Një kartel, një parti, një (pu)shtet

Një kartel, një parti, një (pu)shtet

Nga Arbër Zaimi - 19/10/2021

Në Serbi opozita është dobësuar shumë dhe është gati inekzistente. Përqendrimi i kapitalit në pak duar, dhe monopolizimi e oligarkizimi i ekonomisë, nuk ka nevojë për dy-tre parti, por vetëm për një. 

Burimet financiare janë të gjitha të kontrolluara nga pushteti, dhe ndonjë oligark që ka guxuar të financojë ndonjë parti opozitare, ka shkuar dy-tre muaj në burg e pastaj nuk e ka çuar më në kokë atë mendim. Kuptohet, edhe mediat e shoqëria civile shërbejnë sa për dekor, ndërsa mafia e shërbimet sekrete bashkëveprojnë kur duhet të ndalet ndonjë “rrezik shtetëror”. 

Pranë udhëheqësit legjendar vendosen një sërë teknokratësh, siç është kryeministrja aktuale e Serbisë. Teknokratët janë njerëz pa peshë elektorale e pa orientim politik, të cilët shërbejnë për ta bërë më efikas pushtetin, për t’ia zbardhur atij fytyrën, por edhe për të marrë përsipër faje, kur është nevoja.

Në Shqipëri punët po shkojnë në të njëjtin drejtim. Monopolet ekonomike e oligarkët nuk kanë nevojë për pluralizëm ekonomik, e jo vetëm që goditet e përçahet opozita, por goditet edhe çdo zë kritik brenda partisë. Edhe udhëheqësi legjendar i Shqipërisë rigorozisht largon personat politikë dhe afron garda (apo gardhe) teknokratësh, të cilët pasi i shtrydh si limon, i flak tej pa pësuar ndonjë kosto.
Monopoli krijon kushtet për monizëm dhe forcon figurën e njëshit, ashtu siç konkurrenca e pluraliteti ekonomik krijon kushtet për pluralizëm.

Zgjerimi ballkanik i oligarkëve, ku ata të Serbisë prej vitesh janë zgjeruar në Shqipëri e rajon, si dhe ata të Shqipërisë në Serbi e rajon, prodhojnë kushtet për bashkim rajonal jodemokratik, siç është Open Balkan. 

Ashtu siç ndodhin “mergers” ku kompani të mëdha shkrihen në një të vetme për të rritur fitimin e pronarëve, ashtu edhe Open Balkan është hapi i radhës për monistizimin ekonomiko-politik të Ballkanit. Oligarkët e monopolistët ballkanas jo vetëm që s’kanë nevojë për sistem shumëpartiak, por s’kanë nevojë as për Ballkan shumështetëror.

Këtë skemë e pengon ende Vetëvendosja në Kosovë, e pengon opozita patriotike shqiptare në Maqedoni, e pengojnë partitë pro-pavarësi në Mal të Zi, si dhe partitë boshnjake që dënojnë gjenocidin serb. E pengon kuptohet edhe çdo forcim i opozitave të vërteta në Serbi e Shqipëri, por vështirë është ajo punë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco