Çmendet një vend për një fustan të huazuar!

Çmendet një vend për një fustan të huazuar!

Nga Enver Robelli - 17/07/2021

Më 12 gusht 2020 revista «Vogue», ajo revista e famshme globale, botoi një shkrim të gjatë me titullin: Si u bë ky fustan aq i popullarizuar gjatë pandemisë? Tani kujdes: bëhej fjalë për fustanin me dredhëza të kreatores kosovare Lirika Matoshi.

Në opinionin kosovar shpërtheu entuziazmi: një kreatore kosovare e modës bëhej temë globale. Pas pop-muzikës ku dominojnë Dua Lipa e Rita Ora, tani shihej edhe talenti i një kreatoreje të modës nga Kosova, pra i Lirika Matoshit. Tani sërish kujdes: Lirika Matoshi vendos që fustanin t’ia huazojë vajzës së kryeministrit për ta prezantuar në Festivalin e Filmit në Cannes.

Lexojeni mirë: t’ia huazojë! Sepse si dhuratë ishte refuzuar, sipas dëshmisë së kreatores Matoshi. Këtu pastaj fillon komedia, skandali dhe poshtërsia: del një pioniere e një partie pa asnjë votë dhe thotë: këqyrni, këqyrni, çika e kryeministrit me fustan 500 dollarë.

Dhe pastaj diga u thye dhe portalistët i kapën thikat në përpjekje për të bërë skandal diçka që nuk është skandal. Askush nuk e verifikoi vërtetësinë e postimit të aktivistes së mllefosur. U shkel rregulli numër një i gazetarisë: verifikimi i lajmit. Ka 24 orë që përtypet një rrenë.

A e merr kush përgjegjësinë për këtë tmerr “medial”? Për këtë fake news? Harrojeni.

Portalistët janë duke i vringëlluar thikat për t’i rënë në qafë viktimës së radhës. Kështu po funksionin “gazetaria” në Kosovë në vitin 2021: dikush plason një rrenë, rrena pastaj distribuohet gratis nga “portalet”, inskenohet një fushatë, bëhet zhurmë, pastaj inskenohet skandali tjetër. Kjo qeveri meriton të kritikohet e të vëzhgohet më ashpër se çdo qeveri tjetër, sepse ka premtuar se do të jetë qeveri TJETËR. Por jo me rrena me fustan dhe me përralla me tupan!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco