Balotazh i ‘nxehtë’ e pret Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin e Gjakovën

Balotazh i ‘nxehtë’ e pret Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin e Gjakovën

Nga Astrit Veliqi - 07/11/2021

Prej nesër qytetarët e Kosovës do të largohen paksa nga 'monotonia' e këtyre ditëve, por jo edhe nga ngjyrat magjike të vjeshtës, e cila do të përshkruhet si një javë që na pret me plot tension, debate politike, luftë për sigurimin e votave, 'pazarllëqe postesh', premtime megalomane...e çka tjetër.

Kjo do të ndodhë prej nesër me nisjen zyrtare të fushatës zgjedhore të balotazhit, e cila do të rikthejë në skenë garën e fortë politike për të përballur edhe njëherë shumë kandidatë, në pjesën ma të madhe të vendit, e ku votimi do të kurorëzohet të dielën e 14 nëntorit.

Kjo garë e cila po zhvillohet në stinën e bukur të vjeshtës, do të sjellë edhe njëherë në mendjen dhe veshët tanë 'luftën ' e fuqishme të secilit subjekt politik, për të bërë çdo gjë të tyre për të arritur deri të fitorja.

Natyrisht gara e fortë do të sfidojë edhe personazhe dhe kandidatë seriozë të cilët me projektet e tyre, do të synohet edhe kësaj radhe të dalin sa më mirë për ta bindur  elektoratin e tyre, i cili edhe ashtu gjysma e tyre mbetet i 'fjetur', duke mos iu përgjigjur thirrjes për votim.

Përballje dhe garë interesante na pret në shumë qytete, sikur janë Prishtina, Prizreni, Gjilani, Gjakova, Podujeva, Vushtrria, Drenasi, Istogu, Shtimja, Kamenica, Kaçaniku, Fushë-Kosova, Vitia, Juniku, Rahoveci, Malisheva, Obiliqi, etj, por gara më e fuqishme padyshim do të jetë të katër komunat e para.

Prishtina, e cila si qendra më e madhe dhe si kryeqyteti domosdo do të këtë peshën ma të madhe, ku në garë janë Vetëvendosje me Arben Vitinë, ish-ministrin e Shëndetësisë dhe LDK-ja me Përparim Ramën, një arkitekt me kredo të fuqishme ndërkombëtare.

Padyshim na pret një betejë për mos të thënë një 'luftë' e ashpër për 'flamurtarin e Prishtinës', prandaj edhe interesi sikur edhe pesha politike do të jetë në garën e kryeqytetit.

Por nuk duhet harruar se garë për 'jetë a vdekje' do të zhvillohet edhe në Prizren, dikur është njohur si 'Jeruzalemi i PDK-së', derisa aktualisht qeveriset nga Mytaher Haskuka i VV-së, e që përballë do ta këtë një profesionist të PDK-së, sikur portretizohet, Shaqir Totaj.

Garë me interes do të jetë edhe në Gjilanin historik të LDK-së, ku Lutfi Haziri do të përballet pas shumë mandateve në balotazh me Alban Hysenin e Vetëvendosjes.

Natyrisht, ‘Luta’ siç njihet në opinion, do të bëjë gjithçka për ta mbajtur Gjilanin, derisa edhe Albani i VV-së po shihet si një befasi serioze në garën e ‘Anamoravës’.

Por padyshim garë mjaft interesante na pret edhe në Gjakovë, ku Ardian Gjini i AAK-së, do të luftoj ta fitoj edhe një mandat përballë Mimoza Kusarit të VV-së, e cila nga pozita e deputetes po synon një rikthim në vendlindjen e saj.

Por s’duhet lënë anash edhe komunat tjera, ku mjaft interesante pritet të jetë, sidomos edhe gara për Podujevën, Vushtrrinë, Drenasin, Istogun, Kamenicën, Vitinë, etj.

Normalisht, duke e parë edhe rezultatin në zgjedhjet e para, balotazhi padyshim që do të jetë testi më serioz për kryeministrin Albin Kurti i cili e ka peshën e madhe, për ta ri-dëshmuar mbështetjen për Vetëvendosjen, sikur në fitoren e ashtuquajtur ‘plebishitare’ të 14 shkurtit në zgjedhjet parlamentare.

Krejt në fund, vjeshta me pamjen e saj, të bukur edhe në këtë fillim nëntori na ka befasuar me ngrohtësinë e pazakontë, prandaj si duket kjo e paralajmëron se edhe ‘vjeshta politike’ do të nxehet sidomos prej nesër e kulmin do ta presim në mbrëmjen e 14 nëntorit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco