Një dekadë dialog ...për ca stickersa

Një dekadë dialog ...për ca stickersa

Nga Syri.net Kosova - 04/10/2021

 

Pra, u desh të kalojnë dhjetë vjet, për të arritur këtu. Serbia u detyrua të mbulojë targat e veturave, veprim që kosovarët e bënin prej vitesh tashmë. Ky është reciprociteti, por jo edhe normaliteti.

Megjithatë, një shkëndijë e fortë është ndezur në horizontin gri të dialogut Kosovë-Serbi.

Masa të reja reciprociteti janë paralajmëruar nga qeveria  e Albin Kurtit, ndërsa për Vuçiqin, nuk ka pasur kurrë më parë bashkëbisedues më të papërshtatshëm në Prishtinë.

Ndërkohë, në politikën kosovare, vlojnë akuzat kundër qeverisë. Opozita, që dikur e duartrokiste marrëveshjen e stickersave, sot e konsideron kthim pas dhe cënim të sovranitetit.

Kurse pushteti, që dikur në rolin e opozitës akuzonte, e arsyeton marrëveshjen për targat.

Absurdi kosovar është i pafund. Të përfshihesh nga valët e tij, nuk e sheh dot me qartësi realitetin.

Realja është ajo fotografia në kufi, ku për herë të parë që nga paslufta, veturat me tabela të Serbisë mbulohen kur hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Ky nuk është cënim sovraniteti. Është pranim i sovranitetit.

Opozita kosovare e rrëmbyer për ta vënë në tabelën e qitjes çdo veprim qeveritar, po ndjek një taktikë të gabuar.

E akuzojnë, ta zëmë, qeverinë se po e çon vendin drejt Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo marrëveshje është nënshkruar nga këta që sot e tundin flamurin e opozitarizmit.

Për pushtetin, nëse i reziston Zajednicës, do të konsiderohet sukses. Nëse nuk e shmang dot për shkak të presionit në shtim e sipër, do të vlerësohet si shkelje e zotimeve të dikurshme për të cilat protestuan e kundërshtuan ashpër.

Në anën tjetër, do të jetë thjesht zbatim i një marrëveshjeje që mban vulën e opozitës-PDK, LDK e AAK.

Është e ulët të mos i gëzohesh një suksesi të shtetit, pavarësisht kush e drejton qeverinë.

Kjo vlen për të gjithë. Vetëvendosje ka çfarë të mësojë gjatë kohës që është në qeveri. Jo gjithçka ka qenë zi. Jo çdo gjë që bëhet është  e zezë.

Faturën në fund, sigurisht e paguan ekzekutivi. Për çdo hap që hedhin, përgjegjësia është  vetëm e tyre. Por, kampi opozitar, nëse shpreson të rikthejë shpresën e humbur, duhet të mos bëjë gafa.

Nuk mund ta fajësosh Albin Kurtin për Asociacionin dhe për asgjë që mban nënshkrimin e ish-pushtetarëve. Në fakt, kjo mënyrë opozitarizmi, e gëzon brenda vetes kryeministrin.

Sa më e vobekët opozita, aq më jetëgjatë pushteti i Kurtit. Sa më shpejt e kuptojnë këtë, aq më seriozisht do të merret edhe opozita.

Një opozitë e fortë, i duhet çdo vendi demokratik.

Stickersat po vendosen përkohësisht edhe mbi targat e automjeteve të Serbisë. 

Dhe ky është lajm i mirë, për opozitën, për pushtetin, për të gjithë Kosovën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco