Helmimet në Deçan – Rëndësia dhe obligimet për menaxhimin e resurseve natyrore

Helmimet në Deçan – Rëndësia dhe obligimet për menaxhimin e resurseve natyrore

Nga Egzon Tahirukaj - 15/07/2021
Helmimet në Deçan – Rëndësia dhe obligimet për menaxhimin e resurseve natyrore (pyjeve, zonave të mbrojtura) në funksion të ruajtjes së burimeve ujore që përdoren për pije.
Sipas OBSH (1993), "Ofrimi i ujit të sigurtë dhe të pastër për pije është shërbimi më i rëndësishëm i ekosistemit"
Derisa, edhe pas gjashtë ditëve nuk kemi rezultate zyrtare të shkaktarit të infeksionit, kemi të drejtë të ngritim hipoteza dhe dyshime në drejtime të ndryshme (edhe ashtu kohëve të fundit të gjithë jemi bo analista ‘gjitholog’)
A është shkaktar i helmimeve uji i pijes? Deri sa nuk demantohem për të kundërten, jam i bindur se po...
Kronologjia e helmimeve në Deçan:
- Para një ose dy muajve kishte raste me simptoma të njëjta e që dyshohej se vinin nga helmimi hidrik nga ujësjellësi.
- diten e Premte (09.07.2021) në orët e pas ditës kishte të reshura të dendura të cilat shkaktuan edhe vërshime në pjesë të ndryshme e sidomos në grykën e Deçanit
- Të nesërmen (E Shtune) paraqiten rastet e para të pacientëve dhe numri rritet me kalimin e kohës
- Të Dielen rritet numri i rasteve dhe alarmohen të gjitha institucionet lokale dhe qëndrore, merren hapa në marrjen e mostrave të ujit etj.
- Rezultatet e ujit dolën në rregull, shkaktari mbetet jetim, hetimet vazhdojnë...
Dyshimet e mija për cilësinë e ujit të pijes në Kosovë që furnizohen nga burime natyrore në bjeshkët përreth, e në këtë rast edhe për komunën e Deçanit dhe komunat tjera fillojnë që nga koha e studimeve. Kohë më parë e kam ngritur si shqetësim në mes të kolegëve dhe shokëve, se mënyra e shfrytëzimit të pyjeve e sidomos ndërtimeve të pa kontrolluara në bjeshkët tona mund të paraqesin rrezik për ndotjen e ujërave e në veçanti ujit të pijes.
Në pronat publike brenda parqeve kombëtare, të cilat historikisht janë prëdorur nga komuniteti lokal për rritje dhe kullotjen e bagëtisë, viteve të fundit ka ndodhur invazion i ndërtimeve të villave, shtëpive e staneve për turizëm etj. Në parim, këto ndërtime nuk do të paraqitnin problem sikur të ishin ndërtuar sipas planeve hapsinore (të cilat ose nuk ekzistojnë ose nuk respektohen), planeve menaxhuese të zonave të mbrojtura, planeve dhe kritereve ndërtimore, dhe sikur të ekzistonin sistemet e trajtimit të ujërave të zeza.
Ekzistimi i zonave të mbrojtura pa ndarje të brendshme (zonime) të definuara sipas funksioneve mjedisore, sociale dhe ekonomike nuk paraqesin vlera në aspektin e mbrojtjes së natyrës, por përkundrazi shkaktojnë probleme dhe hamendësime në kompetenca menaxhuese e në fund faji i keq-menaxhimit mbetet jetim.
Parku kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” 10 vite nga shpallja e tij nuk ka Plan Hapsinor që do përcaktonte se ku dhe si do të lejohen ndërtimet dhe shfrytëzimi i resurseve natyrore. Parku Malet e Sharrit e ka planin hapsinor por respektimi i tij len për të dëshiruar!
Në anën tjetër, nuk ekzistojnë (ose nuk respektohen) zonat e mbrojtura sanitare të burimeve të ujit, edhe pse me legjislacion e kemi të mbuluar mjaft mirë këtë aspekt (Ligji Për Ujërat E Kosovës, Udhëzim Administrativ Mmph Nr.15/2017për Kriteret Për Përcaktimin E Zonave Të Mbrojtura Sanitare Të Burimeve Të Ujit etj.)
- Zona e I-rë - Zona e Kufizimit, zonë e mbyllur min 10m nga burimi
- Zona e II-të - Zona e Kontrolluar, hapsira jashtë kufirit të zonës së parë e deri te vija prej të cilës ujit nëntokësor i nevojiten së paku 50 ditë për të arritur te burimi...
Roli i pyjeve në ciklin hidrologjik mësohet edhe në shkollë fillore dhe nuk ka nevojë të spjegohet në detaje. Menaxhimi i pyjeve brenda zonave mbrojtëse në funksion të ruajtjes së burimeve ujore do duhej të bëhej nga profesionistët e fushës dhe në mënyrë strikte duke ruajtur mbulueshmërinë permanente të grumbullit pyjor, duke siguruar prezencen e shumëllojshmërisë bimore dhe qëndrueshmërinë e ekosistemit në tërësi. Për fat të keq kjo nuk ndodhë sepse së pari nuk ekzistojnë zonat e mbrojtura të burimeve të ujit dhe rrjedhimisht nuk ka menaxhim dhe kujdesim profesional ndaj këtyre pyjeve, përkundrazi kemi prerje të pa kontrolluara, ndërtime dhe zbrazje të ujërave të zeza, exploatim të inerteve etj etj.
Dhe në fund habitemi se pse po ndodhin helmimet në Deçan sot, e në komunat tjera do ndodhin së shpejti...
Siguria e ujit të pijes dhe shëndetit publik është obligim ndërkombëtar, shtetëror, personal e mbi të gjitha është obligim HUMAN. Ne, si duket kemi dështuar në të gjitha këto.
Problemet në Deçan, por edhe në komunat tjera:
- Menaxhimi jo i duhur i burimeve ujore dhe sistemit të ujësjellësit në përgjithësi
- Mos ekzistimi i zonave të mbrojtura përreth burimeve ujore që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në burim
- Mos ekzistimi i planit hapsinor të parqeve kombëtare
- Prerjet ilegale dhe degradimi i pyjeve
- Ndërtimet e villave dhe mos ekzistimi i impianteve të trajtimit të ujërave të zeza
- Turizmi i egër me 'xhipa offroad' dhe motoçikleta malore (rrezik nga derdhja e derivateve, shkaktim i erozionit në sipërfaqe të hapura, ndotje të ujërave nëntokësore etj)
-
Për ilustrim, nga fotografimet satelitore mund të shihen edhe ndërtimet që bëhen gjithandej nëpër bjeshkët tona. Sa mund të shihet, vetëm në pellgun ujmbledhës të bjeshkëve të Deçanit kemi rreth 1500 villa ekzistuese dhe qindra vende të përgatitura për ndërtim.
Sipas të dhënave publike nga kompania e ujësjellësit, burimet ujore janë në afërsi ose në lartësi më të ulët mbidetare nga villat (stanet), gurthyesit etj.
Ne nuk kemi nevojë (e as mundësi, aftësi) me zbulu asgjë, mund të marrim shembuj nga vende tjera si dhe ti respektojmë rregullat ligjore. Një shembull mund të merret nga kryeqyteti austriak Viena. Për fat timin, gjatë studimeve kam pasë rastin të mbajë praktikë në aspektin e menaxhimit të pyjeve pikërisht në zonen e mbrojtur nga ku furnizohet Viena me uj të pijes.
Cili është kujdesi ndaj këtyre zonave:
- Mbrojtje strikte, ku lejohet vetëm ecja (hikingu) dhe atë duke u evidentuar se kush dhe ku dhe sa do qëndron në zonë
- Mirëmbajtja sanitare e pyjeve dhe prerja bëhet ose me sharrë dore ose motosharrë me derivate bio (biodizel).
- etj etj
Videon e bashkangjitur e kisha bo obligative të shikohet që nga zyrtarët më të lartë shtetëror e deri te qytetari i thjeshtë dhe të shohim se si duhet bashkëpunuar, organizuar dhe menaxhuar furnizimi me uj të pijes.
Hartat e bashkangjitura i kam punuar nga kurioziteti për të paraqitur vizualisht shqetësimet e mija
Bashkëqytetarëve të mi shërim të shpejt dhe me shpresë pa pasoja!
P.S Qëllimi i shkrimit nuk është akuzues për askë (sepse të gjithë kemi faj ngapak), por është shqetësim personal dhe defekt profesional.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco