Lehtësia me të cilën LDK po i fyen qytetarët e Kosovës

Lehtësia me të cilën LDK po i fyen qytetarët e Kosovës

Nga Enver Robelli - 18/10/2021

Sipas ish-kryetarit të LDK-së, i cili është kryetar nderi i LDK-së, më 14 shkurt qytetaret dhe qytetarët që kanë votuar për një koalicion të caktuar parazgjedhor, kanë qenë “të dehur” dhe “në trans”.

Sipas nënkryetarit të LDK-së shumica mund të gabojë, e 14 shkurti nuk ka qenë referendum.

Pra, kur qytetaret e qytetarët e Kosovës votojnë LDK-në, atëherë “janë racionalë”, kur votojnë për konkurrencën politike – janë të dehur, në trans, joracionalë. Me kaq lehtësi rrallëkush i ka fyer kosovarët e kosovaret me të drejtë vote. 

Kur po këta njerëz apo paraardhësit e tyre votonin mbi 60 për qind për LDK-në, kjo paskësh qenë votë e njerëzve racionalë. 

Po gabuan njerëzit dhe votuan dikë tjetër, atëherë janë joracionalë, sipas LDK-së. 
Një parti që lëshon diagnoza për qytetaret dhe qytetarët, duhet të ketë probleme të mëdha. Më 14 shkurt votuesi i LDK-së qenka mashtruar, sipas kryetarit të nderit të LDK-së. 

Domethënë votuesi i LDK-së nuk ka të drejtë të ndihet i mashtruar nga krerët e saj shumëvjeçar, votuesi i LDK-së vetëm mashtrohet nga “forcat armiqësore”. Votuesit të LDK-së kësisoj i mohohet e drejta për të menduar me kokën e vet dhe për të ndëshkuar aleancat më joparimore të LDK-së me ndonjë parti që krerët e LDK-së e kanë akuzuar hiç më pak se për vrasje të aktivistëve të LDK-së.

Lehtësia me të cilën LDK i fyen qytetarët e Kosovës, është sinjal i keq i një partie që nuk është e gatshme të korrigjojë gabimet e së kaluarës, të kërkojë falje për aleancat më të çuditshme dhe të bind qytetaret dhe qytetarët se vërtet ka ndryshuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco