e linçonte Alvisën. E gjitha kjo për ta bërë jointeresanten interesante. Ky program është një produksion i lirë, i zhveshur nga etika e që tenton të prodhojë emocione të forta e njëkohësisht paturpësisht mashtrues.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco