Kryeministrit s'ka kush t'i shkruajë!

Kryeministrit s'ka kush t'i shkruajë!

Nga Fadil Sahiti - 22/09/2021

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të dërguar forcat ROSU në veri të Kosovës, nuk më duket se është mirë i menduar. 

Megjithatë, ata që i kanë ndjekur vendimet politike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, e kuptojnë se veprimet e tilla janë përbrenda kulturës së tij politike: të bëjë politikë duke krijuar kriza, shpeshherë inekzistente. 

Do të përpiqem ta argumentoj se pse e shoh këtë vendim të Qeverisë, si të gabuar.

1. Dërgimit në veri të forcave ROSU i vjen era populizëm. Qeveria po mundohet të shfaq muskuj, forcë policore. Ndonëse vendimi për ta implementuar marrëveshjen mbi reciprocitetin është legjitim, mënyra se si duan ta implementojnë këtë marrëveshje nuk është ajo e duhura. Kjo marrëveshje ka mundur të implementohet përmes administratës dhe policisë kufitare. Veturave dhe kamionëve të Serbisë kanë mundur t’ju ndalohet qarkullimi edhe në kufi, edhe në krejt Kosovën. Andaj, koha dhe mënyra e reagimit është tipike populiste, e atij soji të populistit që dinë t’i shfrytëzojnë krizat politike dhe sociale. Indinjata legjitime e popullit të Kosovës mbi gjendjen në vend po manipulohet duke aktivizuar sentimentin patriotik. Nuk është real pretendimi se mund të imponojmë zgjidhje me forcë. Kush beson në këtë, është në një iluzion të thellë.

2. Çka synohet të arrihet përmes kësaj situate? Nëse Qeveria e Kosovës mendon se përmes demonstrimit të forcës në terren do të përmirësojë pozicionin e saj në procesin e dialogut, kjo është bindje naïve. Pse? Sepse, konturat e zgjidhjes së çështjes së veriut të Kosovës tashmë janë formësuar. Ekzistojnë dy alternativa: Asociacion me kompetenca politike ose demarkim i kufirit. Sipas mendimit tim, çdo asociacion, pavarësisht nga niveli i kompetencës politike, është bombë me sahat për të ardhmen e shtetit tonë. Serbët dhe Serbia si shtet do ta kenë një instrument të fortë në duar, sa herë që do duan ta destabilizojnë politikisht Kosovën. Është një rrezik i madh që serbët të përfitojnë nga situatat e këtilla dhe ta deklarojnë autonominë e tyre në mënyrë të njëanshme. Kjo nënkupton vazhdim të pafund i krizës. Dua të them se pavarësisht rezultateve që mund të sjell ky veprim, e vetmja zgjidhje afatgjatë e krizës është ajo politike. Kosova dhe kryeministri i saj do të detyrohet të dialogojë me përfaqësuesit e Serbisë.

3. Nëse Kryeministri shpreson në një mbështetje ndërkombëtare për veprimet e tij, edhe këtu gabon. Nuk është Serbia ajo e viteve 1990; ajo që shihej si nxitëse e luftërave ballkanike. As ne nuk jemi më të nivelit të viktimave që u kërcënuan me gjenocid. Serbia sot është vendi më tërheqës për investimet e huaja në rajon. Dhe, ata që dinë vetëm pak politikë, e kuptojnë se vendet perëndimore janë në shërbim të korporatave të tyre të biznesit. Domethënë, shteti e politika është në shërbim të ekonomisë. Shqiptarët kanë iluzionin se, për shembull, Amerika dhe Gjermania janë vendet e tyre më miqësore. Nëse miqësia në politikë do të thotë interes ekonomik, atëherë ajo miqësi duket e pasaktë. Po u ajap një shembull. Sipas Odës Ekonomike Gjermano-Serbe, aktualisht në Serbi operojnë 400 kompani gjermane, të cilat punësojnë rreth 70000 njerëz dhe, vitet e fundit, investimet gjermane kanë arritur rreth tre miliardë euro. Kur kësaj i shtohen edhe tre miliardë nga donacionet e qeverisë gjermane për periudhën 20 vjeçare, atëherë krahasimi me Kosovën është dëshpërues.

4. Statistikat thonë se Kosova, së bashku me Shqipërinë, janë vendet me emigracionin më të lartë në rajon. Por, e keqja edhe më e madhe është se, në të dy vendet tona, ikja e njerëzve me arsim të lartë është e frikshme. Ajo që quhet ikje e trurit ka ndikim shumë negativ në përparimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Prandaj, orientimi i vetëm i Qeverisë së Kosovës duhet të jetë kthimi i shpresës në këtë vend e jo krijimi i krizave të shpifura.
Si përfundim, Kosovës i duhet rrumbullakësimi i shtetësisë. Dhe, kjo nuk mund të bëhet pa bashkërendim të hapave politik më Qeverinë e Shqipërisë. Sa më shpejt që të kuptohet kjo, aq më shpejt do të fillojmë të shpresojmë se diçka pozitive po lëviz në vendet tona. 
Siç e kam theksuar edhe një herë, një Kosovë dhe një Shqipëri të zbrazura nga të rinjtë, nuk do të jenë në gjendje të funksionojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco