Edi Rama është injorant në histori (dhe në politikë, ekonomi e gjeopolitikë)

Edi Rama është injorant në histori (dhe në politikë, ekonomi e gjeopolitikë)

- 04/11/2021

Ai bën analogji mes problemit Serbi - Kosovë dhe problemit Gjermani - Francë në Luftën II Botërore. Dhe thotë se kërkimfalja e Gjermanisë paska ardhur vetem pas proceseve të bashkëpunimit tregtar ekonomik, 24 vite pas luftës.

Rama harron se asnjë bashkëpunim mes Gjermanisë dhe vendeve të tjera nuk u mundësua pa dënuar gjithë bashkëpunëtorët e Hitlerit. Nuk ishte Goebelsi ai që bashkëpunoi për tregti panevropiane, as ai që kërkoi falje. Ndërsa Rama po na premton që ministri i propagandës së Millosheviçit, Vuçiçi, do të na kërkoka falje “në fund të procesit”.

Nuk u mundësua bashkëpunimi ekonomik gjermano-francez pa u çarmatosur mirë Gjermania. Ndërsa Serbia e shokëve të Ramës është vendi që po armatoset më intensivisht në Ballkan, dhe para pak ditësh i solli armët kërcënueshëm në kufi të Kosovës, ndërsa po kërcënon tash seriozisht Bosnjën.
Nuk u mundësua bashkëpunimi ekonomik gjermano-francez pa u kompletuar programi i gjerë e i thellë i denazifikimit, ndërsa shoku i Ramës, Vuçiçi, ende e mburr Millosheviçin kur i jepet rasti - madje edhe në Mitrovicë.

Dhe nuk u mundësua bashkëpunimi gjermano-francez, si përfundim, pa e pushtuar Gjermaninë Perëndimore Amerika, Britania, dhe vetë Franca. Madje pati territore gjermane që u aneksuan tërësisht nga Franca për vite me radhë (protektorati i Saar-it). Ndërsa Serbia post-millosheviçiane jo vetëm që nuk u sundua nga ish-viktimat e veta, por vazhdimisht ruajti dhe forcoi levat e saj në Bosnjë e Kosovë, por edhe rrjetin e vjetër e të ri të UDB-së në Shqipëri, siç po duket.

Fatkeqësi që politika shqiptare po mbushet nga njerëz “të spektaklit”, të aftë për të aktruar e për të marrë llajka e vota, por jo edhe aq për të menduar, analizuar, kuptuar…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco