Një shuplakë elektorale për qeverinë e Albin Kurtit

Një shuplakë elektorale për qeverinë e Albin Kurtit

Nga Syri.net Kosova - 18/10/2021

Nëse pika e referencës është viti 2017, kur Vetëvendosje doli e treta, atëherë i bie një sukses, por e vërteta është ndryshe.

Krahasimi objektiv është me zgjedhjet paraprake të 14 shkurtit. Për LVV-në ka gati një përgjysmim të votave në nivel nacional. Asnjë komunë e fituar në raundin e parë. Për subjektin që mori krejt, këto zgjedhje ngrejnë pikëpyetje të mëdha.

Tetë muaj pas një fitoreje plebishitare, Lëvizja e Albin Kurtit ka marrë një ‘shuplakë’të fortë elektorale.

Pavarësisht se po flasim për nivelin e qeverisjes lokale, elektorati ka dhënë një verdikt edhe për mënyrën se si po qeveris deri tash Albin Kurti.

Pritjet mbeten të larta, ndërsa rezultatet ende modeste. Pushteti i Kurtit po shfaq shenja të regjimeve të mëhershme, nepotizëm, servilizëm, ngathtësi, më tepër retorikë sesa vendimmarrje e shpejtë, e guximshme dhe efektive për rritjen e mirënqënies së njerëzve.

LVV erdhi në pushtet në emër të luftimit të krimit dhe korrupsionit, të çkapjes së shtetit, të barazisë para ligjit, meritokracisë dhe hapjes së dyerve për njerëzit e zotë. Ajo çka kemi parë deri tani, nuk të bind se po ndodh ndryshimi i shumëpritur.

Zyrtarë që deri dje akuzoheshin nga Vetëvendosje për krim e keqpërdorime, mbeten në ato pozita, me ndikimin e njëjtë si më parë.

Pushteti i ri po shfaq shenja arrogance e jotransparence. Vetë kryeministri nuk del fare në ekrane, nuk përballet me askënd, por u flet kur do, disa mediave të huaja.

Raundi i parë i zgjedhjeve përfundoi dhe ai nxori në konferencë për shtyp një deputete të partisë. Përgjegjësinë duhet ta marrë lideri, ashtu siç i merr meritat kur fiton.

Këto zgjedhje, gjithsesi e kanë rikonfirmuar vendin e parë për Lëvizjen Vetëvendosje. Por, opozita ka nxjerrë një rezultat të fortë, pak kohë pas debaklit në zgjedhjet parlamentare.

Lidershipi i ri e ka ngjallur LDK-në. PDK edhe pse me mungesë lidershipi, me disa kandidatë si në Mitrovicë e Ferizaj ka dalë faqebardhë. AAK vazhdon të manovrojë në pushtetin lokal e Nisma duket se mund të mbijetojë në Malishevën e udhëhequr prej saj.

Humbja në Mitrovicë, është goditja më e rëndë që ia dha elektorati LVV-së. Mosvotimi i Agim Bahtirit, ishte refuzim edhe i vetë votuesve të kësaj partie.

Zgjedhjet lokale dëshmuan edhe një herë se sa të rëndësishëm janë kandidatët për kryetarë. LVV nuk shkëlqeu aspak në këtë drejtim. Parakalimi me Kurtin, ishte i pamjaftueshëm për t’i bindur qytetarët.

Vetëbesimi i tepruar, mund ta sjellë një përmbysje të rezultatit edhe në Prishtinë. Balotazhi, është testi i rradhës për Albin Kurtin. Koalicionet do t’i përcaktojnë kryetarët në 21 komuna. A do të shkojë LVV  e vetme?

 Kurti me ekipin e tij duhet të bëjë shumë më tepër që të na bindë se i meritoi votat herën e kaluar.

Nëse me 14 shkurt ishte një frymë e fortë ndryshimi, tani ajo erë nuk fryn më. Është bërë, siç do të thoshte një deputet i dikurshëm i PDK-së –puhizë freskie.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco