Rushi i Rrahovecit

Rushi i Rrahovecit

Nga Daut Dauti - 21/09/2021
Dy ‘gajbe’ rrush i bleva dje. Që të dyja kanë vetëm 1kg rrush. Por, shihjani çmimin! Gati 7 euro. Me këto pare n’Rahovec i kisha ble 10 kg. Ec e mos t’merr malli për Rahovecin dhe rrushin e tij.
Kur jemi te Rahoveci dhe rrushi, më duhet t’i them dy-tri fjalë për një një emison që një ditë e pashë në një televizion të Kosovës. Gazetarja nga vreshtat e Rahovecit fliste sikur që e kishte për qëllim ta irritonte shikuesin. Rrushit i thoshte ‘rush‘. Disa herë i bërtita përmes ekranit:”RRush, oj fisnike, RRush”, por kot. Ajo vazhdonte me ‘rush’. T’i thuash rrushit ’rush’ ia humbë tërë lezetin e ëmbël të lëngut që e ruan brenda në kokërr. E shikova emisionin deri në fund se pritja mos i ka ngatërruar shkronjat. Helbete, mos po i thot Rahovecit ‘Rrahovec”. Por, jo. Ajo, si duket, nuk e dinte se në gjuhën shqipe ekziston shkronja “Rr”.
Në fund të emisionit nuk më mbeti tjetër pos ta pyesja veten:”Qyshë bre bahet njeri gazetar pa i dijtë shkronjat e alfabetit? Kush e ka pranu n‘punë?” Me siguri e ka pranuar dikush që as vet nuk i di të gjitha shkronjat.
Kur jemi te rr-ja, pa e zgjatur shumë këtë muhabet, më duhet ta përmendi edhe një rast. Njëherë e dëgjoja njërin se si në telefon i kërcënohej dikujt. ‘Kam me t’re” - i thoshte duke mos i përdorur edhe dy germa tjera. Kur e kreu bisedën, nuk munda të mos i them:
”Kur ta kërcënosh dikend, duhesh t’i shqiptosh shkronjat siç duhet. Në këtë rast duhet të thuhet: kam me të rrehë. Mundësisht “rr”-jën dhe “h”-jën theksoj sa më shumë. Bile, rr-jën mos e lësho me dalë nga goja pa u dridhë gjuha mirë. Askush nuk të frikësohet nëse i thua “kam me t’re”.
Unë nuk jam ndonjë instruktor i boksit apo i ndonjë sporti luftarak e as psikoanalist i dhunës, por e di që shkronjat e kanë një arsye pse qëndrojnë ashtu siç janë në fjalë. Dhe, nëse dëshironi të krijoni efekt kur flitni, duhet t’i përdorni të gjitha shkronjat dhe ashtu siç duhet. Përndryshe, vetëm llomotitni kot.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco