Një ‘luftë’ nervash për reciprocitetin rrezikon ‘shpërthimin’

Një ‘luftë’ nervash për reciprocitetin rrezikon ‘shpërthimin’

Nga Astrit Veliqi - 26/09/2021

Masat e reciprocitetit të vendosura nga institucionet kosovare ndaj atyre serbe për targat, kanë rritur tensionet mes të dyja palëve duke na kthyer pas në historinë e errët të pamjes së 'luftës'.

Të paktën kjo e fundit po trumbetohet gjatë këtyre ditëve në veriun e Kosovës, ku serbët lokal të asaj ane kanë bllokuar rrugët në pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak pas vendosjes së njësive speciale të Kosovës në atë pjesë.

Pamjet që tash e sa ditë vijnë nga veriu janë mjaft serioze dhe të rrezikshme, ngase paradat provokuese serbe si nga qielli me avionë luftarakë dhe helikopterë por edhe nga toka me defileun e muskujve dhe tankeve rrëzë kufirit të vendit tonë, japin shembullin e keq të një presioni psikologjik të epokave dhe konflikteve tragjike.

Domosdo ajo që po ndodh tash e sa ditë në veriun e vendit, është një luftë psikologjike nervash e pashembullt, që policët tanë duke mbrojtur rendin në veriun e tensionuar po ekspozohen nga rreziqe të shumta nga serbët lokal të cilët siç dihet janë të cytur fuqishëm nga Vuçiqi dhe argatët e tij fashist.

Vetë gjuha dhe veprimet e përdorura nga presidenti serb dhe vartësit e tij, duke provokuar në çdo minutë dhe orë situatën atje e cila përkundër se ka një qetësi relative duket mjaft e rrezikshme dhe si e tillë derisa nuk ka një zgjidhje mund të ‘shpërthejë’ në çdo kohë.

E duke parë këto rrethana të dhimbshme që po ndodhin në veriun e vendit, domosdo, edhe dialogu mes dy vendeve ka stagnuar, madje rruga deri të rifillimi i tij ka pësuar regres të madh.

E derisa jemi në ketë udhëkryq politik dhe ekonomik i cili epitetin e ka si 'vendnumëro', kryeministri kosovar, Albin Kurti po tregon vendosmërinë e tij përballë presidentit serb që sipas tij po zbatohet një marrëveshje e cila ka derivuar nga dialogu në Bruksel dhe kthimi pas është vetëm nëse hiqet nga të dyja palët.

Derisa presioni ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po rritet, duke kërkuar nga pala serbe dhe kosovare shmangie të dhunës dhe rikthim në tryezën e dialogut.

Sido që të jetë, derisa nuk ka një kompromis dhe nuk binden serbët për masat e reciprocitetit, provokimet serbe dhe tensionet po rriten, megjithatë edhe kësaj ‘status kohe’ nervash mund t'i vije edhe fundi.

Si e tillë, pasojat e një konflikti do të rriteshin, sikurse edhe vendosmëria e NATO-s do të vihej në zbatim.

Por ajo që duhet pasur kujdes sidomos nga qeveria jonë dhe veçmas policët tanë në veri, është që ata mos të bien pre e provokimeve dhe propagandës serbe e cila siç dihet është e frymëzuar edhe nga agjendat ruse për një territor shtesë dhe destabilizimin e Ballkanit.

Kosova është në të drejtën e vetë ligjore dhe kushtetuese, por tema e reciprocitetit të targave nuk guxon ta cenojë rendin dhe sovranitetin e shtetit, prandaj edhe zgjidhja e vetme mbetet kompromisi, në mënyrë që edhe veriut njëherë e mirë t'i kthehet normaliteti i jetës atje.

Kosova nuk guxon të bie në lojën e propagandës serbe-ruse, por duhet të jetë këmbëngulëse për veprimet e saj shtetërore, duke qenë edhe unike sa i përket lidershipit politik në vend.

Aq ma tepër që vendi është në një kohë fushate dhe nevojitet pragmatizëm politik, por që ketë të fundit dashtë e pa dashtë situata me veriun, e cila që nga paslufta ka mbetur si një ‘bombë kurdisur’ e ka lënë paksa nën hije.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco