Varfërimi nuk është ndryshe, buka në Kosovë më shtrenjtë se në Francë

Varfërimi nuk është ndryshe, buka në Kosovë më shtrenjtë se në Francë

Nga Syri.net Kosova - 25/10/2021

Në Kosovë po shtrenjtohen çmimet, ndërsa tregtarët abuzojnë e shteti nuk arrin të veprojë, duke u thirrur në ekonominë e tregut. Nga ana tjetër, rritja në tregun kosovar nuk e reflekton rritjen në vendet e BE-së.

Një krahasim i thjeshtë, është te çmimi i bukës, një produkt i përditshëm në tryezat e njerëzve në Kosovë.

Buka ne Kosovë ka një çmim 0.50€ gjatë kësaj periudhe kur çmimet janë rritur. Ndërkohë, dihet se rroga mesatare është rreth 416.00€ (neto). Por, ç’ndodh në vendet e BE-së ?

Buka në Francë është 1.00€ (ka edhe më lire, edhe më shtrenjte). Ndërsa rroga mesatare atje 2400.00€ (neto).

Në bazë të kësaj, buka në Kosovë është rreth 3 herë më shtrenjtë se në Francë.

Kështu ndodh edhe me plot çmime të produkteve të tjera. Ndërsa të ardhurat kanë mbetur të ulëta apo edhe më të ulëta se që kanë qenë më herët, çmimet janë rritur së tepërmi. Duke e shtrenjtuar koston e jetesës.

Kosova po varfërohet, pavarësisht mburrjes së qeverisë me rritjen e madhe ekonomike.

Për sa kohë, në xhepin e qytetarëve, ka më pak të ardhura, nuk mund të bëhet fjalë për rritje të mirëqënies ekonomike.

Pakot e deritashme, masat në kuadër të planeve për ringjalljen ekonomie janë infusion i pamjaftueshëm financiar.

Qeveria do të duhej të gjente mënyrë dhe fonde për t’u ardhur në ndihmë, sidomos kategorive më të rrezikuara.

Nëse rritja e çmimeve do të vazhdohë në këtë trend dramatik, shumë shpejt, nuk do të kemi as shtresë të mesme në Kosovë, por vetëm një grup të vogël që ka miliarda, e të tjerët që mezi e kapërcejnë muajin.

Deri tani, nga qeveria e Albin Kurtit, edhe pse një qeveri e majtë, nuk shihet në horizont ndonjë zgjidhje fatlume për t’i bërë ballë krizës së rëndë ekonomike.

Me disa parashikime të Bankës Botërore, nuk mund të mashtrohet qytetari kosovar, që e vuan mbi kurrizin e tij rritjen e kostos së jetesës.

Nëse qeveria nuk arrin të tërheqë investime serioze e të mbështesë më tepër popullatën, presioni social do të shtohet dhe një ditë askush të mos çuditet kur t’i shohë njerëzit në rrugë duke protestuar.

Edhe pse deri tani, rrallëherë protestoi dikush për shtrenjtimin abuziv të çmimeve, durimit po i vjen fundi dhe vetëdija shoqërore do të ngritet.

Pagat në Kosovë nuk lëvizin që prej vitesh. Duket ironike, por që prej se i rriti Hashi Thaçi, në sektorin public ashtu kanë mbetur.

Ndërsa në atë privat, krizë pas krize, vështirë se po e merr veten, e si rrjedhojë, më tepër preferohet puna në sektorin publik ku ka siguri më të madhe, sesa në privat, ku e kanë gjithnjë e më zor të gjejnë punëtorë.

Sfida ekonomike, është sfida kyçe për qeverinë e Kosovës. Në këta tetë muaj, disa tregues mund të jenë pozitivë, nga ATK e Doganat apo BB, megjithatë, treguesi real është fundi i muajit në secilën familje kosovare. Ky bilanc, i rrëzon të gjitha ekspertizat e secilës qeveri, sepse është i vërtetë dhe nuk kontestohet dot.

Kosova mbetet vendi m e GDP-në për kokë banori, më të ulëtin në rajon dhe na duhet shumë punë, për të mbërritur nivele më të larta.

Me një ekonomi, ku ende shteti qeveris me dorë të fortë dhjetëra ndërmarrje, shpresat janë të vakëta për të parë një bum zhvillimor.

Nëse qeveritë e tjera i ka rrëzuar dialogu, qeverinë e Albin Kurtit mund ta rrëzojë kriza ekonomiko-sociale që ka përfshirë vendin, në rast se nuk arrin t'u vijë në ndihmë popullatës që po varfërohet.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco