“Bomba” për bashkim e Ramës i pëlqen propagandës së Beogradit e Moskës

“Bomba” për bashkim e Ramës i pëlqen propagandës së Beogradit e Moskës

Nga Ramazan Bekteshi - 13/10/2021
Deklarata e Ramës për bashkim është si një ‘bombë’ e gjuajtur kundër Kosovës dhe Shqipërisë, jehona e së cilës me shpejtësinë e dritës u përhap në Beograd dhe Moskë, e pastaj nga makineria propagandistike e këtyre dy qendrave të galvanizohet, deformohet, rifabrikohet derisa ta merr formën dëshiruese të tyre, e që është se “Kosova dhe Shqipëria (bashkimi) janë rrezik permanent për paqen në Ballkan e më gjerë”. Pra, ‘bomba’ e radhës e Ramës u shkoi përshtati atyre që historikisht janë kundër shqiptarëve. Pra, ishte kjo një ‘bombe’ koti që i shqetësoi shqiptarët, (disa i trimëroi) ashtu si dhe “bombat’ tjera kohë më pare, që Rama i lançoi në Shkup e Korçë nga arsenali i tij antikombëtar.
Kur kundërshtimet ndaj Ramës kanë arritur zenitin në të dyja anët e kufirit, ai si një “krye-pa-prerë” lanson “bashkimin” e që është një antipod i Ballkanit të Hapur që e promovoi pak më parë. Këto dy projekte konfliktuoze të Ramës tregojnë pasigurinë e tij emocionale por edhe trazim të elektoratit të tij, derisa, në Shqipëri në të njëjtën kohë ziejnë shumë ‘çorba’ në çdo ‘hurdhë’ të shtetit dhe të pushtetit të tij të brishtë.
Bashkimi është një ëndërr e çdo shqiptari me shekuj, por ai nuk vjen duke polarizuar shoqërinë shqiptare skajshmërish, ai nuk vjen duke ia mbajte krahun hasmit, duke kritikuar Kosovën gjoja për politikat e saja të gabuara karshi hasmit në prezencë të hasmit, duke e thelluar hendekun ndarës me Kosovën, duke na marr malli të shohim qytetarë nga Shqipëria në Prishtinë e në Kosovë, bashkimi nuk vjen duke e bërë Shqipërinë plantacion, laborator, dhe vend transit të drogës, duke instaluar ‘TV Sputnik’ me zëdhënës për përçarje, një tendencë për prishje të tolerancës fetare, si nga Olsi Jazenxhinjte, Muço Nanot dhe të ngjashëm, dhe duke shkaktuar mjerim dhe braktisje masive të qytetarëve të dëshpëruar.
Bashkimi nuk bëhet kur në mes Kosovës e Shqipërisë ngritët trau si haraç, në autostradën e  papërfunduar dhe më të rrezikshmen në Evropë, derisa nuk lejohet import-eksporti i patates dhe domates i dy vendeve tona respektive gjoja në emër të mbrojtjes së prodhuesit, por Rama është tolerant ndaj “miellit të bardhe” qe ‘lulëzon’ dhe lëviz përmes tokës, detit, qiellit, për Ramën, oligarkët, dhe Ballkanin e tij të Hapur.
Bashkimi nuk do të ndodh derisa Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, dhe të hapet rruga që ajo të zgjedh ardhmërinë e saj, derisa Shqipëria të hy në BE. Bashkimi nuk do të ndodh derisa Ramën e përkrah Rexhep Qosja e akademiku Ramën. Bashkimi nuk do të ndodh derisa ish-ambasadorja Vlora Çitaku vihet në krahë të Ramës, derisa ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ia lavdëron “bashkimin” Ramës, duke tentuar t’ia zgjasin jetën politike, por ato të dyja heshtën kur Thaçi kërkonte këmbim tokash, derisa një pjese e opozitës në Kosovë me heshtje e mbron Ramën. Por, bashkimi mund të ndodh kur Rama të ketë ikur dhe të jetë harruar përgjithmonë.
Rituali demagogjik i Ramës me ‘bashkimin’ e prek kulmin e çmendurisë së tij me aventurat absurdit  që i përshtatet  titullit “Sympathy for the devil” (Simpati për djallin) por që s’ka lidhje me hitin e Rolling Stones, sepse koncepti i Ramës me energji të trazuara e të çoroditura negative vetëm se ia gatuan kulaçin djallit. Por, a i beson kush Ramës, vëllait të Vuçiqit, se ai do të n ‘a e sjell ëndrrën tonë shekullore!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco