Bernabiqi nuk do ta ketë të lehtë kurrë më

Bernabiqi nuk do ta ketë të lehtë kurrë më

Nga Elvis Hoxha - 13/07/2021

Është krejt normale që Bernabiqi ta ketë të vështirë të flasë me Albin Kurtin.

Deri dje e kishte të thjeshtë të fliste me njerëz që nuk fyheshin kur ajo i konsideronte të zbritur nga malet.

Deri dje ajo fliste për provincë e provincialë dhe i shkonte lehtë muhabeti.

Deri dje shefi i saj dhe ai i Kosovës mund të flisnin vesh më vesh.

Deri dje mund të akuzonin për shkelje marrëveshjesh nga ana e Kosovës e sa për vete shkelnin çdo marrëveshje.

Deri dje i ecte politika e amnistisë së përgjithshme të krimeve, ndërsa sot po i shfaqet para syve si i patejkalueshëm gjenocidi.

Deri dje kishte të bënte vetëm me një përfaqësues të shqiptarëve që po ia thjeshtëzon sundimin ekonomik. Tani ka të bëjë me Albin Kurtin që ia kthen me "jo".

Deri dje shihte shqiptarë që afishonin në fytyra inferioritetin. Tani dëgjon si pyetje të parë nga Albin Kurti: A do ta njohësh Kosovën?

Deri dje akuzonte Kosovën për dëmtim stabiliteti, gjë që e kryente vetë pa u shqetësuar aspak. Ndërsa sot e fut në hall propozimi për traktat paqeje.

Deri dje mbështetej pa merak te Boreli dhe Lajçaku, ndërsa sot edhe këta nuk po janë fort mirë.

Deri dje pati përballë edhe qeveri jokushtetuese të Kosovës, ndërsa sot ka përballë një qeveri me 52% mbështetje popullore.

Deri dje kishte një president amerikan që përdorte Kosovën për të shtuar qoftë edhe pak vota. Sot Amerika ka një tjetër tip presidenti që e konsideron vrasës mbështetesin kryesor të Beogradit.

Deri dje edhe Ujmanin mund ta hidhte në diskutim pronësie. Sot jo më.

Deri dje nuk kishte parë organizim të deputetëve të parlamentit serb të deklaroheshin në grup për Republikën e Kosovës. Qoftë edhe pakicën shqiptare e kishte parë të shkërmoqur. Sot, ky grup shprehet prej zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Bernabiqi nuk do ta ketë të lehtë kurrë më.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco