Dita ‘D’ e balotazhit, apo një vjeshtë e ‘nxehtë’ politike

Dita ‘D’ e balotazhit, apo një vjeshtë e ‘nxehtë’ politike

Nga Astrit Veliqi - 24/10/2021

Tashmë kemi hyrë në stinën e bukur të vjeshtës, e cila si gjithmonë na mrekullon me ngjyrat e saj magjike, por përveç si kohë kalendarike, jemi edhe në 'vjeshtën' politike e cila si duket gjithnjë e më shumë pritet të bëhet me e 'nxehtë'.

Kjo stinë vjeshtake, me zgjedhjet e 17 tetorit na tregoi se sovrani po tregon vetëdije të lartë, duke i ndëshkuar me votë edhe ata që më herët i ka votuar, ngase si duket është ndarë i zhgënjyer nga qeverisja e tyre.

Kjo ka ndodhur për pak kohë, dhe si fluks bore, entuziazmi i ndryshimit të madh të 14 shkurtit, u shkri në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Ngjyrat e vjeshtës politike na kujtojnë pak titullin e një romani të njohur humoristik të Dritëro Agollit ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’.

Ku për koalicionin në pushtet zgjedhjet lokale të së dielës treguan rënien e shpejtë e cila edhe nga shumëkush nuk është pritur. 

Por si ngritja e Vetëvendosjes dhe e ‘Guxo’ e cila ishte e fuqishme me 14 shkurt, edhe rënia e tyre ishte e shpejtë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

E si për çudi, nga një rezultat i tillë kanë ndikuar shumë faktorë, por partitë pothuaj janë të njëjta të gjitha, vetëm ngjyrën e ndërrojnë në momentin që e provojnë ‘kolltukun’ e pushtetit.

Edhe partia e cila po qeverisë me vendin, përkundër se promovohet si e pastër, nuk është se tregoi shumë nga vetja, me një qeverisje bukur të brishtë, pa impakt të madh në ekonomi, me shkarkime e ngarkime të bordeve të pavarura me ‘militant politik’, e me ‘entuziazëm’ të madh për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

E krejt kjo pamje qeverisëse si duket deri diku është konvertuar edhe në votën qytetare, me 17 tetor, kur VV, doli keq nga rezultatet e para, duke mos fituar asnjë komunë madje as kryeqytetin me ish-ministrin e vonuar të shëndetësisë, Arben Vitinë.

Derisa krahasuar, me këtë të fundit, partitë opozitare, sikur janë PDK, LDK por edhe AAK kanë dalë me rezultate më të kënaqshme.

Por ende nuk ka përfunduar gjithçka, ngase testi serioz i VV-së, në ‘luftë’ me partitë opozitare, do të jetë balotazhi i cili pritet të bëjë edhe më të ‘nxehtë’ jo vetëm stinën kalendarike por edhe atë politike.

Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Vushtrria, Fushë Kosova, Drenasi, Juniku, Kamenica, Shtimja, Obiliqi, Istogu, etj, do të jenë komunat për të cilat do të bëhet ‘luftë’ e madhe për çdo votë.

Andaj 14 nëntori edhe njëherë pritet t’i ndez motorët e partive politike, duke treguar secila forcën e tyre politike, edhe në nivelin lokal, duke e ngrohur edhe më shumë skenën politike, ngase në balotazh janë përball njëri-tjetrit vetëm dy kandidatë.

E pikërisht 14 nëntori, dita e ‘B’  e balotazhit do të jetë padyshim edhe testi më serioz veçanërisht për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen për të parë se a do ta ri-dëshmoi fitoren edhe në nivel lokal, sikur në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Pritjet por edhe zhgënjimet po rriten, prandaj, se kush e si do të festoj të dielën e 14 nëntorit, e cila do të jetë edhe dita ‘D’ për demokracinë, do ta mësojmë dikur vonë, po atë ditë në mbrëmje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco