E dimë se ka të tillë që e ëndërrojnë përditë dështimin e Vetëvendosjes

E dimë se ka të tillë që e ëndërrojnë përditë dështimin e Vetëvendosjes

Nga Arbër Zaimi - 16/07/2021

Thanë: po viziton Greqinë në hotel superluksoz, në fakt hoteli ishte me katër yje, dhe ishte simpozium, pra takim pune, ku kostot i mbulonin organizatorët.

Thanë: po takon “shokët e majtë”, e në fakt Albini jo vetëm që lobon në partitë socialdemokrate për interesa të Kosovës, por u prit zyrtarisht nga kryeministri grek Micotaqis i qendrës së djathtë, si dhe nga ish-kryeministri socialist Cipras dhe ish-kryeministri socialdemokrat Papandreu.

Këto janë takime të një niveli më të lartë se kurrë ndonjëherë, me gjithë spektrin parlamentar veç ekstremeve, në një vend me të cilin po punohet për të arritur njohjen.

Thanë: e braktisi Deçanin, ndërkohë që për situatën në Deçan u angazhuan me urgjencë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ai i Mbrojtjes Armend Mehaj, ai i pushtetit lokal Elbert Krasniqi dhe ai i Mjedisit Liburn Aliu.

U akordua menjëherë një shumë prej 150.000 eurosh për të prekurit, dhe situata duket se është nën kontroll teksa u evidentua edhe shkaku i helmimit.

E çuditshme është se ata që ankohen se “Kurti qeveris i vetëm” janë po të njëjtët që ankohen se “ministrat po qeverisin pa Kurtin”.

Thanë: rriti shpenzimet për popullin me ngjitësin për evidentim të regjistrimit të veturave, projekt që e kishin bërë vetë tre vite më parë. Protestojnë kundër regjistrimit të veturave të paregjistruara, sepse kjo kushton 5 euro, dhe nuk e përmendin se mosregjistrimi po kushton 30 euro (për veturë).

Thanë: i veshi së bijës në Cannes fustan 500 euro, por për të bijën e për të shoqen fustanet janë të huazuara nga stilistet e Kosovës, si promovim i artit vendas, arsye për të cilën edhe kanë shkuar në Cannes.

Thanë: shkuarja në Cannes ku po merr pjesë në garë një regjisor e film kosovar, është politizim i eventit. Por filmi trajton pikërisht nevojën për njohje e deizolim të Kosovës, dhe është zakon që në përfaqësimet e larta kulturore apo sportive të shtetit, udhëheqësit politikë marrin pjesë edhe për diplomaci.

Kujtoni psh. Evropianin e futbollit. Po të ishte Kosova në finale, a duhet të shkonte kryeministri? Pse për futboll po e për art jo?

Thanë: dhuna policore është njësoj si më parë. Por gjatë ditës ka filluar me urgjencë puna e inspektoriatit të policisë, dhe janë marrë për herë të parë masa konkrete për forcën joproporcionale që nuk justifikohet nga asnjë provokim.

Thanë çka nuk thanë (më përpara thanë edhe se s’do vijnë vaksinat e ato erdhën, thanë se ishin të skaduara e Norvegjia i demantoi, thanë se nuk i do Amerika dhe erdhi Clark-u). Edhe prapë do thonë çka s’do thonë, se u djeg.

E dimë se ka të tillë që e ëndërrojnë përditë dështimin e Vetëvendosjes.

Por lajmi i vërtetë është se kërkesat e studentëve të cilët tash e shumë vite protestojnë, u plotësuan. Arsimi publik universitar falas!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco