Kosova përkrah foltoret e Sali Berishës

Kosova përkrah foltoret e Sali Berishës

Nga Enver Bytyçi - 02/11/2021

Diku nga viti 2000 Hashim Thaçi erdhi në Tiranë për vizitë zyrtare. Përveç personaliteteve të tjera Thaçi takoi edhe kreun e opozitës, Sali Berishen. Shoqërohej nga Veton Surroi. Pas takimit me Doktor Berishën ata zbrisnin shkalleve te selisë e PD-së nga kati i dyte dhe Hashimi po i thoshte Vetonit fjalë për fjalë kësisoj:

 "Këtu në Shqipëri vetëm me Berishën mund të flasësh seriozisht e të merresh vesh“! Zoti Thaçi aso kohe ishte kryetar i PDK-së dhe në Tiranë kishte takuar presidentin Meidani, kryeministrin Meta dhe kreun e PS-së, Nano. Por kur doli nga zyra e Berishës ishte i sugjestionuar aq shumë sa nuk mund ta mbante entuziazmin për bisedën e ngrohtë dhe të sinqertë me zotin Berisha, madje duke vënë në dukje diferencën e tij ndaj politikanëve tjerë, të deklaruar si miq e bashkëpunëtorë të vetë Hashim Thaçit!” Me këtë rrëfenjë të një bisede që e kam dëgjuar vetë, pasi u ndodha dy hapa pas tyre duke zbritur shkallët e PD-së, dua të them se edhe kundërshtarët e Doktorit në Kosovë e kudo nuk kanë mundur të mohojnë vlerat që përfaqëson lideri historik i Partisë Demokratike. Për këtë arsye jam i bindur se opinioni publik në Kosovë e përkrah pa rezerva foltoren e zotit Berisha! Në fund të fundit të gjithë pajtohemi me faktin se tranzicioni shqiptar post-komunist nuk mundi të prodhojë një lider politik më të arrirë se Sali Berishën.

Pas dorëheqjes së tij në fund të qershorit 2013 pritej që dikush të niste një epokë të re post-Berishë. Por nuk ndodhi kështu. Klasa politike, majtas dhe djathtas, ngeli peng i platformave anti-kombëtare e disa raste anti-njerëzore. Disa përpjekje që u bënë për të krijuar ndonjë lëvizje të re, të reklamuar si politikë e re, rezultuan si manipulime të qeverisjes perverse në Shqipëri. Ndaj nuk ngjitën. Pasardhësi I zotit Berisha, zoti Basha, me mbështetjen e liderit historik dhe të demokratëve u proklamua si lidership modern, duke dashur që ta paraqisnim ndryshe nga rivali I tij, Edi Rama. Por ai dështoi në çdo iniciativë dhe aksion politik, përveç dekriminalizimit të politikës. Humbi të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në këto tetë vite. D.m.th rezultoi edhe ai shumë më I dobët si lider, sesa Sali Berisha.

Por shqiptarët në Kosovë e ndjekin me interes foltoren dhe Sali Berishën për shkak të qëndrimeve të vazhdueshme të tyre pro Kosovës dhe pro interesave të kombit shqiptar në rajon. Jam I bindur se foltorja e sotme shihet si burim energjie jo vetëm për Partinë Demokratike dhe shtetin shqiptar, por edhe për interesin shqiptar në rajon e sidomos të Kosovës. Sali Berisha shihet nga shqiptarët e Kosovës si lideri politik më i përkushtuar në mbrojtje të së drejtës së tyre.

Mjafton një fakt: Të gjithë në Kosovë e dinë deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuciq, në prag të zgjedhjeve elektorale të 25 prillit në Shqipëri mori në mbrojtje të fitores së Edi Ramës dhe etiketoi me egërsi kundër Sali Berishës! Madje ai u përpoq të nxisë përçarje kombëtare midis Jugut dhe Veriut të vendit. Ky sulm I Beogradit kundër Berishës në mbrojtje të Ramës është i mjaftueshëm për ta parë Kosovën të pozicionuar pro-foltores dhe liderit historik të PD-së. Ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë Lulzim Basha është asocuar me Sali Berishën. Ky asocim ka bërë që Basha të respektohet në Kosovë.

Por divorci i tij me liderin historik të partisë që Basha ende drejton e ka bërë atë të pabesueshëm e për pasojë të parespektueshëm në Kosovë. Kosova, ndryshe nga një pjesë e madhe e shqiptarëve në Shqipëri, nuk pajtohet me qëndrime të tilla të intrigës që Basha përdori kundër Berishës. Ndërkaq Kosova ka shumë interes ta shohë Partinë Demokratike të Shqipërisë në pushtet. Njerëzit në Kosovë janë racionalë. Ata bëjnë krahasimin midis politikanëve dhe liderëve në Shqipëri. Ngado që ta marrësh Kosova dëshiron më mirë Sali Berishën, sesa Edi Ramën. Më mirë Sali Berishën sesa Lulzim Bashën. Sepse as Edi Rama, as Lulzim Basha nuk mundën të arrijnë standardin e tij në qeverisjen e vendit apo në drejtimin e partisë.

Gjërat janë shumë të thjeshta: U provuan tetë vite, Rama në krye të shtetit e Bashan ë krye të partisë. Rama nuk mundi të japë ndonjë produkt qeverisjeje të përafërt me atë të Sali Berishës. Po ashtu Basha nuk mundi të arrijë fitore elektorale si ato të Berishës. Megjithatë, e përsëris, Kosova e mbështet foltoren dhe Berishën më së shumti për karakterin dhe kontributet e parimet kombëtare nga të cilat ai udhëhiqet!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco