30 vjet nga Referendumi për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran

30 vjet nga Referendumi për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran

Nga Muhamet Hamiti - 26/09/2021

Si sot tridhjetë vjet më parë nisi referendumi popullor për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran që zgjati katër ditë (26-30 shtator 1991).
Mbas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 dhe Kushtetutës së 7 Shtatorit të vitit 1990, Referendumi ishte hap historik në rrugën institucionale për pavarësimin e Kosovës, të cilës në emër të popullit i priu Ibrahim Rugova, që, më 24 maj 1992 do të zgjidhej Kryetar i Republikës së Kosovës me votë të drejtpërdejtë të popullit.

Në kohën e Referendumit, Ibrahim Rugova ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (#LDK), forcës motorike të lëvizjes për liri, demokraci e pavarësi të Kosovës, si dhe kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës, trup që pati rol kyç në organizimin e Referendumit, mbasi Qeveria e Kosovës nuk ishte formuar ende. Do të formohej në tetor të atij viti.

Në referendum, një organizim i pashembullt në kushte okupimi nga Serbia, dolën 914, 802 votues – 87.19% e numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote (1,051,357). Për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran u deklaruar 913,705 votutes, ose 99.87% të atyre që votuan. Votë kundër kishin hedhur 164 persona, ndërsa të pavlefshme dolën 933 fletëvotime.

Ndonëse nuk qe njohur ndërkombëtarisht në rrafsh juridik, Referendumi ka pasë bërë jehonë edhe në botë dhe qenë me rëndësi të madhe politike për pavarësimin e Kosovës.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco