Propozim për energji nukleare Qeverisë së Kosovës

Propozim për energji nukleare Qeverisë së Kosovës

Nga Uk Lushi - 04/11/2021

Ndërsa ndotja e ambientit është duke u bërë problem ekzistencial i njerëzimit burimet dhe format e gjenerimit të energjisë së pastër do të jenë alternativat e vetme. Energjia nukleare do të jetë një ndër zgjedhjet dhe zgjidhjet adekuate. Kosova duhet të bashkangjitet në projektet që tashmë kanë filluar të realizohen në sektorin e energjisë bërthamore transatlantike.

Kosova është e pasur me thëngjill, por linjiti emiton shumë CO2 dhe si i tillë duhet të jetë vetëm një segment i miksit energjetik. Gazi natyror, edhe kur lëngëzohet, nuk është burim i pastër i energjisë ngase prodhon shumë metan dhe metani është përgjegjës për 30% të ndotjes dhe ngrohjes globale. Në miksin energjetik duhet të përfshihen edhe burimet tjera si solare, të erës dhe gjithësesi energjia nukleare.

SHBA tashmë ka filluar projekte për energjitë e pastra në Europën Qendrore dhe Lindore që  do të shkojnë në vlerë prej 23 bilionë dollarësh. Kjo është konfirmuar nga Sekretarja amerikane e Energjisë Jennifer Granholm. Shtetet e Europës Juglindore duhet të kërkojnë të përfshihen në këto projekte.

Në tetor të vitit të kaluar Polonia nënshkroi me Washingtonin marrëveshje ndërqeveritare 30 vjeçare për sektorin e energjisë bërthamore. Polonia planifikon që stacioni i parë i energjisë nukleare të fillojë prodhimin më 2033 dhe deri më 2043 prodhimi do të arrijë mes 6 dhe 9 GW. Kostoja për MW pritet të jetë 4.6 millionë euro.

Çekia dhe Sllovakia janë duke negociuar, siç janë në proces edhe 12 vende tjera pjesë e Iniciativës se Tri Detrave (Baltik, të Zi dhe Adriatik). Hungaria poashtu është duke punuar të ketë energji bërthamore, por ajo është duke bashkëpunuar me Rosatomin e Moskës. 

Qeveria e Kosovës duhet të fillojë bisedat me shtetin amerikan (US Trade Development Agency) sa më shpejtë si dhe me kompaninë amerikane Westinghouse, e cila është operatorja e më shumë se gjysmës së reaktorëve nuklearë në botë. Procesi i ndërtimit të kapaciteteve nukelare civile merr me vite e shpesh edhe dekada, prandaj puna duhet nisur sa më parë.
Energjia nukleare përveç se është e pastër, ajo Kosovës do t'i sigurojë pavarësi energjetike dhe do ta shndërrojë shtetin në eksportues të elektricitetit.

Teknologjia amerikane dhe pozicioni i Kosovës janë kombinim i mrekullueshëm për një ndërmarrje win-win për Amerikën dhe Kosovën. Gazin natyror mund ta ndalin te burimi, energjinë bërthamore s'mund ta ndal askush sepse ajo do të kontrollohet nga Kosova.

Për më shumë mund të mësohet nga qeveria amerikane këtu:

https://www.energy.gov/ia/partnership-transatlantic-energy-and-climate-cooperation-p-tecc?fbclid=IwAR1IsfxpUlMwTkct8O6OXGbbuzE7DeWfy6WvMB17SVfFZkEwan04CsDxyLo

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco