Letra prekëse për vajzën e ish-të burgosurit politik në burgun e Novi Sadit

Letra prekëse për vajzën e ish-të burgosurit politik në burgun e Novi Sadit

Nga Mehmet Hajrizi - 17/09/2021
Nga libri „Korrespondencë nën censurë“ po e sjell një lëtër të datës 13 prill 1987, dërguar nga Burgu Hetues i Novi Sadit, vajzës time të vogël, Albanës.
Shumë e dashur Alba ime,
këtej më në fund filloi pranvera. Pak si me vonesë, por e bukur. Edhe te ju ka filluar. A je ndalur ndonjëherë ta vështrosh natyrën, kur fillon pranvera? Sa shumë ndryshime, apo jo?! Pranvera është stina më e bukur e vitit, prandaj e duan të gjithë.
A po të mbetet kohë e lirë për të luajtur nga pak në natyrë? Është mirë të gjesh pak kohë edhe për lojë. Në lojë pushon njeriu, argëtohet, por edhe edukohet. Vetëm se loja vjen pas kryerjes së detyrave; pas librit! Cila lojë të pëlqen më shumë? Unë di disa lojëra të bukura popullore për fëmijë. Më pëlqen shumë t’i shikoj fëmijët kur lozin. Shpeshherë hyja me kënaqësi në lojë bashkë me fëmijët.
Seç m’u kujtua një lojë e këtillë, këtu e nja dhjetë vjet më parë. Besoj se nuk do të mërzis po ta rrëfej tërë ngjarjen.
Kisha mbaruar punën në shkollë dhe po kthehesha në shtëpi. Ishte kohë dreke dhe mami, sigurisht po më priste të hanim bashkë bukë. Në të hyrë të qytetit, shoh një grup fëmijë, ulur në radhë ndanë rrugës. Ishte një ditë e bukur pranvere, si kjo sot kur po ta shkruaj këtë letër. Fëmijët, ulur në bar të njomë, plot gjelbërim, dukeshin si një tufë gonxhesh trëndafili, ngjyra-ngjyra. U afrova ngadalë. Nuk më kishin hetuar akoma. Ishin katër a pesë vajza dhe po aq djem. Sa mund të përcaktoja moshën e tyre, kishte nga klasa e tretë e më poshtë; madje, kishte edhe që s’kishin filluar akoma klasën e parë. Një vajzë e bukur, trëndelinë, kështu sa ti, qëndronte në këmbë përpara të tjerëve. Kjo ishte “mësuesja”, se dëgjova ta thërrisnin “e dashura mësuese”. Të tjerët, si ishin ulur ashtu në radhë, mbanin secili në prehër laps e fletore dhe shkruanin ca numra, natyrisht kush dinte. Ishte “ora e matematikës”. Po luanin. Unë, fët e fët, nxora stilolapsin tim, bllokun e shënimeve dhe u ula pranë “nxënësve”, duke marrë qëndrim sikur ata. U kthyen të gjithë dhe më shikuan me habi. Ajo vajza, që i thoshin “mësuese”, më pyeti: “Po ti?” Unë me zë të ndruajtur, si ata nxënësit që s’kanë arsyetim dhe kur flasin, nuk dinë ku t’i lënë duart, thashë: “E dashur mësuese, unë, unë u vonova pak, por pa fajin tim...ora ishte ndalur... tjetër herë nuk vonohem.” Stilolapsin e rrotulloja herë në njërën dorë, herë në tjetrën; gati sa s’e futa në gojë! Buzët më kishin mbetur të puqura dhe pak të nxjerra jashtë. Shikoja herë “mësuesen”, herë “nxënësit”, gjithnjë me druajtje. Por “mësuesja” kishte qenë lozonjare dhe e mençur. Më vështroi me një buzëqeshje të dëlirë. Në të dy faqet e saj si mollë, u formuan puçikët e vegjël. Pasi zgjati doçkën e djathtë drejt meje dhe e tundi dy-tri here, ngriti pak vetullat dhe më tha: “Mirë, mirë, tjetër herë eja me kohë!” Të gjithë qeshën të gëzuar. Loja vazhdoi.
Unë atë ditë zura disa miq të rinj e të vegjël. Edhe sot më kujtohen ata fëmijë të bukur e të mirë. Kur u ktheva në shtëpi, i tregova mamit ngjarjen dhe qeshi edhe ajo.
E dashur Albana, ti në bibliotekën tënde në shtëpi, e ke një libër të bukur me titull “Lojna popullore”. I thuaj mamit ta gjejë dhe shiko mos ka aty ndonjë lojë që të pëlqen.
Të uroj shëndet dhe sukses në mësim! Gjej pak kohë, sa për të më shkruar ndonjë letër. Më shkruaj çfarë nota keni në ditar.
Të përqafoj fort ty dhe të gjithë të tjerët në shtëpi! Përqafoi edhe ti për mua!
Të kujton gjithnjë babi yt, Mehmeti
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco