Qëndrimi i Muhammedit s.a.v.s. ndaj grave

Qëndrimi i Muhammedit s.a.v.s. ndaj grave

Nga Besa Ismaili - 19/10/2021

Eksploatimi sistematik i grave përmes mohimit të të drejtave të tyre për jetë, arsim, trashëgimi, liri të shprehjes dhe lëvizjes, mohimi i të drejtave të tyre politike dhe arritjes së shanseve ekonomike, ngufatja e tyre intelektuale dhe shpirtërore dhe ajo më e rënda - infanticidi femëror - ishin vetëm disa nga mënyrat e jetesës në shoqërinë paraislame të arabëve në të cilën lindi i Dërguari i Allahut , Muhamedi s.a.v.s.

Ishte kjo shoqëri që po funksiononte në bazë të sistemit të traditave, dokeve, zakoneve fisnore, e zhytur në idhujtari e besëtytni. Të tilla ishin të gjitha shoqëritë e asaj kohe dhe para saj si ajo greke, romake persiane, hindu etj.

Gratë ishin në gjendje të mjerueshme pa qenë asnjëherë në pozitë të protestojnë, kundërshtojnë. Gratë (që kishin fatin të mos jenë të varrosura që në lindje pse kishin lindur vajza) nuk kishin të drejtë arsimimi, martesë/shkurorëzimi me pëlqimin e saj, nuk trashëgojnë, nuk gëzonin fitimet e punës së saj, nuk pyeteshin për fëmijët e tyre, rriheshin dhe vriteshin pa dhënë kush llogari për to, jepeshin, shiteshin dhe shkëmbeheshin varësisht nga teket e të tjerëve. Nuk pati asnjë njeri që të bënte diçka për to dhe asnjë zhvillim në shoqëri që do të zbuste sado pak dhembjet dhe të vuajtjet e tyre.

Pastaj erdhi Muhamedi.

Shfaqja e Muhamedit në këtë shoqëri, respektivisht shpallja hyjnore me të cilën u obligua shënon një kthesë esenciale, një ndryshim historik në pozitën e grave.

Muhamedi s.a.v.s po thërriste për barazi mes burrave dhe grave, për ndjeshmëri dhe respekt ndaj tyre, po apelonte tek njerëzit që të kenë frikë Zotin për ato që po bënin/nuk po bënin ndaj grave.

Muhammedi s.a.v.s përmes shpalljes Hyjnore të Islamit vendosi dhe sistemoi të gjitha të drejtat, obligimet dhe përgjegjësit që do ngritin gruan në statusin fisnik të saj që ajo meritonte. Status ky që nuk u arrit në asnjë sistem tjetër më parë apo më pas.

Muhamedi s.a.v.s u mësoi prindërve të vajzave që nëse kujdesen mirë për to dhe i edukojnë siç duhet do të jenë në xhenet; nëse u flasin mirë atyre, ato do të flasin mirë për ta në Ditën e Gjykimit. Muhamedi s.a.v.s u mësoi njerëzve që xheneti është nën këmbët e nënave të tyre. Muhamedi s.a.v.s i mësoi njerëzit të mos bëjnë dallime mes fëmijëve të tyre as sa një hurmë. Muhamedi s.a.v.s i mësoi etërit t'u japin vajzave të tyre nga pasuritë e tyre, dhe mos të marrin nga pasuria që u japin burrat e tyre. Ai i mësoi burrat sesi të sillen mirë dhe drejtë me gratë e tyre në martesë, por edhe në rast të prishjes së martesave të tyre. Ishte Muhamedi s.a.v.s që i mësoi njerëzit sesi të sillen me bijat e tyre të martuara. Ai u mësoi njerëzve sesi të konsultohen me gratë apo bijat e tyre. Nga Muhamedi s.a.v.s mësohet më së miri se si bisedohet, sesi zhvillohen mendimet e pavarura, sesi legjitimohen mendimet e grave në shoqëri. Nga Muhamedi s.a.v.s. mësohet sesi të ndihmohen gratë në punët e shtëpisë, në nxënien e dijes, në shoqëri etj. Ai ua ilustroi njerëzve mësimin më të mirë për pasojat në rast të ndërhyrjeve pa vullnetin e grave në personalitetin e tyre. Ai, s.a.v.s tha - gratë i ngjajnë bririt, kur mundohesh ta drejtosh, e thyen - ndërkohë që Ai s.a.v.s, tek gratë e kësaj bote shënon ndikimin më pozitiv dhe më të madh të të gjitha kohërave deri në Ditën e Gjykimit!

Konkretisht, i Dërguari i Allahut, ka proklamuar barazinë në status dhe rëndësi të të dy gjinive në katër shtylla kryesore të ekzistencës dhe interaksionit njerëzor:

a ) çështjet fetare (Kurani Famëlartë demanton tregimet në Dhiatën e Vjetër që denigrojnë gruan. Nuk gjendet asnjë argument që gruaja është krijesë me më pak vlerë se mashkulli, apo fajtore për mëkatin e Ademi a.s)

b) obligimet fetare dhe shpërblimet për kryerjen e tyre (33:35); obligimet etike dhe shpërblimet për to në mënyrë shumë eksplicite (4:124),(16:97)

c) në arsim (të gjithë janë të obliguar të marrin mësim qoftë deri në Kinë, Kurani vazhdimisht urdhëron të lexojmë, mësojmë, mendojmë, meditojmë. Ligjëratat e Muhamedit s.a.v.s dëgjoheshin si nga burrat ashtu edhe gratë etj

d) të drejtat ligjore të garantuara që nga lindja deri në vdekje: Gruaja trashëgon (4:7-11), njerëzit sanksionohen nëse u mohojnë këtë të drejtë (4:19), specifikon qartë që dhurata e paramartesës i takon asaj (2:229, 4:19-21-25). Në rast të kryerjes së çfarëdo vepre penale dënimi për gruan nuk është as më i vogël as më i madh sesa për burrin në rast të njëjtë (5:41; 24:2). Edhe ajo kompensohet , dëmshpërblehet njësoj si edhe burri.

Shoqëria që proklamoi Muhamedi s.a.v.s. është një shoqëri dy gjinore ku secila nga palët bartin përgjegjësi të caktuara, dhe nuk jetojnë as në pavarësi dhe as në varësi nga njeri tjetri, por kanë një rol (të barabartë) komplementar. Prandaj edhe kjo formë e ndarjes së punëve në Kuran që obligon burrin të punojë, fitojë dhe të jetë përgjegjës për furnizim ( 2:233). Vetëm duke qenë në ndërvarësi me njëri tjetrin, mund të ketë prosperitet në një shoqëri, dhe të shmangen dukuritë destruktive ku individi jeton, mendon, fiton, shpenzon , ushqehet vet dhe vetëm për vete.

Tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s gjendet argumenti më i mirë se fuqizimi i grave në shoqëri fuqizon shoqërinë në tërësi dhe anasjelltas.

Historia nuk shënon asnjë shembull të ngjashëm si ajo në historinë e shkencave islame ku gruaja luan rol aq aktiv dhe të rëndësishëm. Shkenca e hadithit (jeta dhe vepra e Muhamedit s.a.vs.) shënon numrin më të madh të dijetareve të dalluara, dëshmia dhe gjykimi i të cilave përbën numrin më të madh të argumenteve mbi të cilat bazohet vet Islami.

Muhamedi s.a.v.s rekomandonte që në mungesë të tij, për çështje fetare njerëzit të pyesin gruan e tij, Aishen r.a. Pas vdekjes së tij Aisha r.a ishte burimi kryesor i informatave për Muhamedin. Ajo shquhej për mendjemprehtësi dhe gjykim, ishte e zonja në medicinë dhe poezi.

Vajzat e Muhamedit s.a.v.s patën ndikim në jetën e tij dhe në vet përhapjen e Islamit, sidomos Fatimja r.a.

Muhamedi s.a.v.s u lind bonjak, dhe u rrit pranë nënës pa babanë, u fuqizua pranë Hatixhes, u ndihmua deri në vdekje nga gratë dhe bijat e tij. Paramendoni si do te ishte jeta e tij pa këtë 'krah' të shoqërisë në jetën që ai bënte? Apo ndryshe, paramendoni edhe si do të jetonin ato (nëse fare do të jetonin) pa Shpalljen e Islamit përmes Muhamadit s.a.v.s?

Në kohën kur historia e njerëzimit shënoi kthesën nga errësira në dritë aty u shkruan edhe emrat e Ebu Bekrit, Omerit, Aliut e Othmanit së bashku me emrat e Sumejes (dëshmorja e parë), Hatixhes (besimtarja e parë), Aishes, Um Selemes, Esmasë, Um Habibës, Hafsasë, Atijes, Sehlasë, Rauda etj.

Asnjë histori e asnjë civilizimi tjetër nuk përmban më shumë emra meritore grash sesa civilizimi islam.

Prandaj edhe faktet e sotme: Islami shënon një rritje prej 237%, sot në botë vetëm në SHBA 100.000 njerëz për një vit kanë pranuar Islamit. Prej tyre shumica gra. Nga katër të konvertuar, tri janë gra. A thua pse?

Islami ofron dinjitet, drejtësi, paqe, vet-vlerësim dhe vet-respekt për të gjithë.

Por përkundër të gjitha të vërtetave, akoma ka njerëz që besojnë që Muhamedi s.a.v.s dhe Islami në të cilin ai s.a.v.s ftoi njerëzimin, është kobzi për gratë. Shumë ashiqare, gratë mendojnë ndryshe! Mbase të tillët akoma mendojnë që gratë nuk munden të dinë, të mendojnë dhe të gjykojnë drejtë për veten e tyre! Mu nga ato mendime raciste dhe johumane dalin sot edhe paragjykimet nën petkun e 'patriotizmave' që kushdo nga gratë që sot në Kosovë përcjellë me zemër dhe përpikëri mësimet e Kuranit dhe të Islamit si dhe shëmbëlltyrën e Muhamedit s.a.v.s nuk bëjnë tjetër veçse kopjojnë shoqërinë arabe! Prej nga rrjedhe edhe mohimi nga e drejta e femrave sot në Kosovë për arsim, punësim, dhe liri për përcaktim dhe vendim-marrje për jetët e tyre.

Nga synimi i secilit besimtar dhe besimtare muslimane që të përcjellë, zbatojë dhe adoptojë praktikat më të mira të zhvillimit njerëzor që ndonjëherë i ka njohur historia e njerëzimit të mishëruara në personalitetin e Muhamedit s.a.v.s, ato/ata po mundohen të prapësohen nga njerëzit e caktuar nga klube të caktuara, mendësia e të cilëve fare nuk dallon nga mendësia e shoqërisë paraislame të arabëve tek të cilët Allahu dërgoi Muhamedin s.a.v.s tek i cili gjenden virtytet ma të mira. (El-Kalem 4).

Muhamedi s.a.v.s edhe në hutben e tij lamtumirëse porositi për drejtësi ndaj grave dhe mosdhunë ndaj vetvetes: të respektohet dhe të ruhet Amaneti i Allahut! - tha Muhamedi s.a.v.s duke aluduar në gratë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco