Pas humbjes 9 me 0, balotazhi shansi i dytë për rikuperimin e Vetëvendosjes

Pas humbjes 9 me 0, balotazhi shansi i dytë për rikuperimin e Vetëvendosjes

Nga Syri.net Kosova - 20/10/2021

Përtej numrave dhe krahasimeve, faktet janë të qarta për raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Opozita ka marrë pushtetin në nëntë komuna, ndërsa partia në pushtet, asnjë, por prin në disa drejt një balotazhi ku do të përcaktohet fituesi i vërtetë.

Gara pra, është e hapur dhe nëse partia e Albin Kurtit ia del të triumfojë së paku në tri komunat e mëdha, Prishtinë, Prizren dhe Gjilan, do të arrijë ta lërë pas shijen e pakëndshme të 17 tetorit.

 Krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale, ka një rritje të ndjeshme të votës në komuna për Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa LDK ende nuk e ka bërë rikuperimin e plotë, PDK ka ruajtur shifrat, kurse AAK ka shënuar rënie.

Por, krahasimi me 14 shkurtin, pa diskutim e ka “shfryrë” fitoren e madhe me mbi 50 për qind të LVV-së. Siç e pohoi vetë Kurti, një listë si ajo me Vjosën e Glaukun, është e papërsëritshme. Në fakt, përveç listës, edhe momenti i tillë ishte atëherë dhe tani Vetëvendosje ka rënë me këmbë në tokë.

Balotazhi i përballjeve të forta, është sfidues për sjelljen e partive kosovare, aq më tepër kur shihet një rivalitet i ashpër,  me dallime të vogla në vota.

Zakonisht, balotazhet janë periudhë pazaresh, që në vend të nxitjes së legjitimitetit, synojnë devijimin e vullnetit të votuesve. Partitë mirë do ishte që t’ua linin votuesve në vullnetin e tyre, se kënd do ta mbështesin në balotazh, pa e imponuar kandidatin.

Në këtë mënyrë, do të kishim edhe fitues realë dhe jo të varur nga pazaret partiake.

Gjithsesi, koalicionet e heshtura ndodhin gjithnjë dhe pavarësisht dalin apo jo me një qëndrim publik, partitë që mund të jenë përcaktuese në raundin e dytë, i bëjnë hesapet sipas interesave të tyre dhe e orientojnë votën andej nga u del hesapi.

Parimisht, aty ku është i nevojshëm ndryshimi, do të duhej të votoheshin kandidatët që japin shpresë për qeverisje të re. Në frymën e rezultateve të 17 tetorit, edhe balotazhi mund të sjellë disa ndryshime në komuna.

Elektorati është vetëdijësuar tashmë dhe nuk fal më.

Ky është ndër tiparet më të rëndësishme të demokracisë së re në Kosovë. Askush nuk e ka të sigurt pushtetin, pavarësisht profilit, karizmës, ndershmërisë apo kauzës së ndjekur.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco