Ta zhdukim stigmën

Ta zhdukim stigmën

Nga Ferid Agani - 11/10/2021

Shëndeti mendor me thellësin e gjithëpërfshirjen e tij shumëdimensionale, fizike e shpirtërore, paraqet themel parësor të shëndetit të gjithmbarshëm të njeriut.

Kompleksiteti i proceseve biokimike, bioelektrike e biofizike të trurit e sistemit nervor në përgjithsi, si dhe reflektimi i tyre në sjelljen dhe mirëqenien psikike e trupore të njeriut edhe sot e kësaj dite, përkundër avancimeve të rëndësishme vitet e fundit, vazhdon të paraqes pengesë të pakapërcyeshme për sqarimin e tyre të plotë shkencor.

Si rrjedhojë njeriu bashkëkohor vazhdon të ndjenë veten të frikësuar e të pasigurtë kur  ballafaqohet me ankesa për të cilat nuk mund të gjendet shpjegimi organik. Në përpjekje për të kontrolluar situatën tejet shqetësuese e të pakëndshme njeriu tenton që t’i jep kuptim situatës në së paku dy mënyra; duke realizuar ekzaminime e analiza laboratorike, të shumtën të panevojshme, të kërkuara nga profesionistë shëndetësorë me standarde profesionale të korruptuara nga aspekti etik e moral, ose nga ana tjetër duke kërkuar në mënyrë dëshpëruese përgjigje të shpejta e të thjeshta të natyrës shpirtërore e mistike nga personat paramjekësor, të cilët zakonisht nuk kalojnë më shumë se disa minuta me ta e të cilët, fatkeqësisht, kanë “përgjigje” të njejtë për çdo ankesë të tyre, me të cilën klientët e tyre qetësohen, zakonisht përkohësisht.

Frika nga e panjohura dhe frika nga sëmundja e trurit si sëmundje që nuk ka shërim plotësisht të shpjegueshëm nga aspekti shkencor ende paraqet ankth për njeriun bashkëkohor.

Rrugëdalja nga kjo situatë natyrisht qëndron, si gjithmon në situata të ngjashme, në arsimimin dhe edukimin e qytetarëve për etiologjin dhe patogjenezën e sëmundjeve dhe çrregullimeve mendore, gjë që për fat të keq ende nuk është kah ndodhë, së paku jo në masën e duhur.

Edhe ditët e sodit shumica e vizitave psikiatrike, qoftë në sektorin publik ose atë privat zgjasin shume shkurtë dhe janë largë standardit prej 30-45 minuta për intervistën e parë, duke e pamundësuar çfarëdo shpjegimi shkencor dhe kuptimplotë për pacientin e familjarët përkitazi me gjenezën e shenjave dhe simptomave të çrrregullimeve e sëmundjeve të tyre trupore e mendore. Reduktimi i vizitës, veçanërisht të parë, psikiatrike në përshkrim të thjeshtë e rutinor të medikamenteve, e thellon edhe më shumë stigmën e të sëmurit nga sëmundja mendore duke krijuar në te frikë nga vartësia prej barnave dhe efektet e tyre anësore, që mirë dihet se janë të shumta; rrjedhimisht, trajtimi ndërprehet shpejtë dhe rritet frika e stigma nga sëmundja mendore.

Në këtë situatë pacienti domosdoshmërisht shndërrohet në top të ping-pongut ndërmjet profesionistëve shëndetësorë të papërgjegjshëm, personave jokompetent paramjekësor dhe paditurisë së tij personale e familjare për sëmundjet e çrregullimet mendore, duke shtuar stigmën shoqërore ndaj tyre.

Ajo që duhet bërë urgjent është që shoqatat profesionale të psikiatërve e psikologëve të vendosin standardet e punës profesionale dhe ti mbikqyrin ato; ndërkaq në sistemin shkollor parauniversitar të parashihet lënda mësimore për shtimin e shkathtësive socio-emocionale të fëmijëve dhe adoleshentëve në kuadër të cilës ata do të mësohen të njohin dhe kuptojnë aspekte të ndryshme të funksionimit të ndjenjave të tyre e të reagimit adekuat, me kohë, në rastet e çrregullimeve të tyre.

Njëkohësisht janë të domosdoshme fushatat edukative e arsimore në mediat e të gjithë sektorëve lidhur me gjenezën e sëmundjeve dhe çrregullimeve mendore dhe mënyrat bashkëkohore profesionale të trajtimit të tyre.

Rëndësi të veçantë ka kyqja sa më e shpejtë e institucioneve zyrtare fetare në betejën ndaj stigmës që po vonon trajtimin me kohë të sëmundjeve e çrregullimeve mendore e në shumë raste edhe po e pamundëson trajtimin e suksesshëm të tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco