Viti 2022 do të jetë viti vendimtar

Viti 2022 do të jetë viti vendimtar

- 02/10/2021
Tash, pas gabimeve me tankse dhe ushtri si dhe humbjes së Vuçiqit në çështjen e targave, ne shqiptarët duhet të ndryshojmë praktikën e deritashme të parcialitetit.
Si?
1)
KM Kurti, i cili nuk bashkëpunonte me krerët e qeverive në të kaluarën, duhet të punojë bashkë me opozitën dhe opozita me qeverinë në të gjitha çështjet e përballjes me Serbinë. Nëse nuk e bëjnë këtë Kurti dhe opozita, do të na përsëriten vitet e humbura prej 2011 kur asnjë lider dhe as opozita nuk e kuptonin që me Serbinë rezultate dhe zgjidhje arrihen vetëm kur partitë në Kosovë punojnë bashkë. Asnjë lider, asnjë parti dhe asnjë pushtet me Serbinë nuk mund ja dalin vetëm.
2)
Duhet riorganizim dhe ofensivë totale lidhur me shqiptarët në Kosovën Lindore gjegjësisht Luginën e Preshevës. Shqiptarët atje janë njerëzit më të shtypur në Europë. Ndihma shqiptarëve në Luginë është forcim edhe i pozicioneve për shtetet tona kudo në Ballkan.
Shqiptarët në Mal të Zi duhet të kthehen poashtu në vëmendjen e Tiranës dhe Prishtinës për dy arsye:
a) janë në rrezik të zhduken
b) momentalisht kanë leverixhin më të madh prej shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi dhe u duhen malazezëve në betejat e fundit agresive të serbëve dhe Serbisë për destabilizim dhe, nëse e mundshme, shkatërrim të Malit të Zi.
As Republika e Kosovës dhe as e Shqipërisë nuk kanë bërë gati asgjë për shqiptarët në tokat e tyre native as në Luginë dhe as në Mal të Zi.
3)
KM Rama duhet të kthjellet dhe të mos ketë më iluzione naive për hapjen e terrenit Vuçiqit dhe Serbisë për të vënë kontroll të fuqishëm ekonomik mbi shqiptarët. "Ballkani i Hapur", është projekt që do të hapte rrugën e tankseve serbe për në Durrës. Që kjo të mos ngjajë bedeni është Kosova e gatshme dhe pengesë e pakalueshme. Edvin Rama, si çdo lider në Tiranë, në të kaluarën dhe në të ardhmen, duhet ta kuptojë që bedeni i sigurisë së pushteteve në Tiranë është Kosova, prandaj është çmenduri që të luftohet ai beden e të ndihmohet Vuçiqi dhe Serbia që duan dalje në Adriatik, qoftë me luftë, qoftë me mjete dhe metoda tjera dinake si tregtia dhe ekonomia. Edvin Rama duhet të mësojë në këtë pikë sidomos nga Mali i Zi dhe lufta speciale kundër Malit të Zi.
Njohja e Kosovës shtet është fillimi i paqes dhe bashkëpunimit në Ballkan. Pa këtë njohje dhe Kosovën në OKB çdo projekt panballkanik dështon.
3) Shqiptarët në Maqedoni duhet të përgatisin projekte që duhet patjetër të bëjnë shqiptarët bashkëpronarë të shtetit me maqedonët. Duhet të konsiderohen edhe projekte dhe lëvizje që reflektojnë zhvillimet e ardhme në Ballkan, sidomos pas vitit 2022 kur Presidenti Biden do të fillojë me qasje të re në Bosnje, por edhe në çështjen Kosovë-Serbi.
Situata është serioze dhe ne nuk mund sillemi si struci duke futur kokën në rërë. Zari është hedhur dhe gjasa që mund të ketë luftë në Ballkan është më e larta prej vitit 1999. Rusia tanimë i ka planet, kurse prania e ambasadorit rus me bekimin e Putinit para tanksave dhe aeroplanëve serbo-rusë të luftës është kushtrimi zyrtar. Kina poashtu është me serbët dhe rusët. Amerika, natyrisht, është me shqiptarët, mirëpo Amerika nuk do të veprojë me krejt fuqinë e saj pa shqiptarët të gatshëm dhe gati të veprojnë vetë.
Viti 2022 do të jetë viti vendimtar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco