E djathta shqiptare në udhëkryq, një Judë si Luli dhe Sali Berisha

E djathta shqiptare në udhëkryq, një Judë si Luli dhe Sali Berisha

Nga Syri.net Kosova - 14/09/2021

 

Sali Berisha për PD-në është si Ibrahim Rugova për LDK-në. Mund ta imagjinojmë një situatë sikur Rugova të ishte gjallë, e  në të gjallë të të tij, kryetari i ri, Lumiri, ta përjashtonte nga partia pasi i është ndalur shkuarja në SHBA, pa nxjerrë as edhe një fakt konkret.

Partia gjithnjë e ka një kryetar, por lider jo gjithmonë prodhojnë rrethanat specifike të kohës. Me PD-në ndodhi ajo që i ngjau LDK-së në Kosovë. Fatmir Sejdiu e Isa Mustafa nuk u bënë dot liderë. Si rrjedhojë, partia e tyre humbi gjithnjë në zgjedhje. Kur fajësohet brezi i vjetër, sytë drejtohen te politikanët e rinj me perspektivë. Luli i tillë ishte dhe shansin e pati. Por, nuk fitoi. Nuk i ngjiti demokratët as aty ku i la Berisha.

Problemi nuk ishte nëse kryetari qe i ri apo i vjetër. Lider ose je, ose nuk je. Për fatin e keq të demokratëve, Basha përfundimisht e vulosi veten te kategoria e dytë.

Krahasimi mes PD-së e LDK-së nuk është i rastësishëm. Këto janë dy partitë kryesore që mbajnë ende flamurin e së djathtës shqiptare.

Për dallim prej Lidhjes Demokratike që e humbi liderin e padiskutueshëm, PD-ja në Shqipëri, e kishte aty, si një kontribuues i pandalshëm, por jo më në lidershipin dhe strukturat drejtuese të subjektit.

Mosdalja e Lulit nga hija e Berishës, është përgjegjësi personale e tij. Siç është përgjegjësi personale e Sejdiut e Mustafës që nuk dlinin nga hija e rugovizmit.  

LDK-ja se mori kurrë veten. As PD-ja nuk u ngjall dot. Mungesa e liderit të vendosur që bën opozitë të vërtetë, u kushtoi rëndë dy partive te djathta. Si rrjedhojë, të majtët e morën dhe e konsoliduan pushtetin në Tiranë e Prishtinë.

Po, amerikanët, çfarë bënë?

Më anti-amerikan se Kurti, nuk është portretizuar asnjë politikan shqiptar deri më sot. Beteja e tij për pushtet nuk i kursente as ambasadorët amerikanë. Sidoqoftë, Albini tejkaloi çdo parashikim dhe fitoi pushtet absolut, pak muaj pasi e rrëzuan amerikanët.

Në listën e zezë të SHBA-së, ka plot politikanë shqiptarë në Maqedoni e Kosovë, që mbeten prej kohësh në pushtet e me ndikim të madh.

A kanë amerikanët gjithnjë të drejtë?

Përballë një superfuqie, një politikan shqiptar, sado historik e i rryer, duket i pafuqishëm. Por, a është nënshtrimi dhe bindja, mbi kurrizin e një kauze që ndiqet nga qindra e mijëra demokratë, rruga drejt një suksesi përmes pazareve e prapaskenave? Nëse Basha ia hedh pa u lagur kësaj here, i bie që e paska trasuar hendekun e duhur. Për veten e tij!

Për PD-në, mobilizimi i Berishës  76 vjeçar mund të jetë një moment kthese dhe ringjalljeje, më tepër se rikthim në të kaluarën.

Kur i sheh pseudoanalistët në ekrane që bërtasin për largimin nga skena politike të figurave që tërë jetën ia kanë kushtuar politikës, nuk ke si të mos ua kujtosh për shembull presidentin e Amerikës, një politikan i vjetër 78 vjeçar. Tre vjet më i ri është ish-presidenti Trump.

A do duhej ata të ishin pensionuar tashmë?

Dikush duhet ta nxjerrë nga gjumi të djathtën shqiptare. Këndej e andej kufirit. Në Kosovë, Lumir Abdixhiku e ka momentin për të vepruar dhe zgjedhjet e radhës, janë një test i fortë për lidershipin e tij.

 Në Shqipëri, pas  veprimit të Bashës që të kujton tradhtinë e Judës që ia bëri Jezusit për 30 monedha argjendi, barra e fuqizimit të PD-së po ribie mbi liderin historik të demokratëve. Nëse ia del mbanë, Sali Berisha do të mbetet si rrallëkush në historinë politike.

Për shqiptarët që kanë vuajtur shumë nga regjimet e majta që për pushtet e para shkelin mbi komb e atdhe, forcimi i së djathtës është imperativ i kohës.

Sa më shpejt, aq më mirë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco