Intelektualët e PDK, mjeti për retushim të personave më të dëmshëm për vendin në periudhën e pasluftës

Intelektualët e PDK, mjeti për retushim të personave më të dëmshëm për vendin në periudhën e pasluftës

Nga Driton Vela - 14/09/2021

Një prej strategjive të pushtetit Pronto për të fituar në mënyrë perfide simpatinë e popullit ka qenë krijimi i iluzionit sikur PDK nuk është vetëm parti e banditëve të cilët e shkatërrruan Kosovën në periudhën e pasluftës, por edhe parti ku aderojnë personalitete të shkolluara, intelektualë e pjesëtarë të stafit akademik.

Vendosja e këtyre personave në pozitat kyqe në parti ka qenë vendim i kalkuluar për ta ushqyer iluzionin e partisë moderne, duke vendosur në prapavijë apo duke zbutur paraqitjen në publik të liderëve të vërtetë të PDK si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Sami Lushtaku, Elmi Reçica e të ngjashëm si këta. 
Sesa e treguan veten me aftësitë e tyre intelektualët e PDK në dobi të interesave të qytetarit mjafton vetëm ta rikujtojmë bisedën e Adem Grabovcit me një prej fytyrave më të sforcuara nga PDK e cila ka shërbyer për krijim të imazhit të pranueshëm për popullin, Vlora Çitakun.

Në bisedën e famshme të Pronto mafisë, Vlora Çitaku, ndonëse ministre, zyrtarisht me pozitë më të lartë se Adem Grabovci në atë kohë, totalisht i përulej dhe vihej në shërbim një prej shefave të vërtetë të PDK, duke mos diskutuar e kontestuar asgjë që kërkonte ai. S

Sigurisht, për këtë dëgjueshmëri shpërblehesh mirë nga shefat e vërtetë të PDK, e Vlorës personalisht kjo dëgjueshmëri i ka sjellur benefite të cilat tashmë dihen botërisht.

Të ngjashëm me Vlorën janë edhe këta të tjerët si Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi, Memli Krasniqi, Uran Ismaili. Ky i fundit është një prej shërbëtorëve më besnik të Kadri Veselit. Është bërë pjesë e ekipit të Kadri Veselit ende pa u bërë Kadri Veseli kryetar i partisë, ndërsa sigurisht që nuk është e çuditshme si arriti më pastaj të bëhet ministër. Kërcim i madh për Uran Ismailin, ish këshilltarin e Blerand Stavilecit.

E çfarë bëri ky intelektual për vendin? Një prej vendimeve të para që u morrën gjatë periudhës kur ishte ministër ishte ndërrimi i organogramit të SHSKUK, përmes të cilit iu mundësua PDKsë të punësojë një mori të njerëzve në pozita të shpikura në këtë institucion të rëndësishëm. Uranit nuk i interesoi e mira e përgjithshme, ai zbatoi urdhërat nga lartë me përpikmëri.

Më pastaj, shkeljet ligjore të konstatuara nga juristët gjatë përpilimit të këtij organogrami bënë që të shfuqizohet ky organogram. Por, dëmi veçmë ishte bërë, dhjetëra njerëz të afërt me PDK u punësuan duke shfrytëzuar mundësitë që ofronte organogrami i ri i SHSKUK (rrogat e të cilëve paguhen nga ne, taksapaguesit e Kosovës).

Ngjashëm, ka ndodhur edhe me spitalin e Mitrovicës e Vushtrrisë, ku emërimet të natyrës politike asnjëherë nuk i penguan Uran Ismailit. Por, kjo nuk është e tëra. Paaftësia për ti kuptuar prioritetet në shëndetësi ka bërë që drejtime të rëndësishme në mjekësinë kosovare të mbesin pa mjek specialistë për shkak të mosshpalljes të konkursit për specializantë në degët ku kishte deficit të theksuar të specialistëve. Pasojat e këtij mosveprimi u panë gjatë pandemisë, nuk kishim epidemiologë të mjaftueshëm, nuk kishim mikrobiologë të mjaftueshëm, nuk kishim anesteziologë të mjaftueshëm, nuk kishim infektologë të mjaftueshëm, nuk patëm aparatura për PCR, por as nuk kishim plan të përgaditur për pandemi të tilla.

Kjo lojë e ndytë e PDK me publikun e fsheh qëllimin e vërtetë mbrapa promovimit të këtyre fytyrave, që është vazhdimi i ndikimit dhe pushtetit të bosëve të vërtetë të PDK, sepse ngjashëm me stilin e mafisë, PDK është udhëhequr dhe merr vendime përmes bosëve të partisë e jo me kryetarë kukull të partisë.
Ne këtu në Prishtinë i kujtojmë mirë të bëmat e banditëve pas luftës dhe dëmin të cilin ja bënë qytetit tonë. Lojërat e këtyre banditëve me emra intelektualësh i kemi mësuar me kohë, prandaj nuk mashtrohemi me fatamorganat e PDKsë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco