'Referendumi' i dytë i (pa) mundur i Albin Kurtit

'Referendumi' i dytë i (pa) mundur i Albin Kurtit

Nga Syri.net Kosova - 16/09/2021

Pavarësisht propozimeve për shkurtimin e fushatës, zyrtarisht aktivitetet partiake nisën anembanë Kosovës. Jozyrtarisht prej muajsh, politikanët janë në aksion në secilën komunë.

Zgjedhet lokale mobilizojnë shumë njerëz dhe kanë specifikat e tyre, që i dallojnë ndjeshëm prej votimeve për pushtetin qendror.

Sërish në rrethana pandemie, këtë herë me më shumë jetë të humbura e infektime, partitë ua mësyejnë votuesve që të kërkojnë besimin e tyre.

Me 17 tetor votohet për kryetarët e ardhshëm dhe Asembletë komunale. Shumë komuna mund të shkojnë në ballotazh e si rrjedhojë procesi mund të përmbyllet dikund në fund të vitit.

Sondazhet që qarkullojnë në mjediset politike e mediale, tregojnë për një zbehje të mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje dhe një këndellje të Lidhjes Demokratike.

Opozita u mundua ta shfrytëzojë një kërkesë të partisë së Kurtit për shtyrjen e zgjedhjeve si frikë nga përballja me votuesit, por pas takimit me presidenten, gjakrat u ulën. Nuk ka shtyrje. Fundja, pse duhet të ketë tani, kur nuk pati me 14 shkurt.

Manovra qeveritare për të fituar pak kohë më shumë që të ndërmarrë disa veprime të premtuara, por të zvarritura, ishte e pasuksesshme.

Në zgjedhje, pushteti gjithnjë përballet me ndëshkimin elektoral kur zhgënjen, mashtron dhe nuk mban premtimet. Gjithsesi, zgjedhjet lokale nuk janë zgjedhje për qeverinë e Kosovës, por për qeveritë e komunave.

Secila komunë ka specifikat e veta, arritjet dhe ngecjet, skandalet dhe premtimet e pambajtura.

Nga 913 premtime të dhëna nga 26 kryetarë aktual të komunave, 467 premtime janë përmbushur plotësisht, 165 premtime janë gjysmë të përmbushura, në 159 premtime ka pasur nisma në përmbushjen e tyre, ndërsa 122 premtime nuk janë përmbushur fare.

Votuesit në secilën komunë, e përcaktojnë nëse duan t’ua japin sërish mandatin kryetarëve që rikandidojnë apo do të provojnë alternativa të reja. Fushata ka rëndësi të madhe për t’ua shpjeguar atyre programet dhe zotimet për mandatin e ardhshëm.

Por, kush duhet të votohet, cilat parti e cilët kandidatë?

Garat më interesante janë në qendrat e mëdha, sidoqoftë interesim ngjallin edhe komunat më të vogla.

Pas “referendumit” të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me Listën Guxo, presin një trium të radhës, kësaj radhe jo lehtësisht i parashikueshëm.

Përparësia që e ka LVV-ja në këto zgjedhje është se me përjashtim të komunës së Prizrenit dhe Mitrovicës, në pjesën tjetër paraqet një alternativë ndaj pushtetit aktual. E kombinuar kjo me favorin që ta jep pushteti qendror, mund të rezultojë në një fitore të partisë qeveritare në plot komuna.

Sfida kryesore do të jetë balotazhi, ku të gjithë duket se janë kundër LVV-së. Albinit i kujtohet si e fitoi Shpendi Prishtinën në balotazh, pasi të gjithë u bënë bashkë kundër Isa Mustafës që priste fitoren me “duar në xhepa”.

Kandidatët luajnë rol vendimtar në garën për kryetar të komunës. Mbështetja partiake ka peshë të padiskutueshme, por profili i kandidatit përcakton edhe orientimin e votave.

Votuesit do të duhej të bazoheshin në ofertën programore dhe bartësit e saj në komuna, por vështirë të shmanget ndikimi i performancës së qeverisë Kurti në verdiktin final që e merr secili se kënd do të votojë.

Këta muaj, dëshmuan se edhe për Albin Kurtin, qeverisja nuk është fushë me lule, ndërsa ndryshimi i shumëpritur duket se do të jetë tepër i ngadaltë, në mos më keq.

Pjesa dërrmuese e arritjeve që i proklamon qeveria, janë më tepër statistika dhe vijimësi e vendimeve të qeverive të mëparshme sesa diçka që luan rol vendimtar në jetën e kosovarëve.

Pa hyrë në shifra e të dhëna të tjera, jeta në Kosovë është shtrenjtuar gjatë pandemisë, ndërsa ende nuk ka një rrugëdalje të propozuar nga qeveria.

Qeveria mund të mburret se po u paguan policat në kufi  mërgimtarëve, por këto pagesa bëhen me paratë e taksapaguesve kosovarë, ndërsa sigurim për ta është rritur gati 30 për qind.

Suksesi i një qeverie matet me rritjen e mirëqënies së popullatës, forcimin e drejtësisë dhe hapjen e perspektivës.

Njerëzit e dinë se një termin për vizë gjermane po shitet deri 4500 euro. Nuk ka liberalizim vizash as me qeverinë Kurti. Nuk ka rritje pagash. Ka fryrje të faturave shpenzimeve, ndërsa të ardhurat janë po ato. Me një fjalë, varfëria po thellohet te plot familje,  ndërsa po troket te shumë të tjera.

Masat sociale, si ato për lehonat e fëmijët, janë të mirëseardhura, megjithatë nuk mjaftojnë as përafërsisht që ta zbusin situatën e rënduar.

Në këto rrethana, fushata drejt zgjedhjeve lokale, do ta ballafaqojë me ashpërsi opozitën me qeverinë Kurti, edhe pse luftohet për pushtet komunal.

Se si do të justifikohet kryeministri, mbetet të shihet kur të dalë në fushatë.

Një gjë dihet, fjalët e bukura i merr era. Populli do punë e të ardhura, shtet ligjor e ambient të pastër, arsim të mirë e shëndetësi cilësore.

Mund të jetë vërtet ende herët, por ende asgjë nuk po shihet qartë as me pushtetin e Albin Kurtit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco