Partitë e shqiptarëve të Maqedonisë janë si vëllazëri e motrave të përdala!

Partitë e shqiptarëve të Maqedonisë janë si vëllazëri e motrave të përdala!

Nga Kim Mehmeti - 20/10/2021

Zgjedhjet e fundit vendore në Maqedoni dëshmuan diçka që pa dyshim nuk na pëlqen, por që duhet ta pranojmë ne shqiptarët e Maqedonisë: se maqedonasit kanë parti opozitare, ideologjikisht të profilizuara, me çka edhe ia dolën ta dënojnë gënjeshtarin laraman që ndërton ‘Maqedoni për të gjithë’ hajdutët e LSDM-së dhe BDI-së , e ne shqiptarët mbetëm të përpëlitemi në baltën dhe plehun e qelbur politik që na e ngjeshin leninistët e BDI-së!

Mos vallë kjo ndodh pse ne shqiptarët jemi më të ‘paedukuar’ politikisht, apo pse – hiqe ‘Alternativën’ - partitë tona opozitare janë pjellë dhe mbeturina të BDI-së e PDSh-së?

Apo pse ideologji dhe koncept të vetëm politik kemi ardhjen me çdo kusht në pushtet, duke u ‘vëllazëruar’ me partitë maqedonase sipas logjikës së prostitutës – mos pyet kush është myshteriu, por shih se sa të paguan!

Pa dyshim se është e padrejtë që për gjithë këtë mjerim tonin politik të fajësohen vetëm partitë politike, sepse neve shqiptarëve të Maqedonisë na mungojnë edhe elitat tjera, që e përbëjnë boshtin kurrizorë të një etnie e të një shoqërie.

Pra neve na ndodh të na shtohen universitetet dhe doktorët e shkencave, por të na rritet edhe numri i analfabet të diplomuar, neve na shtohen partitë opozitare, por së bashku me to edhe numri i atyre që e shesin edhe qumështin e nënës për një kolltuk qeveritarë!

Shkurt e shqip: maqedonasit kanë dy parti të profilizuara që nuk ia falin mëkatet njëra tjetrës, siç bëri kësaj radhe VMRO-DPMNE’ja që i dënoi demagogët e specaxhiut nga Strumica.

Ndërkaq ne shqiptarët e Maqedonisë , mbetëm peng të partive, të cilat thuajse me asgjë nuk dallojnë nga njëra tjetra, të cilat janë si motra të një gjaku, motra të përdala, të cilat kur kthehen në familje (kur janë në opozitë) aktrojnë se kujdesen për nderin e shtëpisë, e posa i merr me veturë ndonjëri që u ofron kënaqësi dhe jetë të begatë (kur bëhen pjesë e koalicionit qeveritar), ato harrojnë se me sjelljen e tyre e dëmtojnë dhe e turpërojnë tërë fisin!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco