Kosova mes Skilles dhe Karibdes

Kosova mes Skilles dhe Karibdes

Nga Enver Robelli - 03/11/2021
Intelektualët nacionalistë serbë e kanë ditur se, herët apo vonë, sundimi i Serbisë në Kosovë do të marrë fund. Për shkak të zullumit të madh. Andaj që në vitet 90-të qarqet nacionaliste nga Akademia e Shkencave, Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë etj., propozonin ndarjen e Kosovës. Kur dëbimi i Serbisë nga Kosova më 1999 u bë realitet, ideja e ndarjes së Kosovës u shndërrua në politikë shtetërore.
Trazirat e vitit 2004 në Kosovë kanë qenë edhe një përpjekje e qarqeve politiko-kriminale të Kosovës dhe Serbisë për të nisur ndarjen e Kosovës. Ndarja nuk u arrit, por trazirat i dhanë një argument Serbisë për të vajtuar se serbët në Kosovë janë në rrezik ekzistencial. Kështu Perëndimi pranoi që në kuadër të pavarësimit të Kosovës, pakica serbe faktikisht të fitojë çdokund një komunë më vete dhe të marrë kompetenca të gjëra autonome. Nga përbetimi për ndërtim të një shteti multietnik u kalua në projektin e etnizimit të çdo gjëje. Serbin duhet ta gjykojë gjykatësi serb. Drejtorin e policisë nuk mund ta caktojë ministria e Brendshme pa miratimin e komunës serbe. Etj.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, liderët serbë filluan të kërkojnë partnerë në Prishtinë për ndarjen e Kosovës. Hap pas hapi ata gjetën partnerë - në Prishtinë dhe Tiranë. Ndryshimi i kufijve është "një punë e natyrshme" (thoshte lideri nga Tirana). Me "korrigjimin e kufijve" Kosova "ia kthen Serbisë dhuratën e Rankoviqit" (thoshte lideri nga Prishtina). Kështu, me ndihmën e "strategëve" shqiptarë, Serbia e futi në diskursin e politikës ndërkombëtare prishjen e kufijve në Ballkan. Ideja hasi në përkrahje të heshtur apo të hapur në disa kryeqytete perëndimore dhe te lobistët e paguar mirë.
Ndonëse ideja u bllokua (para së gjithash shkaku i Berlinit dhe Londrës), ajo s'ka vdekur. Me tensionimin e gjendjes në Bosnjë nga nacionalistët serbë, në të vërtetë mbahet gjallë EDHE ideja për ndarjen e Kosovës. Fundja, prishja e kufijve të Kosovës do të ishte vetëm uvertyrë për t'i mundësuar Serbisë marshimin drejt Bosnjës dhe Malit të Zi, sa për fillim.
Rrallëherë në histori politikanët shqiptarë syhapur kanë rënë në grackën e Serbisë siç ka ndodhur viteve të fundit. Për interesa të kujt e kanë bërë këtë? Paralelisht me joshjen e disa politikanëve shqiptarë për ndarjen e Kosovës, Serbia ka arritur të nxjerrë nga negociatat asociacionin e komunave serbe. Tash Kosova gjendet para alternativës: kolerën apo murtajën? Si të merret vendimi mes Skillës dhe Karidbës?
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco