Vizita e Bejkerit si antipod i ‘retushimit’ të historisë

Vizita e Bejkerit si antipod i ‘retushimit’ të historisë

Nga Çim Peka - 22/06/2021

30 vjet më parë, shqiptarët do të përjetonin një moment që do mbetej në histori. Më shumë se 300 mijë njerëz vërshuan në sheshin kryesor të Tiranës për të pritur Sekretarin e Shtetit të asaj kohe, Xhejms Bejker.

Për ata që mund të mos e kujtojnë atë ditë të bukur dhe historike, Bejker do jepte mesazhin se liria funksionon. Thirrjet me emrin e tij oshëtonin. Më e rëndësishme ishte se vizita e tij shihej qartë në atë kohë si mbështetje e hapur për Partinë Demokratike. Në fakt vetë Bejker, ashtu siç ka ndodhur me çdo zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, ishte ftuar në vendin tonë nga kryetari i PD në atë kohë, Sali Berisha. Në parlamentin e vendit, ai do deklaronte hapur se ishte ftuar nga Berisha.

Por për ironi, në një postim të bërë nga ambasada amerikane në Tiranë në nderim të asaj dite, në foto nuk shfaqet asnjë përfaqësues i opozitës antikomuniste. Jo vetëm kaq, por në foto shfaqet kryeministri komunist i asaj kohe, Ylli Bufi, me një varg zyrtarësh të lartë të qeverisë, ku spikat edhe Zef Mazi, të cilit Edi Rama i ka besuar negociatat e ngecura prej vitesh për integrimin e vendit drejt BE.

Komentet e lexuesve kanë qenë të shumta. Ata e akuzojnë ambasadoren për retushim të historisë. ‘Është jo korrekte nga ana e ambasadës që në fotot e publikuara tregohen vetëm përfaqësuesit e regjimit komunist dhe nuk duken fare përfaqesuesit e opozitës demokratike megjithese kanë qenë prezent aty... më e pakta është jo korrekte,’ shkruan komentuesi Saimir Dervishi.

‘Dmth sipas jush Sekretarin Amerikan të Shtetit e pritën shokët e Byrosë Politike dhe jo njerëzit që e përmbysën atë regjim? E kuptoj retushimin që i bëni fotografive se jeni në mision për të zhdukur Saliun nga politika, por rasti që keni gjetur për të dhënë këtë mesazh ta shpif dhe është i ulët deri në neveri,’ shkruan Gesti Rabi.

Për ata që nuk e dinë, retushimi i fotove historike ishte një nga mënyrat se si atyre që nuk kishin biografi të mirë, ose kishin qëndrime anti-parti, u fshiheshin fytyrat e tyre ose të paraardhësve nga foto të momenteve historike.

Ndërsa komentuesi Artur Kurtallari, duke vijuar akuzat për retushim si në komunizëm, thekson: ‘Neve na djeg jo për Berishën, por për një periudhë ku kemi vuajtur shumë censurën. Mesa po kuptoj, ai djali nga Tropoja nuk t’i paska treguar të gjitha. Pres ftesën tuaj’.

Para pak ditësh, ambasadorja amerikane u takua me një djalosh nga Tropoja, një komentues të quajtur Fisart.

‘Unë mësova pak më shumë për të shkuarën e shqiptarëve dhe u çudita kur Fisarti më tregoi se si Enver Hoxha kontrollonte gjithçka, financat, fenë, punët, por ai nuk mund të kontrollonte shpirtin njerëzor,’ tha ambasadorja.

Pikërisht Ylli Bufi i fotos është një nga simbolet e asaj periudhe. Është i njëjti që mbahet mend për deklaratën se në vend ka erdhe gjashtë ditë bukë, për trazirat e provokuara nga kjo deklaratë, për tmerrin e Fushë Arrëzit, etj, për cilat sërish tentuan t’ia hedhin fajin opozitës demokratike.

Koha kalon, por disa gjëra nuk ndryshojnë. Komentuesit e shumtë shkruajnë se monizmi po instalohet sërish në vend.

30 vite më parë, vetë Bejker u bëri thirrje shqiptarëve të linin pas mbeturinat e komunizmit e të vendosnin një rend të ri politik që do të pasqyronte respekt të plotë për të drejtat e njeriut, demokratizimin e qeverisë, median e lirë e pluraliste, dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Me plot të drejtë, gazetari i njohur Elez Biberaj shkruan se të gjitha këto probleme ngjajnë kaq aktuale.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco