Si kaluan irlandezët nën sundimin britanik dhe shqiptarët nën atë otoman?

Si kaluan irlandezët nën sundimin britanik dhe shqiptarët nën atë otoman?

Nga Daut Dauti - 04/10/2021

Pothuaj të gjitha kombet janë pavarësuar me ndihmën e shteteve tjera. Ta zëmë, SHBA-të, kurrë nuk do të pavarësoheshin pa ndihmën e Francës. Por, edhe kur u pavarësuan, askush nuk guxonte ta njihte këtë shtet të ri. Shteti i parë që e njohu ishte Maroko dhe të gjithë u habitën nga guximi që tregoi Sulltan Muhamedi III, i cili ua hapi portet detare amerikanëve për tregti. Për këtë arsye, që nga atëherë, SHBA-të tregojnë një respekt të veçantë për Marokon. Një vit më vonë (1778) pavarësinë e SHBA-ve e njohu edhe Franca. Por, shtetet tjera i njohën SHBA-të vetëm pas vitit 1783 kur në Paris u nënshkrua marrëveshja në mes SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe me të cilën edhe zyrtarisht përfundoi lufta mes këtyre dy vendeve. Me këtë rast Britania e pranoi ekzistencën e shtetit të pavarur të SHBA-ve dhe pasuan njohjet tjera.  

Historia e luftës së irlandezëve për pavarësi është e ngjashme me atë të shqiptarëve. Historia për këto dy vende ka qenë e pamëshirshme. Irlanda është pavarësuar nga Perandoria Britanike më 1922, apo 10 vite më vonë se Shqipëria nga Perandoria Otomane. Pavarësimi i këtyre dy kombeve ka qenë i vonshëm për arsye se nuk kishin ndihmë nga jashtë sikur që patën shtetet tjera siç ishin SHBA-të, Greqia, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, etj. Kush do të guxonte ta ndihmonte luftën e irlandezëve për pavarësi, vend ky që ishte në derë të Britanisë? Megjithatë, më në fund, Irlanda dhe Shqipëria ishin të vetmet vende evropiane që u pavarësuan pa ndihmën e askujt. Dhe, që të dyja dolën me probleme të shtrirjes etnike territoriale dhe të ndarë me kufij. 

Irlanda ka rënë nën sundimin norman në shek XII dhe pastaj kaloi në atë britanik për shkak se kështu ndodhën ndryshimet e brendshme. Sundimi otoman në tokat shqiptare ka filluar në shek XIV, por pushtimi definitiv duhet të merret se ka ndodhur në shek XV. 
Si ishte puna e gjuhës dhe e shkollave në Irlandë dhe Shqipëri nën sundimin e këtyre dy perandorive? Irlandezët e kanë përdorur alfabetin e tyre shumë herët, por pas shek. V kanë filluar të shkruajnë me alfabet latin. Megjithatë, gjuha irlandeze apo siç quhet ndryshe gaelik, gjatë sundimit britanik ka qenë e ndaluar. Nga viti 1831 irlandezët janë shkolluar mosovikisht, por në gjuhën angleze. Nga viti 1878 anglezët kanë lejuar që në disa shkolla të mësohet gjuha gaelik, por mësimi i lëndëve tjera ka qenë në anglisht. Pas vitit 1900 pjesërisht është lejuar mësimi në dy gjuhë paralelisht. Pra, disa lëndë në gaelik e disa në anglisht. 

Pyetja: kur u themelua shkolla në gjuhën gaelik apo në gjuhën amtare në këtë shtet? Përgjegjja: nuk është themeluar kurrë. Kur u pavarësua Irlanda, në mënyrë që të rritej patriotizmi, shteti i ri nxorri ligje që gjuha e tyre gaelik  të ishte zyrtare dhe shkollat të nisnin në këtë gjuhë. Por, tani më ishte tepër vonë dhe irlandezët më nuk e flitnin gjuhën e tyre, kështu që administrata shtetërore dhe shkollat vazhduan në anglisht. Dekadave të fundit është vërejtur një entuziazëm i të rinjëve dhe është shtuar numri i nxënësve që vijojnë mësimet në këto shkolla. Statistikat tregojnë se sot mbi 30% të irlandezëve e dijnë gjuhën e tyre. Por, nga kjo përqindje vetëm 3% e flasin këtë gjuhë mes vete dhe në shtëpi. Më në fund duhet theksuar se Irlanda nuk ka asnjë universitet në gjuhën e saj. Pra, praktikisht kjo gjuhë nuk ekziston.  

Pyetja e radhës: si ka kaloi popullsia irlandeze gjatë sundimit britanik? Në vitin 1841 Irlanda kishte 8. 5 milion banorë kurse sot, pas 180 viteve, ky numër është më pak se 5 milionë. Pra, numri i popullsisë gjatë kësaj periudhe gati është përgjysmuar e nuk është rritur siç do të duhej ta arrinte shifrën së paku rreth 20 milionë.  Kjo është për arsye se nga mesi i shek. XIX gati 2 milionë irlandezë kanë vdekur nga uria dhe deri vonë pas pavarësisë rreth 10 milionë janë detyruar të shpërngulen për shkak të varfërisë. 

Në anën tjetër të Evropës shqiptarët i kanë pasur disa libra të shkruara pas rënies nën sundimin otoman, por nuk kanë pasur alfabet para vitit 1908. Gjuha shqipe ka qenë e ndaluar edhe në rastin e shqiptarëve. Por, shqiptarët ia kanë dalur që sporadikisht dhe në mënyrë periodike të themelojnë një numër të vogël të shkollave në gjuhën e tyre kah fundi i shek XIX. Megjithatë, shqiptarët, për shkak të natyrës së sundimit otoman që ishte ndryshe nga ai britanik, ia dolën që të mos e harrojnë gjuhën amtare. Sot, numri i shkollave në shqip nuk mund të matet. Madje, edhe numri i universiteteve ka shkuar aq lart sa që rrallë kush e di shifrën e saktë. Popullsia shqiptare në Ballkan në fillim të vitit 1800 nuk duhet të ketë qenë me e madhe se 1 milionë kurse sot është së paku 6 milionë. Pra, është shumëfishuar dhe është rast i kundërt me Irlandën. 

Si dolën këto dy vende nga sundimi i huaj kur u pavarësuan? Që të dyja kanë qenë shtetet më të varfëra të Evropës. Por, Irlanda ishte pjesë e shtetit më të zhvilluar industrial, më të pasur dhe më të fuqishëm në botë. Megjithatë, doli shumë e varfër ekonomikisht dhe më e varfër në trashëgimi kulturore dhe nacionale. Në këtë gjendje të shtetit më të prapambetur në Evropën Perëndimore, Irlanda ka qenë deri vonë. Por, sot gjërat kanë ndryshuar. Gjatë dekadave të fundit Irlanda i ka lënë anash vajtimet për të kaluarën dhe  i ka mobilizuar mundësitë për të përparuar dhe tashti bënë pjesë në radhët e shteteve të zhvilluara dhe politikisht stabile. Por, shqiptarët ende vajtojnë dhe nuk kanë përparuar aspak sikur Irlanda edhe përkundër gjithë atyre ngjashmërive.

Tashti pyetja që shtrohet është: A dëshironi të kaloni në histori duke e humbur gjuhën (elementin kryesor kombëtar) e të mos keni as shkolla, por të jeni të zhvilluar sikur irlandezët numerikisht të zvogëluar apo dëshironi që ta ruani gjuhën dhe të mburreni me  traditat e lavdishme, numerikisht të zmadhuar si komb, por të jetoni në varfëri dhe pa stabilitet politik e të parëndësishëm sikur shqiptarët? Zgjidheni njerën mundësi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco