A e ka seriozisht Albin Kurti luftimin e krimit?

A e ka seriozisht Albin Kurti luftimin e krimit?

Nga Syri.net Kosova - 21/10/2021

Xhelal  Sveçla me siguri duhet t’i ketë treguar shefit të tij, se pak para zgjedhjeve të së dielës, një nga emrat e njohur të botës së krimit, u lirua nga autoritetet e drejtësisë kosovare.

Apo, ndoshta edhe nuk e ka informuar fare Ministri i Brendshëm, kryeministrin. Enver Sekiraça është i akuzuar për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza.

Albin Kurti, të mërkurën ishte në Trepçë dhe përcolli mesazhe të forta kundër bandave. Nëse kemi besim te kjo qeveri, atëherë duhet të presim një standard të ri ndaj organizatave kriminale dhe individëve të inkriminuar.

Por, tetë muaj nga ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje, kjo përballje me krimin është ende e zbehtë.

Kurti me partnerët e tij, mund të mburren se larguan nga pushteti regjimin e vjetër, që bleu falë prona publike, shpërdoroi buxhete qindra milionëshe, instaloi nepotizëm e korrupsion në zyrat shtetërore, megjithatë rezultate serioze nuk ka deri tani.

Ndoshta i duhet kohë ende dhe e ka në dispozicion, 3 vjet e 4 muaj. Fillimi i mbarë është gjysma e punës. Se sa ishte ky fillim i mbarë, në një farë mënyrë e treguan votuesit me 17 tetor, pavarësisht se janë zgjedhje lokale dhe ekspertët e numrave në Vetëvendosje, nuk duan t’i përziejnë algoritmat lokalë me matematikat e nivelit qendror.

Një makineri e tërë shtetërore, administrata, kompanitë publike, Agjencitë e pavarura, mbetet në duart e strukturave që kanë krijuar qeveritë e kaluara.

Në zyrat e prokurimit, janë po të njëjtit menaxherë që kanë vërtitur çdo vit, sipas shijes së shefave, tenderët mesatarisht deri  700 milionë euro.

Në Prokurorinë Speciale të Kosovës nuk ngurrojnë ta pranojnë se nuk ka tender në vend, pa hajni. Ky, natyrisht nuk është lajm.

Lajmi deri tani, është se hajnat nuk po përballen me drejtësinë.

Pushteti i Vetëvendosjes ka tetë muaj që nuk arrin të vendosë rend e rregull e ta kthejë shpresën në kompani publike si PTK e Trepça, apo plot të tjera, shumica e të cilave operojnë me humbje dhe janë barrë e buxhetit, ndërkohë që menaxhmentet e tyre shpërblehen me paga të majme.

Partia e Albin Kurtit, që kishte premtuar rend dhe rregull në transmetuesin publik, ku shpërdorohet dhe abuzohet sistematikisht, nuk po guxon të bëjë asgjë për të ndalur, atë që Kurti preferon ta quajë-gjakderdhjen financiare.

Të vendosësh rend dhe rregull duhet guxim dhe vendosmëri. Nuk po shihet as guximi, e as vendosmëria. Aksione policore apo spektakle policore, mund të shohim edhe javëve e muajve të ardhshëm, por sa vlejnë ato, kur kokat e krimit mbajnë pozitat dhe shijonë frytët e hajnisë së buxhetit të shtetit.

Albin Kurti nuk është as prokuror e as gjykatës, por e ka marrë besimin plebishitar të njerëzve në Kosovë, që të vendosë rend dhe rregull së pari. Edhe një Vetting që e nisi, po ia konteston Bashkimi Evropian.

Pushteti i ri me një fjalë po frymon mbi garniturën e vjetër, që ka lëshuar rrënjë kudo, edhe në skutën më të harruar të shtetit.

‘Hekuri rrihet sa është i nxehtë’, por duket se pushtetarëve të rinj nuk po u ngutet dhe aq.

Dalëngadalë, ‘kameleonët’ do t’i përshtaten edhe preferencave të Kurtit&CO. Pakurrizorët e servilët, nuk e kanë problem tavolinën ku shërbejnë.

A e ka seriozisht Albin Kurti luftimin e krimit? Nëse po, së paku këta që dihen botërisht që janë të inkriminuar, janë pasuruar duke zhvatur pasurinë publike, duhet të përballen me drejtësinë dhe të largohen nga pozitat shtetërore e publike që vazhdojnë t’i  mbajnë.

Përndryshe, cili ishte kuptimi i ‘referendumit’ të 14 shkurtit?

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco