Profili i një kryetari të korruptuar të një komune të varfër të Kosovës

Profili i një kryetari të korruptuar të një komune të varfër të Kosovës

Nga Fahri Beqa - 19/09/2021

Menjëherë pasi përfundon lufta në Kosovë në vitin 1999, ai vendoset në një banesë që ishte pronë e komunës natyrisht duke e përvetësuar atë. Nga aty e fillon karrierën e tij politiko-partiake si drejtor i bujqësisë së komunës, pasi e kishte kryer fakultetin e bujqësisë, dhe pas një kohe krijon rrethin e dostave dhe vartësve, bëhet edhe kryetar i degës së PDK-së, dhe menjëherë pas kësaj edhe kryetar i komunës.

Pastaj lulëzon karriera e tij me tempo eksplozive. Nga i diplomuar në Bujqësi, magjistron në Ekonomi e pastaj edhe DOKTORON dhe bëhet profesor fakulteti i EKONOMISË, e jo i Bujqësisë të cilën e kishte studiuar para luftës. Studimet e magjistratures dhe doktoratures i kryen në kohë rekorde paralelisht edhe duke qenë Kryetar i Komunës për 4 (katër) mandate. Punësohet në një Universitet në Kosovë. "Universitet" privat, natyrisht. 

Të gjithë familjarët e dostat e tij i punëson nëpër institucione publike/shtetërore (Postë/Telekom, administratë komunale, e institucione tjera), duke shfrytëzuar pushtetin dhe lidhjet e tij. 
Pasuria e tij multiplikohet e rritet në mënyrë eksponenciale. Nga një banesë e përvetësuar kalon në një shtëpi luksoze që kushton të paktën qindra-mijëra euro e pastaj gjithnjë duke shfrytëzuar pushtetin e tij, shndërron prona komunale në prona private duke manipuluar me kuvendin komunal nën kontrollë të tij, dhe ndërton ndërtesa banimi e lokale afariste me vlerë milionëshe. Natyrisht asnjë nga pronat nuk është në emër të tij. Ndërsa të gjitha hetimet që duhej të zhvillohen nga prokuroria, ndërprehen nga shokët e tij të Prontomafisë që e kanë kapur prokurorinë e gjyqësinë. Të gjithë profesionistët që i kishte administrata komunale i ka larguar dhe qeveris me një grup servilësh e fëmijësh të cilët i manipulon sa herë që i duhen për qëllime të tij.

Nuk ka lënë askund pronë publike që ka qenë në kompetencat e komunës pa e privatizuar/dhuruar te familjarët e dostat e tij. E ka futur në borgje dhjetëra milionëshe komunën gjatë 20 viteve të kaluara të cilat duhet ti paguajnë tash banorët e varfër të komunës në 20 vitet e ardhshme. 

Dhe duke mos mjaftuar e tëra kjo, i njëjti person kandidon prapë për mandatin e pestë për t'u bërë kryetar komune pa u skuqur dhe pa i ardhur turp fare dhe ju premton banorëve të komunës se në mandatin e ardhshëm do t'u rregullojë kanalizimin, ujësjellësin, largimin e bërllogut, asfaltimin e rrugëve - gjëra të cilat tash e 20 vite nuk i ka bërë. 

Pra nga një student i bujqësisë përmes politikës të stilit të aferës "Pronto" në Profesor Doktor të Ekonomisë në një Universitet privat, paralelisht duke qenë 20 vjet kryetar komune, dhe nga një banesë në shtëpi e villa luksoze dhe dhjetëra lokale afariste e dhjetëra apartamente banimi e kushedi sa e sa prona të tjera të "privatizuara".

Të gjitha këto me një rrogë të kryetarit të komunës!!!!!! 

Çka është edhe më e turpshme ende ka fytyrë t'i akuzojë qytetarët që janë detyruar të largohen nga komuna që e ka bërë të pajetueshme dhe që tani me vullnetin më të madh janë kthyer që t'a ndryshojnë këtë gjendje ku e ka katandisur "udhëheqja" e tij me shokë. 

P.S. Edhe pse nuk dëshiron të merresh me njerëz të tillë dhe të shkruash për gjëra të tilla, të detyrojnë kur i sheh se në çfarë gjendje e kanë sjellur personat e tillë diskursin publik, etikën e moralin njerëzor dhe në çfarë niveli të ulët i kanë sjellë normat shoqërore. Kjo gjendje duhet të ndryshojë, dhe që të ndodh kjo duhet të angazhohemi të gjithë, pa marrë parasysh se ku jetojmë. Kosova dhe ne shqiptarët meritojmë njerëz më të mirë në udhëheqje, e jo të tillë që na e fyejnë çdo ditë intelegjencën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco