Ekonomia në hije e Kosovës

Ekonomia në hije e Kosovës

Nga Musa Limani - 22/06/2021

Vështrim profesional-shkencor në Projektin: “Analiza e ekonomisë në hije në Kosovë”, ekipi i projektit: Akademik Isa Mustafa, anëtare korrespondente Justina Shiroka-Pula, Prof. Assoc. Dr. Besnik A. Krasniqi, Prof. Dr. Arnies Sauka, Dr. Gentrit Berisha, Dr. Lekë Pula, MSc. Saranda Lajqi, Dr. Albulena Jaha. Botues: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Seksioni i Shkencave Shoqërore, Prishtinë, 2019.

Para disa ditësh, në shtypin ditor lexova se Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, ka botuar Projektin: “Analiza e ekonomisë në hije në Kosovë”. Nga kureshtja dhe ana ime profesionale më interesoi që ta lexojë këtë publikim.

Së pari, më erdhi mirë dhe u gëzova për këtë botim, por kur e lexova u dëshpërova nga aspekti profesional. Andaj, me këtë rast këtij Projekti do t’i bëjë një vështrim profesional-shkencor, duke u përqendruar vetëm në: përkufizimin e ekonomisë informale dhe në përdorimin jo adekuat të terminologjisë profesionale dhe gabimeve gjuhësore.

a) Përkufizimi i ekonomisë informale dhe terminologjia jo adekuate profesionale ekonomike. Në pikën dy të këtij Projekti bëhet fjalë për “2. Nocioni i ekonomisë informale”. Historia e ekonomisë informale është e vjetër edhe janë të njohura veprimet e saja negative. Me avancimin e zhvillimit ekonomik dhe ndryshimeve të sistemeve ekonomiko-shoqërore, ka evoluar edhe ekonomia informale. Kohëve të fundit format e reja të ekonomisë informale janë prezente në të gjitha vendet, por ato më së shumti i hasim në vendet që e kanë kaluar tranzicionin, e veçmas në vendet që ende gjenden në fazën e tranzicionit, siç është edhe Kosova.

Lidhur me termin dhe definicionin e ekonomisë informale, në literaturën profesionale ekonomike dhe në jetën praktike, hasim në terma dhe definicione të ndryshme, që paraqesin sinonime, kurse në esencë shprehin të njëjtën çështje (problem). Këto terma u përdorën edhe në Projektin në fjalë. Lidhur me nocionin e ekonomisë informale në këtë pjesë të Projektit në fjalinë e parë, thuhet: “Termi

ekonomi në hije përkufizohet nga shumë aspekte dhe shpesh i referohen si ekonomi e nëntokës, ekonomi e fshehtë, ekonomi e zezë, ekonomi e padeklaruar, sektor joformal”. (fq. 6). Është për të konstatuar se në teorinë ekonomike hasim në terma të ndryshme rreth ekonomisë informale, si: në anglisht: illegal-joligjor, underground-nëntokë, black market-tregu i zi, gray maraket-tregu gri, shadow economy-ekonomi nën hije. Në gjuhen frënge: marché noire-treg i zi. Në gjuhën kroate: siva ekonomia-ekonomia e përhimët. Ja pra, askund nuk përdoret termi “ekonomia në hije”. Andaj, mendojë se përdorimi i termit, e aq me pak në titull të këtij Projekti “ekonomia në hije”, nuk është adekuat nga terminologjia profesionale ekonomike, e aq më pak nuk përkon me gjuhën shqipe. Termi në hije ka kuptimin kur pushon “në hije”. Kështu, termi më adekuat do të ishte “nën hije”, që tregon se qarkullimi i mallrave bëhet i mshefur, që nga aspekti figurativ tregon se nuk shihet, nuk i nënshtrohet dhe i bishtron obligimeve ndaj shtetit etj.

Si rrjedhim, nga ajo që u tha më sipër del se, në këtë Projekt janë dhënë terma si sinonime të ekonomisë informale, por nuk është definuar, apo më mirë me thënë nuk është dhënë përkufizimi i ekonomisë ilegale, përkatësisht jo ligjore. Ndonëse, në një fjali është tentuar që diç të thuhet rreth përkufizimit të ekonomisë informale. Në kontekst të kësaj, nga kjo pjesë e Projektit rreth përkufizimit të “ekonomisë në hije”, po shkëpusim këtë fjali: “SNA (Sistemi i Llogarive Kombëtare: v.j.) (1993) përcakton ekonominë në hije bazuar në disa komponentë, duke përfshirë prodhimin në nëntokë (cili na qenka ky prodhim i nëntokës, thuhet ekonomia e nëntokës, por jo prodhim i nëntokës?!, aktivitetet e paligjshme, prodhimin e sektorit joformal, prodhimin shtëpiak për konsum vetanak (në vend që të përdoret termi profesional: vetëkonsum apo konsum natyror: v.j.) përfundimtar dhe prodhimin i cili nuk llogaritet për shkak të grumbullimit të pamjaftueshëm të të dhënave” (fq. 6-7). Së pari, në këtë përkufizim nuk është përdorur terminologjia adekuate profesionale ekonomike. Në gjuhën shqipe nuk thuhet “ekonomia në hije”, por “ekonomia nën hije”, që shpreh mallrat që nuk shihen, nuk janë të sheshta, të pa dukshme në kuptimin e ikjes (eskivazhit) të nënshtrimit të obligimeve shtetërore etj. Së dyti, termi “konsum vetanak”, nga aspekti (kuptimi) i terminologjisë profesionale ekonomike, nuk është drejtë i përdorur. Në teorinë profesionale ekonomike termi “konsumi vetanak”, quhet “vetëkonsum, apo konsum natyror”. Madje, edhe në gjuhë të huaja për “vetëkonsum, apo konsum natyrore” kemi këto terme: në kroatisht: “naturalna potrošnja”, frëngjisht: “naturel consommation” etj. Sipas përkufizimit në Projektin në fjalë që u cek më sipër del se, pjesën e prodhimit të ekonomisë familjare, që familja e përdorë për plotësimin e nevojave të veta, si vetëkonsum, apo konsum natyror, na qenka ilegal, joformal?! Ky përkufizim nuk është ashtu, sepse si i tillë nuk përkon as me teorinë e as me praktikën profesionale ekonomike. Nga

aspekti profesional ekonomik, pjesa e prodhimit të ekonomisë familjare, që përdoret për vetëkonsum, është legal, por nuk llogaritët si mall, sepse nuk tregtohet-nuk i dedikohet tregut. Andaj, në kontekst të kësaj duhet potencuar se, konsumi personal (i individit apo i familjes) përbëhet prej dy komponentëve kryesore:

a) mjeteve monetare që paraqesin shpenzime financiare (në para) për blerjen e mallrave dhe kryerjen e shërbimeve të ndryshme të një familjeje, apo të popullsisë në përgjithësi të një vendi, dhe

b) prej vlerës së konsumit natyror, që nga aspekti ekonomik, paraqet shpenzimin e të mirave materiale të cilat i prodhon vetë individi, apo familja dhe ato i përdor për plotësimin e nevojave të veta dhe anëtarëve të familjes së tij, por nuk tregtohet, pra nuk hynë në procesin e këmbimit.

Konsumi natyror kryesisht është karakteristikë e popullatës fshatare dhe vendeve jo mjaft të zhvilluara. P.sh. bujku që prodhon grurin, pjesën që e shpenzon për plotësimin e nevojave të anëtarëve të familjes së tij, nuk ia dedikon tregut, paraqet konsum natyror apo vetëkonsum. Andaj, duke u nisur nga definicioni i mallrave, shtrohet pyetja. Cilat të mira materiale llogariten mall, e cilat nuk llogariten si mall, si dhe vetë konsumi a është mall apo jo? Përgjigjja është kjo. Nga aspekti ekonomik, një e mirë materiale për të qenë mall, duhet t’i plotësojë tri kushte: të ketë vlerë, të ketë vlerën përdoruese dhe t’i dedikohet tregut. Andaj, të gjitha të mirat materiale që i plotësojnë këto tri kushte llogariten mallra dhe, në të kundërtën. Nëse, një e mirë materiale njërën nga këto tri kushte nuk e plotëson, nga aspekti i teorisë ekonomike nuk llogaritet si mall. Pra, të mirat materiale (prodhimet) të cilat prodhuesi (bujku, apo dikush tjetër) i konsumon për plotësimin e nevojave të veta dhe të familjes së tij i plotësojnë dy komponentët e para (vlerën dhe vlerën përdoruese), por nuk e plotësojnë të tretën (nuk tregtohen, nuk i dedikohen tregut). Kjo pjesë e të mirave materiale (mallrave-prodhimeve) si e tillë nuk mund të përfshihet, apo nga aspekti ekonomik të llogaritet si mall. Andaj, nga aspekti profesional ekonomik, sasia e prodhimeve, përkatësisht të të mirave materiale, të cilat prodhuesi i konsumon për vete, për aq sasi zvogëlohet si oferta agregate, ashtu edhe kërkesa agregate. P.sh. nëse një bujk ka prodhuar pesë (5) mijë kg grurë gjatë një viti. Nga kjo sasi, tre (3) mijë kg i shet, pra i tregton, apo ia dedikon tregut, kurse dy mijë i ndal për plotësimin e nevojave të familjes së tij. Pjesa prej tre (3) mijë kgr. paraqet mall dhe për ketë sasi rritet oferta agregate e grurit në treg, kurse pjesa prej dy (2) mijë kg që i përdor për plotësimin e nevojave të veta familjare nuk paraqesin mall dhe për këtë sasi zvogëlohet kërkesa agregate e grurit në treg.

Në literaturën profesionale ekonomike hasim në definicione (përkufizime) të ndryshme rreth ekonomisë informale, me të cilën marrë globalisht kuptojmë atë pjesë të ekonomisë kombëtare, e cila duke i ikur obligimeve tatimore (sistemit fiskal dhe tatimor), zbret nga ndritëshmëria legale dhe tërhiqet nën hije të ilegales. Kjo me fjalë të tjera do të thotë se, me ekonomi informale, duhet kuptuar qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve, duke mos iu nënshtruar (ikur) obligimeve fiskale ndaj shtetit. Në leksikonin ekonomik thuhet se, kuptimi i ekonomisë gri (siva ekonomia-kroatisht) “është nocion që tregon aktivitet ekonomik i cili nuk është përfshirë në statistikën shtetërore (të dhënat publike, nënvizoi: M.L) dhe për të cilin nuk janë paguar detyrimet përkatëse shtetërore” (Ekonomski leksikon, Leksikografsi zavod, “Miroslav Krleža”, Zagreb, 1995, fq. 822). Me fjalë të tjera, ekonomia informale, është pjesë e ekonomisë e cila as nuk i nënshtrohet (tatimohet) detyrimeve, e as nuk monitorohet nga organet gjegjëse të vendit përkatës.

b) Gabimet gjuhësore, shprehjesh dhe termash. Unë nuk jam albanolog, por struktura e fjalive e përdorur në këtë Projekt, më shtyri të bëjë disa vërejtje edhe gjuhësore. Me këtë rast do t’i prezantojë disa fjali të nxjerra nga ky botim. Kështu, në këtë pjesë të këtij botimi kemi edhe këtë fjali: “Në Kosovë, në veçanti, ndërtimi i institucioneve filloi nga e para pas përfundimit të luftës”. Konstrukti i fjalisë nuk tingëllon shqip. Nuk thuhet filloi “nga e para”, por që nga vitet e para. Madje, kemi edhe këtë fjali: “Përderisa nuk adresohet një shmangie e tillë e taksave ose mos respektimi i detyrimeve, kjo jo vetëm që kufizon financat publike në dispozicion për të financuar të mirat dhe shërbimet publike, por gjithashtu do të ketë konkurrencë të pa drejt për bizneset që veprojnë në mënyrë formale”. Kjo fjali si për nga konstrukti, ashtu edhe sintaksa e terminologjia, nuk përkojnë me gjuhën letrare shqipe. Për më tej, kur thuhet “derisa nuk adresohet”, kujt nuk i adresohet, nuk është term adekuat, kujt duhet adresuar, duhet të ceket edhe adresa, ndoshta do të duhej të ishte kështu: derisa mos të eliminohen, asgjësohen. Madje, termi “i kufizon financat publike”. Ekonomia informale nuk i përkufizon, por i zvogëlon të hyrat (financat) publike. Po ashtu, në kuadër të kësaj fjalie nuk është përdorur drejtë termi ekonomik kur thuhet “do të ketë konkurrencë të pa drejtë për bizneset”. Në terminologjinë profesionale ekonomike, nuk ekziston termi “konkurrencë e pa drejtë”, e as të drejtë, por ekziston termi “konkurrencë jolojale”, që do të thotë e pa barabartë. Në vazhdim kemi edhe këtë fjali: “Për më tepër, literatura tregon se metodat ekzistuese nuk bien dakord për madhësinë e ekonomisë në hije.....” Si mund të kuptohet “literatura tregon.....” në vend që të thuhet: “sipas literaturës”. apo “nuk bien dakord”, metodat nuk bien dakord ato nuk japin rezultate të njëjta. Të gjitha fjalitë e sipër cekura janë marrë nga Hyrja e këtij botimi, fq. 5.

Për fund, duke u bazuar në përmbajtjen e fjalive të sipër cekura, si dhe tekstit në përgjithësi të këtij publikimi, përfitohet përshtypja se pjesa dërmuese e tij është përkthyer nga gjuha angleze edhe atë bukfalisht, dhe se nuk iu është nënshtruar lekturimit. As në botim nuk figuron kush ishte lektorë i këtij botimi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco