Gjashtë vitet e Gjykatës Speciale

Gjashtë vitet e Gjykatës Speciale

Nga Dren Dushi - 05/08/2021

Libri “Paqe me çdo kusht- Si dështoi bota në Kosovë” i dy autorëve Ian King dhe Whit Mason, paraqet një këndvështrim të dy autorëve të huaj, që kanë punuar gjatë tranzicionit në Kosovë, për shumë çështje që akoma janë duke ndikuar të githa sferat në Kosovë. Kur UNMIK-u dhe mekanizmat tjerë administrues të Kosovës së para shpalljes së Pavarësisë kishin filluar një fushatë për “kapjen e peshqëve të mëdhenjë”, nga Lozana (bazë e NATO-s) kishin ardhur instrukcione të mos bëhej një gjë e tillë, kjo sipas dy autorëve të sipër përmendur. Por përse ndodhnin këto interferime të gjeopolitikës në drejtësinë dhe krijimin e një shteti normal në Kosovë?

Mirëfilli na del aktori i fuqishëm gjeopolitik ballkanik, Serbia, thembra e Akilit të stabilitetit ekonomik, politik dhe të sigurisë në Ballkan, meqë Serbia, ka një mik të madh historik, Rusinë, gazin prej të cilit varet BE-ja, ushtria prej të cilës frikësohet BE-ja, që nga 45’-ta kur dhunuan pothuajse gjithë Evropën lindore. Serbia ka kapacitete të mëdha diplomatike si pasojë, ato paraqiten në këtë formë: më prekni në Kosovë, ju prek në Bosnjë, më prekni në integrime ju prek në integrimin e Rusisë në Danub, Hercegovinë dhe ekonominë serbe, dhe së fundi, po nuk më japët atë që dua (liberalizim vizash, hapje negociatash), sjell teknologjinë më të fundit ushtarake ruse në shkallë të gjerë brenda oborrit ballkanik të rrethuar me vende të NATO-s.

E ndodhur në këtë shantazh dhe problem jo pak serioz të quajtur Serbi, mekanizmat administrues ndërkombëtarë në Kosovë në formë të UNMIK, KFOR dhe formave tjera, përherë kanë qenë (dhe janë) nën interferimin e gjeopolitikave. Kjo gjeopolitikë, deri në ditët e sotme, ka tentuar të zgjedhë problemin Kosovë-Serbi duke marrë parasysh fuqinë Serbe, dhe duke tentuar të mbajnë Shqipërinë (si akter potencial komplikues disbalancues) sa më të zbehtë, gjë që po e bën në mënyrë par-exelance Kryeministri Edi Rama që më shumë gjason me një administrator të huaj të Shqipërisë si Vilhem Vidi dikur. Por sa inerci gjeopolitike paraqet Kosova me 1.7 milionë banorët e saj, 58% e të cilëve para 60 vitesh ishin analfabetë?

Këtu paraqiten dy probleme për bashkësinë ndërkombëtare, që do të zgjidhë konfliktin Kosovë-Serbi; trashëgimia politike e Presidentit Rugova dhe trashëgimia politike e forcës guerile UÇK.  Trashëgimia e parë, pra ajo e Presidentit Rugova është shkatërruar që në Kuvendin e “karrigeve” që mbajti LDK, për të vendosur në krye të saj një ekipë që njihet si ekipa e 3%-shit dhe ca servilë që vrapuan pas tyre. Trashëgimia e dytë, ajo e UÇK-së, u shkatërrua në një formë më mashtruese.

Si grup kryesisht me bazë rurale, dhe të shtresave të mesme e të ulëta për sa i përket familjeve në aspektin ekonomik, krerët e luftës guerile në Kosovë u pikasën si lakmitarë të pushtetit, parasë, qytetrimit dhe “aristokracisë”. Bashkësia ndërkombëtare me një traditë mijëra vjeçare të njohjes së natyrës njerëzore, diplomacisë dhe mashtrimit, krijuan kushte të volitshme që ky grupim politik (kryesisht ata që kontrolluan pjesë politike të UÇK-së dhe fondin Vendlindja thërret) të arrinte të kapte shtetin, në kuptimin klasik të fjalës kapje. Që nga kjo kohë, në Kosovë ishte normale që Policia e shtetit të jetë nën komandën e një grupi me lidhje direkte me partitë politike që u përshtatën në këtë skemë “stabilitet-bërës”. Nepotizmi, rajonalizmi, klientelizmi, tejkalojnë të gjtha parashikimet në rastin e Kosovës. Ishte normale që emërimi i gjykatësve, prokurorëve, noterëve, rektorëve, profesorëve, avokatëve, në shkallë të gjerë, të kalonte në duar të dy tre individëve që kishin bërë këtë kontratë me bashkësinë ndërkombëtare. Dhe cila ishte kjo kontratë?

Kontrata parashihte që Kosova të pajtonte Serbinë, dhe të plotësonte kërkesat e saj, dhe si shpërbëlim bashkësia ndërkombëtare do toleronte kapjen e shtetit në Kosovë. Por po në të njejtën kohë, bashkësia ndërkombëtare, përmes shërbimeve intelegjente të veta dhe KFOR-it, do përcillte aktivitetin e bandave politike në Kosovë, dhe për çdo rast, do t’i ruante këto informata për shantazh, në rast se ndonjë ngërç diplomatik ndodhte. Por gjërat dolën jashta parashikimeve, siç kishin ndodhur në Irak, Afganistan, Egjipt, Libi, Siri, Bosnje, Ukrainë, Bellorusi...

Bashkësia ndërkombëtare jo e gjitha do pajtohej me këtë formë të administrimit të Kosovës, dhe përgjithësisht gjeopolitikës në Ballkanin Perëndimorë. Ky mospajtim, arriti kulmin kur Ambasadori skandaloz Grenell kërkonte një zgjedhje me shkop magjik të çështjes së Kosovës (për ta shpërbëlyer shefin e tij), në kundërshtim me vullnetin elektoral këtu, dhe në kundërshtim me vullnetin diplomatik të BE-së, respektivitsh Parisit dhe Berlinit zyrtar, të cilët nuk hezituan ta kundështonin hapur.

Kosova dështoi si shoqëri për 15 vite, ekonomikisht, politikisht, kulturalisht dhe fluksi i emigrantëve të cilët do “rehatonte” ekonomia e BE-së, në mungesë edhe të gatishmërisë integruese të tyre si grupe të izoluara dhe prapambetura kulturalisht, nuk pushoi së rrituri. E tërë formula e përdorur për shumë vite, dështoi, dhe si rrjedhojë duhej aktivizuar plani B: VEPRIMI I GJYKATËS SPECIALE.

Me një arkivë mijëra faqesh, të marra nga UNMIK-u, Prokuroria e Kosovës, Prokuroria e Serbisë, Carla del Ponte, senatori Marty, dhe shumë raporte ndërkombëtare por edhe të OJQ-ve, partive politike, individëve, gazetarëve, biznesmenëve etj, Dhomat e Specializuara bënë goditjen e tyre pikërisht në momentin kur ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po udhëtonte drejt SHBA-ve për një takim të rëndësisë diplomatike (pavarësisht epilogut).

Gjashtë vite ekzistencë, vetëm një muaj lëvizje, pasi rrjedha e ngjarjeve, kontrolli politik i Kosovës dështoi nga skena politike e cila e shpallur e pa vlefshme nga ata që i ngritën, për brenda një dite të vetme i ulën, duke i akuzuar për pjesëmarrje në 100 vrasje dhe duke i quajtur Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.  U eliminua politikisht Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi (pavarësisht formës si u zgjodh), u eliminua politikisht kreu i PDK-së z.Kadri Veseli dhe për balancë u thirr edhe Rexhep Selimi e shumë të tjerë që gabuan në hapa.

Sot, pas gjashtë vitesh, Dhomat e Specializuara akoma kanë ndikim të madh në zhvillimet gjeopolitike të Kosovës. Mund të mendohet se tashmë, duke qenë se kemi një Qeveri stabile, mund të pozicionehemi në formë rigide karshi Serbisë, por Dhomat e Specializuara kanë mjete të fuqishme shantazhuese karshi procesit. Si fillim, Dhomat e Specializuara mund të shantazhojnë Qeverinë duke i liruar të gjithë të akuzuarit dhe sjellur në Kosovë për një organizim në formë rebelimi kundër Qeverisë, me ç’rast do ishte shpallur një kauzë si “Qeveria po lufton UÇK-në” apo diç e ngjashme. Së dyti, Dhomat e Specializuara mund të ndikojnë procesin duke shantazhuar për rëndim të aktakuzave, arrestime tjera dhe dëmtim të imazhit të Kosovës në nivel ndërkombëtar aq sa të stagnojnë totalisht njohjet (ndonëse kanë stagnuar).

Përse për më shumë se dy dekada, një shoqërie kaq të dobët e varur, nuk ju instalua një sistem i drejtësisë të paktën, që do ishte i aftë të krijonte kushte normale sigurie dhe drejtësie? Ku shkuan ato miliarda dollarë në formë UNMIK-u, EULEX-i e plot projekte tjera shtet-ndërtuese? A nuk qe e aftë bota demokratike të instaloj bazat e një shteti demokratik dhe të mirëfilltë në Kosovë? Apo tërë energjitë u fokusuan në real-politikën e shekullit 18, një politikë e interesave të përkohshme të së fuqishmëve.

Gjykata Speciale do fitonte besueshmëri sikur të mos akordohej me zhvillimet politike në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Kjo Gjykatë, tash që kemi një qehtësi deri diku politike, do zvarisë proceset e saj. Dhe për ta testuar akoma më mirë qenien e saj, duhet pritur deri te një ngjarje e madhe politike, teksa ajo do bëj ndonjë “befasi” të rradhës. Tash për tash, “peshqit e mëdhenjë” janë dhe nuk janë të kapur. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco