Veriu, hip se të vrava, zbrit se të vrava

Veriu, hip se të vrava, zbrit se të vrava

Nga Syri.net Kosova - 30/09/2021

 

Nëse dërgon forcat speciale për të garantuar zbatimin e një vendimi të ligjshëm të qeverisë, si ky për reciprocitetin e targave, të akuzojnë se po e tensionon situatën pa nevojë dhe nuk po konsultohesh me partnerët ndërkombëtarë.

Nëse nuk e vendos reciprocitetin, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel me palën serbe, prapë do të përballesh me akuza se nuk je duke bërë asgjë edhe pse ke premtuar bujshëm se vendosja e masave reciproke është çështje javësh.

Qeveria është përgjegjëse për zbatimin e ligjshmërisë në çdo cep të territorit të Republikës, përfshirë pjesën veriore. Atje, veturat ende qarkullojnë me targa të Serbisë.  Në më pak se dy javë nga vendimi për aplikimin e targave të përkohshme edhe për Serbinë, Jarinja dhe Bërbnjaku janë bllokuar, ndërsa Beogradi me prezencën ruse në kufi, kërcënoi me ultimatume.

Situata në veri, ku problemet dhe krimi janë akumuluar që prej çlirimit të Kosovës dhe grumbullimit të serbëve radikalë e kriminalë në këtë pjeë, është shumë delikate. Mjafton një shkëndijë, të nxiten tensione. Mjafton një vendim qeveritar që nuk i pëlqen Vuçiqit dhe ngriten barrikadat.

Në këto rrethana, një valë zemërimi shfryhet mbi qeverinë kosovare, nga disa ‘analistë’ dhe media, që sikur i fërkojnë duart nëse situata trazohet, e pëson dikush apo Kurti zmbrapset.

Opozita duket ‘lule e dritë’, krahasur me korin e organizuar anti-shtetëror. Me gjasë, ndikimet ruse e serbe, për të cilat zëshëm flitet prej kohësh, janë shtrirë thellë edhe në grupe mediatike e opininbërësish të paguar.

Kaq e vërejtshme dhe e shprehur është kjo kryqëzatë në opinionin publik, saqë nuk e di në mbrëmje nëse je duke përcjellë TV-të kosovare apo ato serbe.

Është e çuditshme, se në çfarë deregjeje ka rënë informimi publik, debati dhe media jonë në përgjithësi. Një debat i thellë do të duhej hapur për katandisjen mediale, që është pjesë e përditshme e çdo familjeje, ndikon më shumë negativisht, përhap panik e shkakton paqartësi, në vend se të zbardhë të vërteta e të transmetojë realitetin.

Kosova, sigurisht nuk po kthehet në vitin 1999, por KFOR-i, edhe më tej vepron sipas rezolutës 1244. Edhe në kohën e Ibrahim Rugovës e Hashim Thaçit, kështu ka qenë.

Kosova nuk mund të dërgojë trupa ushtarake në veri pa lejen e NATO-s dhe ky është një fakt i ditur për të gjithë. Nëse ndodh që një i marrë si Vuçiqi, urdhëron hyrjen e trupave serbe në pjesën veriore, atëherë Serbia i ka shpallë luftë NATO-s.

Krah NATO-s, sot është edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, një ushtri me standardet moderne. Nuk jemi si në vitin 1999. Jemi më të fortë e më të sigurtë, por problemin e kemi te dera, për sa kohë Serbia nuk e njeh pavarësinë tonë dhe shpreson të marrë edhe diçka në këmbim të saj.

Hashim Thaçi e Edi Rama deshën t’ia japin në tavolinë veriun, por plani dështoi. Vuçiqi është i frustruar. Përmes Ballkanit të Hapur, Rama e Vuçiqi po i bëjnë presion Kosovës, sikur duan të na thonë : Ja ç’ndodh, kur nuk vini në nismën tonë.

Kërkesat e qeverisë kosovare mbeten gjithsesi modeste, ndërsa pala tjetër kërcënon, shkakton incidente, ngre barrikada. 

Dialogu mbetet zgjidhja e vetme, sepse konfrontimet sjellin vetëm pasoja të paparashikueshme. Në pritje të ‘stickersave’ nga Brukseli, bllokada vazhdon në veriun sërish të trazuar, ashtu si e lanë të gjitha qeveritë e kaluara.

A do t’ia dalë Albin Kurti t’i japë drejtimin e duhur situatës? Një pyetje e rëndë, përgjigjen e së cilës e jep vetëm një marrëveshje finale me Serbinë, që pa SHBA-në e BE-në, vështirë se do të arrihet ndonjëherë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco