Kosova e paraqiti veten si faktor për paqe dhe zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve

Kosova e paraqiti veten si faktor për paqe dhe zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve

Nga Arbër Zaimi - 19/07/2021
1. Përmes kërkesës për një pakt mossulmimi, Kosova e paraqet veten si faktor i përkushtuar për paqe dhe zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve. Njëkohësisht, refuzimi i Serbisë për ta nënshkruar, evidenton se Beogradi ende ushqen prirje agresive ndaj territorit dhe popullit të Kosovës. Këto dy evidenca, që u mundësuan pikërisht prej propozimit të marrëveshjes nga KM i Kosovës, Albin Kurti, janë të rëndësisë prioritare përballë ndërkombëtarëve që këshillojnë dialogun dhe janë të interesuar për paqe.
2. Si rrjedhojë direkte e evidentimit të gatishmërisë së Kosovës për zgjidhje paqësore dhe mospranimit të Serbisë për mossulmim, forcohet argumenti për a) forcimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, b) për integrimin e Kosovës sa më shpejt në NATO, dhe c) për vazhdimin e prezencës së ushtrive të NATO-s në Kosovë. Këto janë të domosdoshme për të ruajtur paqen aty ku ka një faktor i cili haptazi nuk pranon të heqë dorë nga mundësia e agresionit ushtarak.
3. Me paraqitjen nga ana e Zv. KM, prof. Besnik Bislimit të 11 kërkesave për largimin e 11 llojeve të pengesave jo-tarifore që Serbia ua bën qytetarëve, bizneseve, mallrave e mjeteve të Kosovës, bëhet e qartë se si Serbia, edhe pse ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA, në terren prodhon efekte bllokuese, diskriminuese, penguese, për tregtinë dhe ekonominë e Kosovës. Mospranimi i kërkesave nga ana e Serbisë tregon se përkushtimi i saj për lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave e për tregti të lirë, është vetëm në letër. 
4. Ekspozimi i kësaj hipokrizie të Serbisë është parakusht i domosdoshëm për vendosje të reciprocitetit nga ana e Kosovës. Meqenëse vendosja e reciprocitetit herën e kaluar u shfaq (fatkeqësisht me ndihmën edhe të disa partive shqiptare) si dëm që Kosova ia bën parimeve të tregtisë ndërkombëtare, tash evidentimi i 11 llojeve të barrierave që vazhdimisht i aplikon prej vitesh Serbia tregon se cili vend në fakt po i diskriminon tregtarët dhe produktet.
5. Për herë të parë në politikën e tyre të jashtme shqiptarët sjellin në tavolinë çështjen e një spastrimi që ka ndodhur para se të krijoheshin shtetet shqiptare, spastrimi i shqiptarëve prej Sanxhakut të Nishit e Toplicës. Ai spastrim, i kryer nga shteti e ushtria serbe, vetëdijësoi asokohe shqiptarët për t’u mbledhur në Lidhjen e Prizrenit. Projekti ynë kombëtar e ka themelin te rezistenca kundër gjenocidit, dhe këtë është mirë t’ia themi e t’ia dëshmojmë botës. Po ashtu, është mirë të dihet se Serbia, që kërkon sot dëmshpërblim tokësor, në fakt ka marrë tashmë boll toka ku dikur shqiptarët ishin shumicë sipas censuseve të kohës, e sot s’ka asnjë për be. Pasardhësit e të shpërngulurve dhunshëm janë gjallë, kanë dokumenta pronësore, dhe kanë trashëguar vuajtjen e varfërimin e paraardhësve të tyre, ashtu siç dikush është pasuruar padrejtësisht me ato prona të zaptuara.
6. Librat me rrëfimet e grave të dhunuara dhe me emrat e fëmijëve të vrarë e të zhdukur, sjellin në vëmendje historinë e viteve ‘90. Përveçse krime lufte e krime kundër njerëzimit, duke shpërngulur dhunshëm përtej kufijve të Kosovës mbi 1.000.000 shqiptarë, duke vrarë civilë të paarmatosur, duke përdhunuar, shkatërruar e djegur, në fakt ushtria, policia e paramilitarët e Serbisë së Milosheviçit, ku presidenti aktual Vuçiç atëbotë ishte ministër i informatave, arritën të ndryshonin strukturën etnike të popullatës. Pati qytete e krahina ku s’mbeti më asnjë shqiptar. Ky është gjenocidi. Fatmirësisht nuk u bë definitiv, sepse UÇK-ja rezistoi, dhe NATO-ja ndërhyri. Por tentativa ishte serioze, programatike dhe u zbatua në terren. Vendet perëndimore, sidomos ShBA, për të cilat Kosova paraqet momentin në të drejtën ndërkombëtare kur për herë të parë justifikohet ndërhyrja ushtarake për shkaqe humanitare, asnjëra nuk është kundër intencës së Kosovës për të ngritur padi për gjenocid. Madje, mendoj se edhe do t’u interesonte kjo padi, sidomos kohët e fundit kur në qarqe diplomatike po diskutohet për nevojën e veprimit për parandalim apo zmbrapsje të gjenocidit edhe në vende të tjera të botës.
7. Nëse qytetarët e Serbisë duan paqe në rajon dhe asocim me perëndimin, tash kur po bëhet gjithnjë e më evidente një ringjallje e “luftës së ftohtë” (për shkaqe të garës ekonomike e ushtarake ShBA - Kinë), atëherë do të duhet të largojnë prej pushteti një njeri që refuzon paqen, që nuk dëshiron të pranojë krimet e të shkuarës, e që vepron me hipokrizi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco