Shqipëria ka parti të kryetarëve, e jo kryetarë të partive

Shqipëria ka parti të kryetarëve, e jo kryetarë të partive

Nga Kim Mehmeti - 02/11/2021
Mediat e Shqipërisë vazhdojnë të merren me ‘çudinë’ e dorëheqjes së Kryeministrit të Maqedonisë, partia e të cilit humbi në zgjedhjet vendore. Pra demokratët e Shqipërisë, në njëfarë mënyre, janë ‘mrekulluar’ nga një akte që duhej të ishte i natyrshëm në një shoqëri shumë partiake, e ku i pari i partisë mbanë mbi kokë diademën e lavdisë së fitoreve por edhe njollën e turpit në ballë të humbjeve.
Shqipëria ‘habitet’ nga sjellja më e natyrshme e kryetarit të një partie humbëse në zgjedhjet vendore sepse demokracia e ‘mëmëdheut’ ndërtohet sipas mendësisë enveriste e cila thotë se lavdia e fitoreve i takon prijësit, e turpi i humbjeve popullit dhe armikut. .
Dhe ndoshta, mediat e mëmëdheut, merren me dorëheqjen e Kryeministrit të Maqedonisë për t’ua rikujtuar drejtuesve të atjeshëm partiak si duhet vepruar pas humbjeve e fitoreve, por duke harruar se Shqipëria e sotme në masë të madhe ende ‘sundohet’ nga Partia e Punës, por e shpërndarë në më shumë pjesë.
E përderisa mediat e Shqipërisë merren me zgjedhjet vendore në Maqedoni, Piktori vazhdon ta shtyjë përpara idenë serbe për ‘Ballkanin e hapur’, duke e ditur se vetëm zhurma mediatike rreth këtij projekti, atij ia mbulon mendësinë e mbyllur enveriste dhe kriminalizimin e Shqipërisë.
Dhe gjithashtu, përderisa Piktori u mbetet besnik projekteve rajonale që do duhej t’ia mbulonin krimin e turpin lokal, Doktori vazhdon me ‘Foltoret’ ku thuhen shumë nga ato që janë heshtur gjatë tridhjetë viteve të shkuara.
Kur jemi te ‘Foltoret’ duhet thënë hapur se ato janë mburrja e Doktorit dhe turpi i PD-së. Janë mburrja e Doktorit sepse ato dëshmojnë që ai ishte dhe mbeti figura më e shquar politike e kësaj partie dhe, ato janë turpi i PD-së sepse tregojnë që edhe pas tridhjetë viteve, kjo parti nuk prodhoi një elitë të re politike që do mund ta zëvendësonte atë të dalë nga shtrati ideologjik i Enverit.
Dhe gjitha këto së bashku, pra si veprimi global i hajdutëve lokal të ‘Rilindjes’, po ashtu edhe ‘Foltoret’ e Doktorit, nëpërmjet të cilave ai e ‘ekzekuton’ të 'birin' të cilit më së shumti ia çmonte dëgjueshmërinë ndaj më të fortit, tregojnë se në Shqipëria ka parti të kryetarëve, e jo kryetarë të partive.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco