Leksione demokracie, prej Prishtinës, me dashuri

Leksione demokracie, prej Prishtinës, me dashuri

Nga Alisa Braho - 18/10/2021

Ndërsa jemi duke pritur për rezultatet finale nga Komisioni Qendror Zgjedhor, që prej daljes së sondazheve të para u pa qartë se Lëvizja Vetëvendosje, e cila fitoi bujshëm në zgjedhjet e 14 Shkurtit, nuk përbën zgjedhjen e parë për votuesin kosovar.

Për ata që nuk jetojnë në Kosovë, ose kanë harruar çfarë ka ndodhur në 8 muajtë e fundit: me ardhjen në drejtim të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në kulmin e valës së dytë të pandemisë, logjikisht do të mendohej se i gjithë aparati shtetëror do të vihej në lëvizje për sigurimin e dozave të vaksinimit. Por, ky nuk ishte rasti i Kosovës! Euforia që i karakterizon VV-të në përgjithësi, si dhe dilentatizmi në drejtimin e vendit e solli Kosovën përpara një situatë pandemike të paprecedent.

Në atë kohë Ministër i Shëndëtësisë Arben Vitia (sot kandidat i LVV për Prishtinën), në disa dalje të mefshta publike ku pak nuk dëgjohej për shkak të mungesës së tij të sharmit, pak prej maskës që mbante në respekt të rregullave të vendosura nga vetë ai nisën të qarkullonin zërat se ai do të ishte kandidati favorit i Vetëvendosjes për kryeqytetin.

Ndërsa i afroheshim verës, Kosova ende gjendej pa vaksina dhe me një strategji konfuze dhe represive ndaj qytetarëve dhe biznesit. Ku policia dhe inspektoriatet e shëndëtësisë përdoreshin si kamzhik për të treguar “rendin e munguar” në vend, ndërsa nga ana tjetër propaganda e qeverisë mbushte mediat me lajmet e numrit të lartë të dënimeve pa teklif që u jepeshin qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë.

Politika e jashtme e Kosovës xhonglohej mes egove të Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeminstrit Kurti, të cilët medoemos duhet t’a shpërfaqnin jashtë kufijve tanë faktin që ende Kosova nuk e ka një strategji të qartë se si do të sillet në kancelaritë europiane.
Ndoshta sepse vendi po i drejtohej kutive të votimit sërish, ndoshta sepse gjendja ekonomike rëndohej dita-ditës, dukej se vëmendja ishte e ulët, ndaj emrave anonim që po bënte publik Lëvizja Vetëvendosje si kandidatët e saj për Kryetar Komune. Jo pak hilaritet, krijoi në rrjetet sociale identiteti vizual i përzgjedhur nga LVV ku përkrah fotografive të kandidatëve në billborda gjendej edhe figura e Kryeministrit Albin Kurti.

Mesazhi ishte i qartë, Kurti nuk largohet dot nga mendësia ballkanike e liderit suprem që t’i kryen të gjitha punët, Kryeministrin, Ministrin, Kryeprokurorin, Kryetarin e Komunës, Drejtorin, madje edhe Doktorin e Infermierin.

Nga ana tjetër, Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku me klas dhe kujdes zgjodhi emra dhe figura jo vetëm të pastërta, por mbi të gjitha lexoi qartazi lodhjen e qytetarëve ndaj populizmit dhe si përgjigje zgjodhi të garonte me figura të përunjura dhe qytetare.

Partia Demokratike e Kosovës nën drejtimin e Memli Krasniqit, tregoi se është ende këtu dhe e fortë duke siguruar pa balotazh bastionet e veta dhe ofruar alternativa të dashura nga njerëzit dhe shehri, sikurse ishte edhe rasti i Uran Ismailit, i cili paçka se doli në vendin e tretë, i dha PDK numrin më të lartë të votave që kjo parti ka pasur ndonjëherë në Prishtinë.

Dje, Kosova na dha të gjithëve një leksion të vyer demokracie, dje nisi ultimatumi i popullit kosovar mbi këdo që mendon se pushteti është absolut dhe mund t’a trafikoj atë në llojë- llojë parvenu-sh që mban në oborrin e vetë. Në kushte normale partia e cila mori një votë plebishitare vetëm 8 muaj më parë dhe sot me zor arrin të fitoj disa komuna pa balotazh, qeveria do të humbiste automatikisht legjitimitetin. 

Për fat të mirë, ky nuk është rasti i Kosovës, një palë zgjedhje të tjera janë gjëja e fundit që ky vend ka nevojë. 

Megjithatë të gjithë kemi shumë për të mësuar nga 24 orët e fundit në Kosovë, sidomos Shqipëria e çudive ku opozita i falë pa problem të gjitha Bashkitë Ramës dhe sillet si viktimë e orëve të fundit sa herë që duhet të tregoj forcë dhe vendosmëri. 
Mbaj shënim Abedin, se populli foli!

A.B

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco